A e keni vënë re që mushkonjat ndonjëherë kanë preferenca? Nuk është imagjinatë, përkundrazi, është e konfirmuar nga specialsitët.
Disa mushkonja tërhiqen më shumë ndaj disa njerëzve se ndaj disa të tjerëve për shkak të disa kimikateve që çlirohen në lëkurë. Faktorët biologjikë mund ta transformojnë një njeri në shënjestër shumë të lehtë të mushkonjave. Nëse ju bëni pjesë në grupin e njerëzve të parezistueshëm për këto insekte, atëherë lexoni disa ndër arsyet shumë të thjeshta.
Jeni të djersitur
Acidi laktik, një nënprodukt që çlirohet nëpërmjet djersës është mjaft ndjellës për mushkonjat, thonë ekspertët. Nëse djersisni shumë, temperatura e trupit luan një rol kryesor. Mushkonjat e dashurojnë ngrohtësinë dhe fuqizohen nëpërmjet saj.
Keni gjak të grupit 0
Mushkonja është insekt tekanjoz. Ajo ka preferenca shumë të qarta dhe një prej tyre ka të bëjë me grupin e gjakut. Një studim i Journal of Medical Entomology zbuloi se këto insekte gjakpirëse janë të tërhequra fort pas njerëzve, gjaku i të cilëve është në grupin 0. Organizmi i këtyre njerëzve çliron disa aroma të forta, që shërbejnë si magnet për mushkonjat.
Keni pirë birrë
Nëse pini birrë, përgatituni të pickoheni fort. Një studim zbuloi se meshkujt që pinin birrë ishin tejet tërheqës për mushkonjat. Një tjetër eksperiment konfirmoi se mushkonjat adhurojnë njerëzit që pijnë alkol.
Keni genet e duhura
Shkencëtarët konfirmuan se disa njerëz arrijnë të çlirojnë substanca natyrale kundër mushkonjave ndërsa disa njerëz janë gjenetikisht të predispozuar të jenë të pambrojtur nga mushkonjat.
Jeni shtatzënë
Mushkonjat femra (ato që pickojnë më fort) janë të çmendura pas dioksidit të karbonit. Ato kanë receptorë që i ndihmojnë të dallojnë gazrat në mjedis. Po çfarë lidhje ka kjo me shtatzaninë tuaj? Një studim i vitit 2002 zbuloi se femrat në fazën e parafundit dhe të fundit të shtatzanisë përthithin 21% më shumë dioksid karboni se femrat jo shtatzënë. Studiuesit zbuluan që ky ndryshim fiziologjik shpjegon përse femrat shtatzënë, që morën pjesë në studim, u pickuan dy herë më shumë nga mushkonjat, në krahasim me femrat jo shtatzënë. Por dioksidi i karbonit mund të mos jetë e vetmja arsye se përse femrat shtatzënë çlirojnë aroma më të forta dhe ndjellëse për insektet.
Si t’i mbani mushkonjat larg
- Mënyra më e thjeshtë, ndonëse pak e parehatshme gjatë ditëve të nxehta është që të vendosni një mburojë në lëkurën tuaj. Mund të vishini këmisha me mëngë të gjata dhe pantallona.
- Një mbrojtje më e mirë është të përdorni locione spërkatëse kundër insekteve edhe mbi rrobat tuaja.
Burimi: AgroWeb.org