Viti i Kadaresë: Veprimtari nga Biblioteka Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të organizojë sot në 12 shkurt disa veprimtari kushtuar shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare, në 80 vjetorin e lindjes.

Në kremtimet e Vitit Kulturor kushtuar Ismail Kadaresë, në BK do të hapet ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean”, bën të ditur në një njoftim Ministria e Kulturës. Kjo ekspozitë ndërton një rrugëtim të kryqëzuar mes tekstit dhe imazhit, duke bërë të perceptueshëm për publikun një nga specifikat më interesante të veprës së Ismail Kadaresë: shkrimin e qytetit; që nga Gjirokastra e përjetshme e romaneve Kronikë në gur, Breznitë e Hankonatëve; Çështje të marrëzisë; Darka e gabuar etj deri te Tirana me “Bulevardin Broadway”; Stambolli me “Aya Sofinë”; Moska e flirteve dhe Parisi letrar.

Gjithashtu do të organizohet konferenca “Ismail Kadare: leximi dhe interpretimi”. Kjo konferencë do të bashkojë kontributet më të fundme mbi studimin dhe interpretimin e veprës së Ismail Kadaresë, përmes pjesëmarrjes së akademikëve, studiuesve, pedagogëve e shkrimtarëve.

Një vend të rëndësishëm do të zërë edhe promovimi i përmbledhjeve studimore dhe bibliografive të konceptuara pikërisht për kremtimin e 80-vjetorit, si Kadare në gjuhët e botës, me autor B.Kuçuku, Onufri 2005, Kadare: Bibliografi II , studime për të (1953- 2010).

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Ai e ka ndarë jetën e tij mes Francës dhe Shqipërisë, dhe është martuar me shkrimtaren e njohur të skicave dhe tregimeve për fëmijë, Helena Kadare. Nga viti 2015, me pëlqimin e autorit, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.

ATSH

femra-moderne.com