38-vjeçari nga Durrësi u nderua si shkencëtari më i mirë i grupmoshës nën 40 vjeç falë punës shkencore të tij në fushën e gjenetikës, në specializimin e ngushtë të sëmundjes së ALS-së (Skleroza Amiotrofike Laterale) për vitin 2015.
Sukseset e shqiptarëve në botë janë të mëdha, një ndër emrat më të fundit që është shfaqur është shkencëtari Edor Kabashi. Shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Durrës, ndërsa ishte viti 1995 kur së bashku me familjen e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që do të arrinte të ishte i suksesshëm u pa shumë herët. Ai mori çmimin e Presidentit Bill Clinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës. Studioi për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, SHBA. Më vonë studimet i vazhdoi në Francë e më pas në Montreal në Kanadë ku u diplomua në biologji në vitin 2000. Në Kanada në vitin 2006, Edori mori gradën doktor në neurologji dhe neurokirurgji. Në vitet 2008 dhe 2011 fitoi çmimin “Brain Star” nga Instituti i Kërkimeve në Fushën e Shëndetit Mendor, në Kanadë.
Prej vitit 2011, ai drejton grupin kërkimor në departamentin e sëmundjeve neuro-degjenerative, në Institutin e Neuroshkencës në Paris, Francë. Më pas, Kabashi ka marrë çmimin “ENCALS Young Investigators Award” apo Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj për vitin 2015. Ky çmim iu dha në Dublin nga Amar Al Chalabi, një nga neurologët më të mirë në botë. “Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj ka për qëllim identifikimin e shkencëtarëve më të aftë dhe më të zgjuar dhe jepet për kërkime në çështje të pazgjidhura në lidhje me sëmundjen ALS”, shkruhet ndër të tjera në motivimin e çmimit për dr. Kabashin.
Nuk ka se si të mos ndihemi krenarë për njerëz të tillë. Me siguri që do të dëgjojmë shumë shpejt për sukseset e tij dhe arritje të tjera në fushën e shkencës.