Fëmijët tuaj shpikin histori? A duhet te frikesoheni?

Fëmijët ndonjëherë kanë imagjinate të pakufi dhe shpikin histori nga me te ndryshmet. Ajo flet me kukullën e saj, ai thotë se është fëmija e një aktori dhe një këngëtareje… Po pse u pëlqen kaq shumë ta transformojnë realitetin?

Fëmijët përballë realitetit

Para moshës 5 ose 6 vjeç fëmijët përjetojnë orën “e mendimit magjik”. Fëmija ka një aftësi të madhe për magjepsur botën që e rrethon. Ai e shikon përmes filtrit të mrekullisë. Për të, objektet kanë shpirt, ai i vë atyre ndjenja. Dhe, nëse përplaset pas tryezës, i thotë se ajo është e keqe! Fëmija nuk e bën akoma mirë ndryshimin midis botës së vërtetë dhe universit imagjinar. Por, andej nga mosha 6 vjeç, kur hyjnë në shkollë, fëmijët përballen me realitetin: duhet të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë, të llogarisin…

Kukulla që kuptojnë gjithçka…

Kështu, për të mos hyrë shumë shpejt në botën “e vështirë” të realitetit, fëmija merr rrugë të tërthorta. Çdo herë që ai i tregon vetes një histori, ai rilidhet paksa me fëmijërinë e tij dhe vonon momentin për të përballuar shtrëngesat. Imagjinata e tij e ndihmon ta përballojë më mirë këtë periudhë ndërmjetësore. Kur fëmija është në mes të një bisede me pelushin e tij, nuk duhet ta ndërprisni ose ta kundërshtoni! Është momenti kur ai përfiton për të shfryrë dyshimet e tij. Nëse grindet me arushin prej pelushi dhe i thotë shumë gjëra të frikshme, ndoshta kjo ndodh sepse ai nuk guxon ta bëjë këtë gjë me motrën e tij, për të cilën është xheloz.

Dhe prindër të mrekullueshëm, që nuk qortojnë asnjëherë!

Dhe nëse ata shpikin prindër imagjinarë, kjo ndodh sepse ata të paktën nuk i mohojnë gjithçka! Dhe të kesh prindër të famshëm (madje edhe në ëndërr), do të thotë t’i japësh vetes rëndësi. Në këtë moshë, të ndjerit i pushtetshëm i ndihmon të rriten.

Kujdes me teprimet!

Ëndrrat janë pjesë e botës së fëmijërisë, fatmirësisht. Të shpikurit histori është normale, gjithçka është çështje niveli.
Kur duhet të shqetësohemi? Nëse fëmija refuzon të luajë me shokët e tij dhe parapëlqen shoqërinë e pelushëve të cilët i bën sikur flasin dhe flet me ta. Nëse i adresohet krijesave imagjinare që vetëm ai i sheh. Nëse e ngul shpesh vështrimin mbi një objekt mekanik (për shembull, kamion, etj), të cilët i bën me shpirt. Këta shembuj janë skajshmëri, por në raportin midis realitetin dhe imagjinatës, është teprimi ai që mund të kthehet në një problem të vërtetë. Në këtë rast, është mirë të kërkoni mendimin e një specialisti.

femijet_histori3

Mendimi i psikologeve

 Një fëmijë që përrallis, është normal? 
Po. Me momente, fëmijët strehohen në imagjinatën e tyre. Por ata nuk janë aspak viktima! Sepse, edhe pse nuk e kanë fituar krejtësisht nocionin e realitetit, rreth moshës 5-6 vjeç, ata fillojnë t’ia shikojnë konturet. Dhe, pak nga pak, ndryshimi realitet-imagjinatë do të bëhet gjithnjë e më shumë i qartë në mendjen e tyre.

 Ç’duhet të bëjmë kur një fëmijë flet me arushin e tij prej pelushi? 
Ta respektoni. Kur ai flet me zë të lartë me pelushin e tij, ai shfaq pak nga intimiteti i tij: nuk jemi të detyruar të dëgjojmë dhe as të dimë gjithçka. Përkundrazi, asgjë nuk ju pengon që herë pas here të hyni në lojën e tyre, duke vepruar kështu: “Je zemëruar me kukullën tënde, çfarë të ka bërë?” ose “A i pëlqen arushit tënd që ta mbaj në prehër?”. Është një mënyrë për të filluar dialogimin dhe për të krijuar bashkëpunim. Në raste tekash ose bllokimi, mund ta përdorni për të shtendosur atmosferën: “Nuk do t’i thuash mikut tënd, arushit, se është koha për të bërë banjë?”

 Po kur shpik prindër “të gënjeshtërt”? 
Nuk duhet të ndjeheni të trishtuar: asnjë fëmijë nuk i ka prindërit që ëndërron! Por kjo nuk do të thotë se ai nuk i do. Megjithatë, mund të përfitoni për të diskutuar me të. Edhe në këtë rast, duhet të hyni në lojën e tyre: “Mora vesh që ke një mama tjetër, si është ajo?”. Kjo ju mundëson të shikoni nëse ka diçka që nuk shkon (tek ju ose historia juaj) dhe që shqetëson fëmijën tuaj; të kuptoni çfarë e zhgënjen dhe, ndoshta, të modifikoni sjelljen tuaj.

recursing-snyder.88-198-36-142.plesk.page

Start typing and press Enter to search