Britani, fushatë për zhdukjen e pecetave të lagura

Pecetat e lagura do të duhet të zhduken nga qarkullimi në dy dekadat e ardhshme.

Qeveria britanike ka njoftuar planet e saj për eliminimin e mbetjeve plastike, që përfshijnë edhe produktet njëpërdorimshme si pecetat e lagura. Sipas argumenteve të saj, këto letra përmbajnë plastikë të padekompozueshme.

Për këtë, prodhuesit do të duhet të prodhojnë peceta pa plastikë në përbërje, ose konsumatorët do të duhet të bëjnë pa pecetat e lagura.

Pecetat e lagura rezultojnë shkaktare të 93 për qind të bllokimeve të kanalizimeve në Britani. Ato janë një element kyç i pengesave gjigante famëkeqe të njohura si “fatbergs”. Këto grumbuj të mëdhenj të ngurtësuar bllokojnë kanalizimet, thote “Water UK”, përfaqësues të të gjitha kompanive të ujësjellësit dhe kanalizimeve në ishull.

Kjo ka detyruar qeverinë dhe industrinë të fokusohen në fushatat bindëse ndaj konsumatorëve për të mos i hedhur ato në sistemin e ujërave të ndotur. “Jemi duke punuar me prodhuesit e letrave të lagura, që të sigurojnë se etiketimet në paketim të jenë të qarta dhe njerëzit të dinë sesi t’i përdorin ato më së miri”, tha një zëdhënës i Departamentit të Mjedisit (DEFRA).

Kryeministrja Theresa May gjatë janarit u zotua “të zhdukte të gjitha mbetjet e shmangshme të plastikës” deri në vitin 2042. Qeveria gjithashtu do të konsultohet mbi faktin nëse duhet apo jo t’i ndalojnë paketimet plastike të shumë produkteve.

femra-moderne.com