Me “Mall” Eugent Bushpepa ia ka dalë që të sigurojë një vend në finalet e 12 majit të Eurovision 2018 që zhvillohen në Lisbonë të Portugalisë.
Shpallja e Shqipërisë si finaliste e Eurovision u kthye në një dramë të vërtetë për fansat e Eugent Bushpepës, pasi renditja rastësore e finalistëve e nxori emrin “Albania” të 8-tin nga 10 finalistë që kalonin nga kjo mbrëmje.
Në finale ka kaluar edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Eleni Fureira, e cila përfaqëson Qipron në këtë Eurovision.
Bushpepa përfaqëson Shqipërinë me këngën “Mall”. Në performancën e tij ai u shoqërua nga instrumentistët Denis dhe Gerti Hima, Besnik Nikolli dhe vokalistet Erinda Agolli e Greta Radovani. Kënga “ Mall” u prit me ovacione nga publiku i pranishëm në mbrëmjen e parë të gjysmëfinales së Eurovision.
Në natën e parë të gjysmëfinales së Eurosong konkurruan 19 shtete: Azerbajxhani, Islanda, Shqipëria, Belgjika, Republika Çeke, Lituania, Izraeli, Bjellorusia, Estonia, Bullgaria, Maqedonia, Kroacia, Austria, Greqia, Finlanda, Armenia, Zvicra, Irlanda dhe Qipro. Në skenë u ngjit edhe shqiptarja tjetër, Eleni Foureria, e cila përfaqëson Qipron dhe gjithashtu u kualifikua në finale.
Në gjysmëfinalen e dytë do të interpretojë edhe shqiptari i tretë i këtij Eurosongu, Ermal Meta që do të përfaqësojë Italinë me “Non mi avete fatto niente”.
Finalistë që kaluan gjysmëfinalen e parë të Eurovision
Austria: Nobody But You nga Cesár Sampson
Estonia: La Forza nga Elina Nechayeva
Qipro: Fuego nga Eleni Foureira
Lituania: When We’re Old nga Ieva Zasimauskaitė
Izraeli: TOY nga Netta
Çekia: Lie To Me nga Mikolas Josef
Bullgaria: Bones nga EQUINOX
Shqipëria: Mall nga Eugent Bushpepa
Finlanda: Monsters nga Saara Aalto
Irlanda: Together nga Ryan O’Shaughnessy
TCH