Çfarë është dieta “Dukan”?
Kete dietë e krijoi mjeku francez Pierre Dukan gati 10 vjet më parë, për të ndihmuar njerëzit obezë.
Në bazë të dietës, e cila ndahet në katër faza, qëndron një plan i pasur me proteina dhe i varfër në kalori. Në këtë dietë nuk numërohen kaloritë, ndaj mund të konsumoni sipas dëshirës dhe në çdo moment, për aq kohë sa ajo çka hani, ka proteina, të paktën në fillim. Në fakt, proteinat janë në qendër të katër fazave, bashkë me krundet e tërshërës, shumë ujë dhe 20 minuta ecje e përditshme.
Perimet lejohen vetëm në fazën e dytë, të ndjekura në fazat e tjera me sasi të vogla frutash dhe prodhimet e grurit.
Ndjekësit e kësaj diete humbin në peshë shumë shpejt, të paktën deri në 2 kg për fazën e parë, çka, sipas mjekut Dukan, i motivon ata për ta vazhduar regjimin. Në libër, Pierre Dukan premton se uria largohet në ditën e tretë të dietës. Megjithatë, ai pohon se ndjekësit e këtij regjimi mund të vuajnë nga era e keqe ose tharja e gojës, kapsllëku dhe ndjesia e lodhjes.
Faza e sulmit
- Kjo fazë zgjat nga 1 deri në 10 ditë, në varësi të matjeve personale dhe ku konsumohen vetëm proteina. Sipas ekspertëve, për 5 ditë, mund të humbni 2 kg.
- Konsumoni çfarë dëshironi me bazë proteinat, bashkë me 1 lugë e gjysmë gjelle krunde tërshëre dhe 1 litër e gjysmë ujë në ditë.
- Ndjekësit mund të zgjedhin nga lista prej 72 lloje mishrash (përjashto derrin dhe qengjin), peshk, shpend, vezë, sojë dhe bulmet pa yndyrë.
Faza e rrugëtimit
- Kjo fazë mund të zgjasë me muaj, në varësi të matjeve personale dhe dëshirës se sa doni të bini në peshë.
- Dukan-i rekomandon ta ndiqni këtë fazë derisa të arrini në peshën e dëshiruar. Në këtë fazë kombinohen proteinat me perimet (28 prej tyre) dhe dy lugë gjelle krunde tërshëre.
- Karotat, bizelet, misri dhe patatet përjashtohen nga lista e perimeve që duhen konsumuar, por ato futen në fazat e tjera.
Faza e konsolidimit
- Kjo është faza më e rëndësishme, pas humbjes në peshë dhe mbajtjes së këtyre linjave. Në këtë periudhë, trupi bëhet i ndjeshëm për t’i rimarrë kilogramët e humbur. Por, nëse e zbatoni këtë fazë pesë ditë për çdo kilogram që keni humbur, atëherë nuk do të rrezikoni marrjen e tyre.
- Konsumohen proteinat (përfshi derrin dhe qengjin), perimet, një frut me pak sheqer, bukë dhe djathë.
- Ndjekësit mund të konsumojnë një herë në javë edhe një vakt “festiv”, çka do të thotë çdo ushqim që ju vjen në mend.
Faza e stabilizimit
- Në këtë fazë, regjimi duhet të kthehet në ritëm jete. Sipas Dukan-it, ju do t’i ruani linjat duke ngrënë ç’të doni, por një ditë në javë duhet të konsumoni vetëm proteina, pa harruar krundet e tërshërës dhe aktivitetin fizik.
Detajet që lejohen:
- Çamçakëz pa sheqer, ëmbëlsues artificial, kafe, uthull dhe erëza të ndryshme.
- Në libër rekomandohet të merren edhe tableta multivitaminash.