Me gjithe ato produkte dhe mjete qe na nevojiten per t’i rregulluar dhe per te patur vetulla perfekte, vetullat jane kthyer nje biznes me vete kohet e fundit.
Nje gruaje i duhen mesatarisht shtate minuta cdo dite per te perfeksionuar formen e vetullave, sipas tendencave me te fundit. Te pakten ne Britanine e Madhe. Por edhe shume femra shqiptare jane pjese e kesaj “levizje”… Por, le te mbetemi me kembe ne toke dhe te perpiqemi me mjetet e zakonshme, te kemi vetulla te persosura.
Vizatoni volumin
Vetulla duhet të jetë e përshtatshme me formën e fytyrës. Në një fytyrë katrore ose të rrumbullakët, duhet të jetë si një theks lakor: e vizatojmë vetullën për nga lart deri në mesin e saj, pastaj zbresim duke e holluar atë. Theksi është pak a shumë i vizatuar sipas vijës origjinale të vetullave.
Në një fytyrë ovale, bëjmë një vijë horizontale të gjerë, që nis në rrëzën e hundës, zgjatet deri në pjesën e jashtme të syrit dhe e kalon paksa. Në të gjitha rastet, vetulla është e gjerë në bazë dhe hollohet në skaj, për të hapur shikimin.
Mbushni linjën
Vetulla pa shumë qime ose tepër të holla? Mbushini! Aplikoni me pika një hijezues të veçantë ose lapsin me të njëjtën ngjyrë me rrënjët e flokëve tuaj. Nisuni nga skaji i brendshëm i vetullës. Këmbëngulni në zonat ku qimet janë të çelëta ose më pak të dendura. Zgjateni skajin tjetër disa milimetra, gjithmonë me pika, për një rezultat më natyral. Për ta shpërhapur ngjyrën, krihini vetullat nga lart, duke filluar nga cepi i brendshëm. Fiksojini me një rimel transparent.
Hiqni qimet e tepërta
Vetulla shumë të trasha? Së pari, hiqni qimet që ndodhen midis syve. Pastaj, hiqni qimet që dalin jashtë linjës natyrale të vetullave, pa e zhveshur së tepërmi, për të mos “e thyer”. Dhe, mbi të gjitha, mos i luani qimet që ndodhen mbi harkun e vetullës. Nga duhet filluar për të holluar vetullën, gjithmonë duke respektuar ekuilibrin e syrit? Për ta ditur, mbani një laps midis anës së hundës dhe cepit të jashtëm të irisit. Përtej zgjatjes së lapsit, filloni të holloni vetullën.
Prisni zgjatimet
Mendoni se vetullat tuaja janë pak si shumë të gjata? Krihini drejt pjesës së jashtme me anë të një furçeje dhëmbësh të pastër dhe të thatë. Pastaj pritini me shumë kujdes qimet që tejkalojnë linjën e vetullave. Pas çdo prerjeje, ndaloni, për të verifikuar në pasqyrë njëtrajtshmërinë e punës.
Përshtatni makijazhin
I shoqëruar me një makijazh të theksuar, “vetullat e mëdha” krijojnë një pamje të rreptë. Dhe në një fytyrë të palyer, shokojnë… Pra, bëni një makijazh të lehtë, me pudra në tonet e bezhës dhe të ngjyrës së trëndafiltë, në mënyrë që të ndriçoni shikimin. Nëse kërkoni diçka më të sofistikuar, vendosni për një vijë të lehtë lapsi të zi. Buzët duhet të jenë pak të lyera (pak shkëlqyes mjafton!) – mos harroni që theksi është vënë mbi shikimin tuaj.