Hammam ose banjo turke: efektet pozitive per trupin dhe organizmin

Hammam e kane emrin, por ne i quajme banjo turke dhe janë tipike te vendeve arabe. Një vend krejtësisht femëror ku, përveçse kryhet një ritual pastrimi dhe rigjenerimi i trupit dhe mendjes, gratë e kalojnë kohën duke biseduar ndërkohë që pijnë çaj. Zhytja në avull është gjithashtu një mënyrë e mirë kundër dhembjeve të reumatizmës, tensionimeve muskulare, rrufës dhe sinozitit.

Stimulon qarkullimin

Nxehtësia e lagësht  zgjeron enët e gjakut dhe, edhe pse ul presionin, përmirëson qarkullimin: gjaku mund të arrijë dhe të lagë të gjithë indet, edhe ata më periferikë, duke i ushqyer dhe oksigjenuar.

Pastron organizmin

Sapo hyn në një banjo të tillë të përfshin ndjesia sikur shkrihesh. Avulli favorizon djersitjen, prej së cilës trupi nxjerr shumë përfitim. Në fakt, djersa përshpejton ndërrimin e lëngjeve, duke mundësuar eleminimin e shpejtë të mbeturinave dhe helmeve që grumbullohen në inde.  Për më tepër, mbrohen edhe veshkat, sepse një pjesë e mirë e punës së tyre në filtrimin dhe eleminimin e substancave të dëmshme bëhet nga vetë djersa.

Nxehtësia e lagësht dhe “të ndenjurit kot” i ëmbël kanë një efekt të fuqishëm çlodhës mbi psiqikën dhe një veprim pozitiv mbi trupin.

Hidraton lëkurën

Djersa pastron lëkurën nga smogu dhe helmet. Nga ana tjetër, avulli kryen edhe një veprim të thellë hidratues mbi lëkurën; lëkura rezulton shumë më e butë dhe elastike, duke marrë pamje më tonike dhe të ndritshme. Enëzgjerimi stimulon mikro-qarkullimin, duke i mundësuar gjakut të ushqejë dhe rigjenerojë epidermën e fytyrës (që skuqet).

Tonifikon indet

Efekti mirëbërës i avullit nuk mbetet vetëm te lëkura, por ushqen në thellësi edhe indet, edhe duke i hidratuar. Veprimi i ujit i tonifikon. Duke i bërë më kompaktë, elastikë dhe, si rrjedhojë, më të fortë.

Lufton dhembjet e gjymtyrëve

Nxehtësia është një “ilaç” i vërtetë për kockat. Në fakt, nxehtësia parandalon dhe kundërshton dhembjet e bezdisshme të shkaktuara nga problemet në kocka, si artrit, artrozë dhe reumatizmën. Ky veprim mund të fuqizohet nga masazhi.

Shkrydh muskujt

Temperatura e lartë qetëson dhe u heq malcimin muskujve. Banjo turke është një ndihmë e vlefshme në raste të dhembjeve dhe të kontraktimet të qafës dhe të shpatullave, lufton të gjitha ato probleme që shkaktohen nga qëndrimi i keq, që formohet nga orët e gjata ulur dhe para një kompjuteri. Për më shumë, kombinimi i nxehtësisë me masazhin, që bëhet pas banjës, mundëson shkrydhjen e plotë të tensionimeve muskulore.

Çliron rrugët e frymëmarrjes

Banjo turke është veçanërisht e dobishme në raste rrufe, sinozit dhe malcime të rrugëve të frymëmarrjes, shpesh të acaruara për shkak të smogut, duhanit dhe pjalmeve të luleve. Klima e ngohtë dhe e lagësht, dekongjestionon të gjitha mukozat (indet që veshin organet). Megjithatë, duhen preferuar ambjentet ku nuk përzihen esenca aromatike me avullin, sepse këto mund të shkaktojnë një reaksion të kundërt dhe të acarojnë rrugët e frymëmarrjes.

Mund të favorizojë gjumin

Atmosfera e krijuar çon drejt një çlodhjeje të thellë të trupit e mendjes dhe, nëse bëhet edhe masazh, efekti shkrydhës ëshhtë i përgjithshëm. Ata që vuajnë nga pagjumësia mund të përfitojnë nga kjo gjë.

Para se të provoni banjon turke, këshillohuni me mjekun tuaj.

Rregullat që s’duhen harruar

Para se të hyni: 

  • Shmangni vaktet e bollshme, para se të zhyteni në avull.
  • Konsumoni diçka të lehtë, perime ose fruta, 2-3 orë përpara.
  • Bëni dush para se të hyni në avull. Për të shmangur përplasjen e nxehtësisë mbi organizmin, është mirë që ta nisni me ujë të vakët dhe pastaj ta ftohni gradualisht.

Pasi mbaroni banjon

  • Pushoni nja njëzet minuta para se të visheni dhe të dilni, në mënyrë që t’i mundësoni trupit të ristabilizojë ekuilibrin termik dhe zemrës të normalizojë rrahjet.
  • Pas rreth gjysmë ore – një orë, pini me bollëk, për të riintegruar lëngjet dhe kripërat minerale të eleminuara nga djersitja e madhe.

Kur nuk keshillohet

Rastet më të zakonshme janë, kur keni:

  • Probleme kardioqarkulluese. Në këtë rast duhet shmangur edhe banjo turke, edhe sauna: nxehtësia dhe lagështia e madhe mund të alterojnë ekuilibrin e qarkullimit.
  • Presion të ulët. Sauna dhe banjo turke duhen shmangur nëse presioni sistolik (maksimumi) nuk i kapërcen 100 mm Hg (vlerat normale variojnë nga 110 në 140 mm Hg, sipas moshës). Në rastin e nxehtësisë së tepërt, mund të ndodhë ndonjë kolaps.
  • Tension shumë i lartë. Në përgjithësi, kush është ka një hipertension të lehtë, me vlera midis 140 dhe 160 mm Hg, mund ta frekuentojë Hammam-in pa kundërudhëzime të veçanta, madje mund të nxjerrë edhe përfitime, sepse nxehtësia ul presion. Por në rast se hipertensioni është i theksuar, është mirë ta shmangni.
  • Astma. Nuk këshillohet për personat që vuajnë nga astma bronkiale, qoftë edhe e një natyre alergjike, ose nga shqetësime të tjera në bronke apo mushkëri, sepse i acaron më tepër, duke penguar edhe më tej frymëmarrjen.
  • Cikli menstrual. Përveç motiveve praktike dhe higjienike, enëzgjerimi i fortë i shkaktuar nga nxehtësia, mund të shtojë fluksin, me rrezikun e një hemorragjie.
  • Shtatzani. Banjo turke (ashtu si edhe sauna) nuk këshillohen, sepse në këtë periudhë zemra është e mbingarkuar, rikthimi i gjakut nga këmbët lart është më i ngadaltë dhe tensioni priret të ulet vetvetiu. Efekti i nxehtësisë do t’i fuqizonte këto variacione dhe nëna e ardhshme mund të kishte probleme të ndryshme, si kolaps ose shqetësime të tjera në qarkullim.

© femra-moderne.com