Nga ekspozita e fundit e piktores Aurora Ndreu

“AURORA BOREALIS 2“ NË PRIZRENIN HISTORIK REFLEKTON DRITË, PAQE DHE DASHURI NJERËZORE

Lexoni edhe: Interviste/ Aurora Ndreu: Piktura, arti i bukur qe zgjoi endrren dhe plotesoi jeten time

Aurora Ndreu (Cakaj) – piktore e njohur nga Tirana, tashmë jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj, e cila  pas një ekspozite të suksesshme pikture në Muzeun Historik Kombëtar  Tiranë “Aurora Borealis 1 (Tetor 2017), vjen para artdashësve shqiptare me një tjetër ekspozitë  të dytë personale “Aurora Borealis 2” në Kosovë, me ftesë  nga Shoqata për kulturë  dhe art  Fidani  Prizren , z.Berat Batiu, Nexhat Cocaj si  organizatore  të kësaj ekspozite  në sallën  e shtëpisë kulturës  të Kulturës “Xhemajli Berisha”  dhe  mjediset e Teatrit profesionist  “Bekim Fehmiu”. Kjo ngjarje  i dedikohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe 140 vjetorit të Lidhjes  Shqiptare  të Prizrenit, në prani  të një numri  krijuesish artistik të cilët vlerësuan talentin artistik me vlera të larta krijuese. Ajo vjen   plot  dritë e pozitivitet  në qytetin  e bukur, artdashës  dhe  historik  te Prizrenit, ku me talentin e saj ka arritur të rrembejë interesin  e shumë specialisteve  dhe kritikeve të artit  pamor. Thuajse në të gjitha gjinitë e pikturës si  portret, kompozim, natyrë e qetë, peisazhe, por edhe pikturë abstrakte, ajo tashmë mund të konkurojë denjësisht me piktorët me të mirë. Figura e nënës dhe e femijës, e sjell aq bukur, hyjnore, në disa nga pikturat sjell ndjenjën e fortë njerëzore, mëmësine. Per tre ditë , artëdashesit e këtij qyteti te lashtë dhe historik, shijuan  punime që reflektojnë dritë, paqe, dashuri njerëzore.

Pse keni zgjedhur  Prizrenin për të  ekspozuar punët tuaja  në këtë ekspozitë. Cfarë vendi zë Kosova  në jetën tuaj artistike?

Para pak muajsh  kam qënë pjesë e një aktiviteti  sa njerëzor dhe human, që ka të bëjë me dhurimin e tre pikturave  në Prekaz, unë së bashku me piktorin e mirënjohur Sulejman Prrenjasi   vizituam  memorialin  dhe shtëpinë e bërë shoshë nga luftimet në  familjen e Jasharëve me 28 Nentor 2017. Më dukej sikur dëgjoja zërin  dhe britmat e femijeve të vrarë  në ato rrënoja. E kam realizuar portretin  e heroit Adem Jashari  me një frymë dhe mezi prisja ta dergoja atje  ku prehet  në fushë  pranë gjithë  anëtarëve  të familjes  së tij. Në pikturë  e doja  ashtu të gjallë, madhështor, i gatshëm per flijim. Ky aktivitet do mbetet i paharruar në kujtesën time për shumë kohë.

Kosova ka qenë e pranishme  gjithmonë në jetën time, në  veprat, romanet e tim eti, qyteti  im i lindjes është në kufi me Kosovën, Prizrenin. Gjithashtu  nëna ime  është me origjinë nga Gjakova. Në shtëpinë tonë në vitet ’78 mbaj mend  erdhën dy gazetarë, shkrimtarë, studiues  nga Prizreni z.Nexhat Cocaj dhe një  tjetër  në fshehtësi, pasi kufiri ka qënë i mbyllur  dhe nuk ishte aspak i lehtë kalimi në Shqiperi. Pas shumë vitesh  me mbarimin e luftës në Kosovë, pata fatin t’i takoj  dhe të flas me ta  dhe ta prek nga afër Kosovën e shumëdeshiruar, me saktë Prizrenin me ekspoziten time të dytë  personale   “Aurora Borealis 2“.

