Interviste/ Mira Dajçi: Studiova për inxhinjere, edhe pse doja të bëhesha artiste

Flet inxhinjerja tekstiliste dhe make up artist Mira Dajçi Caracoglia

Një femër simpatike, me sy plot shkëlqim që të falin mirësi. Një femër që e sheh jetën në sy që asnjëherë nuk e verbon pasuria, luksi, apo tepirca. Këkron atë çka i takon, ku personalitetin e ka primare në jetë. Kur zemërohet hesht, pasi për të është rrugëzgjidhja më e drejtë. Fjalën engjëll, e ka si fjalë përshëndetëse, pasi do të përcjellë vetëm mirësi. Nuk ishte dëshira e saj të shkonte në inxhinieri tekstile, por në atë sistem ishte një rregull që ta caktonin vetë degën në bazë të mesatares së notave. Dëshira e saj ka qenë gjithmonë të studionte për art. Por ashtu sikundër nuk shkoi me qejf (dhe pse doli shumë mirë), nuk punoi asnjë ditë në profesion.
Në vitin e mbrapshte 1997 ajo u largua për në Kanada për të shkëputur fëmijët nga ajo katrahurë. Martohet me një italiano-kanadez me të cilin kalon shumë mirë, pasi sipas saj italianët dinë t’i trajtojnë femrat.

Nga Albert ZHOLI

A ishin të përgatitur pedagogët dhe si ishte kërkesa e llogarisë në Universitet ku mbaruat inxhinjerinë?

Sigurisht që pedagogët ishin shumë të kualifikuar dhe kërkesa e llogarisë ishte shumë e lartë. Atehere nuk njiheshin shumë fenomene të tilla si mitmarrja, korrupsioni, apo miqësia, kur nuk kishe talent.

Kur dhe pse u larguat në Kanada, cili ishte qëllimi?

Unë u largova për në Kanada në kohën e trazirave, para 15 vjetëve, 1997. Ishte një ikje e menduar, e parë në shumë këndvështrime. Qëllimi i largimit ishte për t’u siguruar fëmijëve të mi një të ardhme të sigurtë. Fëmijët mbi gjithçka. Ende s’e kam kuptuar atë çka ndodhi në Shqipëri në vitin 1997.

“Studiova për inxhinjere, dhe pse doja të bëhesha artiste”

Si ishte momenti i mberritjes në aerodrom, kush ju priti dhe si u strehuat?

Momenti i arritjes ne Aeroport ishte tepër emocionues. Vija në një botë të re, në një botë të panjohur, ku mendoje shumë gjëra të bukura. Pashë një aeroport gjigand, një aeroport që llamburinte nga dritat dhe me shumë pastërti. Gjithçka mu duk perfekte, kur mendoja aeroportin shqiptar të vitit 1997. Pa dashur lotova. Pse vendi im të ishte i shkretuar kur kishte aq diell, aq det, aq ajër të pastër, aq qiell blu? Aty çdo gjë të bukur e
kishte bërë dora e njeriu, ku dhe në atdheun tonë çdo gjë të keqe e kishte bërë dora e njeriut. Shtanga nga ajo bukuri që kishte bërë dora e njeriut.

Çfarë vutë re në Kanada ditët e para? A ke parë shenja racizmi në Kanada dhe a jeni e lidhur me komunitetin shqiptar aty?

Në ditët e para në Kanada na bëri përshtypje shumë pastërtia, rregulli si dhe qetesia. Një vend ku çdo gjë funksiononte si sahat. Pa zhurmë, kudo edukatë dhe komunikim absolut. Kudo mirësjellje. O zot, çfarë mrekullie! Një vend plot rregull, korrektësi, social, aq sa nuk e kisha menduar. Kjo është gjëja më e bukur që ka Kanadaja, nuk ka racizëm në mënyrë absolute, të gjithë ndjehen të barabartë dhe teper të respektuar në mënyrë të barabartë, dhe kjo më bën të ndjehem mjaft mirë dhe krenare. Jam lidhur që në fillim me komunitetin shqitar dhe kjo më ka bërë të ndjehem pranë vendlindjes sime.

