Catherine De Bolle do të marrë më 1 maj postin e drejtueses së Europolit, agjencia europiane e specializuar në luftën kundër kriminalitetit. Njoftimin e ka dhënë Këshilli i Bashkimit Europian, i përfaqësuar nga 28 shtetet anëtare.
Kjo është hera e parë që një grua merr këtë funksion.
Bolle, në krye të Policisë Federale belge u emërua për një mandat katërvjeçar dhe do të pasojë drejtorin ekzekutiv aktual të Europolit, britanikun Rob Wainwright.
Kandidatura e komisares belge ra në sy në muajin dhjetor në mesin e një liste kandidatësh, që u miratua nga 28 shtetet e BE-së në nivel ambasadorësh.
Zyrtarizimi i këtij emërimi u bë publik sot në nivel ministror, me rastin e një takimi në Bruksel të ministrave të Brendshëm të unionit.
Pas përzgjedhjes së kandidaturës së saj, Bolle mori edhe opinionin pozitiv nga një komision i Parlamentit Europian.
Në një postim në Twitter, ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon uroi Catherine De Bolle, gruan e parë në krye të Europolit.
Ai zbuloi rastësinë e një emërimi të finalizuar pikërisht më 8 mars, Ditën Botërore të të Drejtave të Grave. / ATA