10 super të pasurit në Shqipëri, vetëm një grua mes tyre

Insitituti Europian Pashko, pjesë e Iniciativës Europiane për Edukim dhe gazeta Mapo kanë shpallur përfundimet e studimit për 10 super të pasurit në Shqipëri, për vitin 2016.

Studimi i pasurive të 100 sipërmarrësve më të mëdhenj shqiptarë është bazuar në të dhënat që ata kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Pas matjes së performancës së ponderuar mes fitimit dhe kapitalit neto, për të disatin vit, njeriu më i pasur në Shqipëri shpallet Samir Mane, që zotëron disa biznese në vend.

Madje, katër të parët janë të njëjtët që kanë qenë edhe vitin e kaluar në krye të më të pasurve.

Siç shihet në këtë listë, është e pranishme vetëm një grua, Vilma Nushi.

“Metodologjia e aplikuar kësaj here ka mbajtur parasysh dhe është bazuar në dy komponentë thelbësorë të deklarimeve në QKB: fitimin e realizuar dhe kapitalin neto. Kapitali neto është konsideruar si baza e akumuluar ndër vite nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme ekonomike dhe konsolidimi akumulativ i përpjekjeve sipërmarrëse të bizneseve të 100 individëve të marrë në analizë. Ndërsa fitimi i realizuar është indikatori thelbësor i dinamikës së performancës sipërmarrëse të këtij komuniteti gjatë vitit të kaluar”, thuhet në broshurën e “10 më të pasurve shqiptarë” të IEP.

Organizatorët e këtij studimi sqarojnë që këto përfundime kanë dalë në bazë të të dhënave zyrtare duke mos mundur të analizojnë çfarë nuk deklarohet.

“Natyrisht që, biznese që nuk kanë realizuar apo nuk kanë deklaruar fitim, kanë grumbulluar më pak pikë dhe rrjedhimisht kanë shënuar shumë më pak në renditjen e përgjithshme. Pa dyshim që analiza, për vetë sistemin e deklarimeve dhe defektet e mundshme në mbledhjen dhe pasqyrimine të dhënave, mund të ketë një shkallë të caktuar mospërputhjeje me realitetin, shkak ky që mund të pasqyrohet në mungesën e disa emrave të individëve. Pavarësisht, vlen të ritheksohet se zgjerimi bazës së marrë në analizë, përshtatja metodologjike dhe klasifikimi, kanë shërbyer dhe shërbejnë për të pasur një situatë sa më të përafërt me realitetin, gjithnjë tashmë të bazuar në të dhënat zyrtare”, sqaron IEP.

Aktivitetet më fitimprurës janë investimi, tregtia e hidrokarburve dhe prodhimi dhe shpërndarja.

femra-moderne.com