Jeni martuar me një nënshtetas italian, si njeheni si bashkshorte e një italiani, si i trajtojnë gratë të huajt në raport me burrat shqiptar?

Po, jam martuar me një italian dhe ndjehem shumë e respektuar. Mendoj se burrat shqiptar ndryshojnë nga ata jo shqiptarë. Burrat shqiptarë kanë një mentalitet të çuditshëm, që duan të ndjehen superior ndaj grave të tyre, gjë që kurrë nuk ndodh tek të huajt.

Ju mësuat profesionin e Make up-artist me një specialist të Hollywood, cilat ishin të veçantat e këtij mësimi dhe cili është ky personalitet i kësaj fushe?

Mësimet profesionale si make up artist i kam marrë nga Robert Closs një nga Make Up artist më të talentuar në Hollywood si dhe në CBC televizion.

Keni punuar me këtë profesion në disa televizione kanadeze, më pas në profesion të lirë, a ndiheni tashmë më e sigurt?

Kam marrë pjesë si make up artist në Miss Kanada & Miss Teen Kanada, Fashion Make-up, Televizion and Film. Sigurisht që ndjehem shumë e sigurt në profesion për vetë eksperiencën që kam kaluar.

Dy fëmijë në Kanada, që flasin shqip shumë bukur, sa shqiptarë ndihen ata?

Fëmijët e mi jo vetëm që flasin shqip, por janë aktivizuar në komunitetin shqiptar. Vajza ka marrë pjesë si konferenciere në spektakle të ndryshme.

Si ndiheni kur vini në Shqipëri, a shihni ndryshime?

Kur vij në vendin tim ndjehem shumë mirë, sidomos kënaqem kur shoh që sa vjen Shqipëria po shkon në një progresivitet me hapa të shpejta.

Si ndjek zhvillimet në atdhe?

Zhvillimet në atdhe i ndjekim nëpërmjet internetit apo dhe kanalit televiziv shqiptar që ndodhet në Kanada, ku informohemi për çdo gjë.

A e ke menduar ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri të jetoni?

Nuk e mendoj të kthehem në Shqipëri, pasi ne jemi stabilizuar në Kanada, ku kemi ngritur dhe bizneset tona.

Kur ka qenë dita më e vështirë në jetë?

Kur humba Nënën… Dashuria për nënën nuk njeh kufij. Jo më kot sa herë njeriu ka dhimbje thotë vetëm nënë, nënë.

Po dita më e gëzuar?

Ardhja e fëmijëve të mi në jetë…Ata janë drita e syve. Pa fëmijë jeta nuk ka kuptim. Janë pasqyra e shpirtit që ta bëjnë jetën shumë të bukur.

Lidhjet tuaja me kafshët?

Unë i dua shume kafshët sepse të japin një dashuri pa kusht. Kam një qen të vogël në shtëpi që më çlodh sa herë vij nga puna. Megjithëse jam tepër e impenjuar në punë, gjithmonë shpenzoj kohë me Lucki-n, qenin tim të vogël duke e shëtituar si dhe duke luajtur me të.

Gjella e preferuar?

Byreku shqiptar.

Po Kanadaja a ka ushqimet e veta tardicionale?

Kanadaja është një shtet multikulturor. Ushqimet janë nga më të ndryshmet nga të gjitha vendet e botës. Por ushqimi im i preferuar është ai italian.

Veshja juaj e preferuar?

Sportive dhe klasike sipas rastit. Në punë vishem më shumë sportive.

Ku i bëni zakonisht pushimet?

Çdo vit i kaloj në vende të ndryshme të botës. Më pëlqen të eksploroj botën.

Çfarë bëni në kohën e lirë?

Lexoj, bëj palestër, shkoj në aktivitetet e ndryshme kulturore si opera, teatër si dhe në koncerte nga këngëtarë të famshëm që vijnë në Toronto.

Çfarë bën kur mërzitesh?

Hesht. Shumë herë heshtja flet më shumë se çdo gjë. Me heshtje shmnag zemërimin e tepërt, që të çon në tragjedi.

Parimi i jetës?

Jeto, qesh, dashuro.

Marre nga revista Femra Moderne, print.

femra-moderne.com