17 vjeçarja nga Cërriku zë vendin e dytë në botë me shpikjen e saj

Esli Belshi është renditur e dyta në Konkursin Ndërkombëtar të Projekteve me shpikjen e “dorës robot”. 

Zakonisht ndodh që, pasi ke përfunduar studimet, të merresh me shkencë dhe shpikje. Por nuk ka ndodhur kështu me një 17 vjeçare nga Cërriku. Ajo quhet Esli Belshi. Vjen nga një familje me vlera qytetare, të emancipuar dhe arsimuar. I ati është mjek i njohur (Kastriot Belshi) dhe nëna e saj mësuese dhe drejtuese në arsim, (Mimoza Belshi). Esli ka shkëlqyer në mësime në 9 vjeçare e tani vazhdon studimet në kolegjin “Mehmet Akif” ndër më të mirët në Shqipëri.

Tek ajo është zbuluar herët ngacmimi për të prodhuar diçka të dobishme për shoqërinë. Dhe gjithçka duket se ka nisur nga një histori reale, ngjarje që shpesh i  kanë nxitur shkencëtarët që të shpikin gjërat e mëdha…“Idenë e mora rastësisht. Ishte një rast aktual i dikujt që kishte probleme me gjymtyrët e sipërme. Më ngacmoi ideja që ta bëj edhe këtë kategori që të ndjehet si të tjerët. Dhe ju përvesha punës.” – thote ajo ne nje interviste.

Esli-Belshi-01

Ndërthurja e teorisë me praktikën, nxitja e prirjeve në procesin mësimor duket se ka dhënë frytet e veta dhe tani kur ajo është ende 17 vjeçe, emri i saj regjistrohet ndër shpikëset më të famshme e te reja në botë.

Nxënësja nga Cërriku e paraqiti projektin e saj Konkursin Ndërkombëtar të Projekteve I-SWEEEP “Konkursi Shkencor Ndërkombëtar në Fushën e Energjisë, Inxhinierisë dhe Mjedisit”, i cili u zhvillua në Qendrën “Gorge Brown” të shtetit Houston, në Texas/SHBA. Në  këtë konkurs morën pjesë 564 nxënës dhe 300 mësues , ku u prezantuan 385 projektet më të mira nga 62 vende të ndryshme të botës. Shqipëria u përfaqësua nga Esli Belshi me projektin “Një dorë robot”. Aktiviteti u përmbyll me një ceremoni madhështore, ku u bënë vlerësimet për projektet më të mira dhe u ndanë medalje dhe çmime të ndryshme. Projekti i prezantuar nga Esli Belshi u vlerësua nga juria me medalje argjendi, ndërsa “North Amerikan University” i ofroj asaj një bursë studimi.

Projekti bazohet në risitë në zhvillimin e elektronikës dhe qëllimi ka qenë prezantimi i një projekti të thjeshtë, që nëpërmjet një mikroçipi, dora e dëmtuar të komandohet me anë të zërit. Demonstrimi fillestar ka qenë hapja dhe mbyllja e dorës me anë të komandës zanore. Më pas do të kalohet në komandimin e secilit gisht veçmas.

Esli shprehet se këtë çmim ja dedikon gjyshit të saj i cili e ka shtyrë në punën kërkimore. Ajo tregon emocionet e veçanta gjatë marrjes së çmimit dhe thotë se në momentet kur ka ngritur flamurin e ka harruar veten, por ka menduar për gjithë Shqipërinë. Të ardhmen e sheh në punën kërkimore në studime që pritet t’i vazhdojë në universitetet më të njohura të botës të cilët nuk kanë munguar ti dërgojnë ftesa që tani.

Esli përbën një shembull frymëzimi. Njëkohësisht ajo është vazhduese e gjeneratës së shkencëtarëve shqiptarë që tashmë kanë bërë emër në gjithe boten. I urojme sa me shume suksese ne te ardhmen e saj te shkelqyer.

femra-moderne.com