Pse keni zgjedhur  “Aurora Borealis” si  titull të ekspozitave tuaja?

Është një fenomen  i mrekullueshëm  që ndodh në hemisferën  e Veriut. Një  vallëzim i bukur ngjyrash që mbushin qiellin në një mënyrë tëpër mistike, me një shkëlqim të mbinatyrshëm. Ashtu jam dhe unë, një Aurorë e mbushur plot me ngjyra plot dritë e jetë.

Ju mereni dhe me poezi. Si mendoni  kanë lidhje me njëra tjetrën. Si vjen  poezia  te arti  pamor?

Arti, pasioni dhe talenti thonë se lindin me njeriun, por ndonjëherë ndodh  që talenti  shpërthen si uragan në një moment kyc në jetë. Ky shperthim të ndjek pas gjithë jetën. Kjo ndodhi me mua para 5 vjetësh kur humba babanë, heroin e jetës time. E gjithë kjo dhimbje u kthye në pasion për artin dhe pikturën dhe  kjo më bën te lumtur. Netëve të vona shkruaj poezi dhe i nderthur me pikturën. Kam lexuar shumë pasi në shtëpine tonë falë atit tim shkrimtar kishim një biblotekë shumë të pasur. Mendoj që poezia është e lidhur ngusht me pikturën, ndërthurja e tyre bën atë qe ne e quajmë art.

Ju jeni me profesion ekonomiste, jeni  bashkëshorte  dhe nënë  e dy fëmijëve.  A mendoni se ky profesion dhe obligimet tuaja në familje  ju pengojnë të merreni me pikturë?

Mundohem t’i bëj të gjitha, të jem një nënë e përkushtuar, bashkëshorte shumë e mirë dhe të jem korrekte në profesionin tim. Kur kam kohë të lirë merem me pikturë, e cila më shplodh gjithë stresin e ditës. Fokusohem te tabloja që kam përpara dhe nuk mendoj me asgjë, shkrihem me të. Me një pikturë të bukur shpesh dashurohesh, bëhet pjesë e jotja, nuk deshiron ta shesësh  apo t’ja dhurosh njeriu. Ajo mbetet aty në zemër përgjithmonë.

Cila është teknika  që ju  punoni?

Punimet i kam kryesisht në vaj. Kam eksperimentuar  me të gjitha por punimet në vaj janë shumë të bukura. Natyra gjithmonë me ka mrekulluar me gjithë dimensionin e saj,Kam vizituar disa vende te Europës, jam mahnitur me muzetë e Vienës, Hungarisë, vende këto me një kulturë të lashtë. Me pëlqen të luaj me dritën, në bardh e zi prandaj shpesh punoj me karbon duke krijuar figura. I dhuroj  portrete  miqve që me rrethojnë

Në punimet e mia ka shume blu, është ngjyra e piktorëve të mëdhenj, personifikim i qiellit, detit, hapesirës. Deti i jugut  më ka mrekulluar  gjithmonë. Sa  i  frikshëm, i thelle, aq dhe i dashur  dhe i bukur me kaltërsinë e tij. Shpesh kur ikim  me pushime  mbledh gurë  dhe punoj me ta mozaikë te mrekullueshëm  sic ishte punimi bregut  të Lukovës  dhe  i urës së gurit Prizren, dy punime qe u pëlqyen shumë nga të pranishmit në ekspozitë.

Ju rridhni nga një familje artistesh, cfarë do të thotë  të rritesh mes librave  duke qënë se jeni vajza e shkrimtarit të mirënjohur publicistit, romancierit Ferhat Cakaj. Cila ka qenë fëmijeria juaj cfarë mund të na thoni për këtë ?

Falë prindërve kam përjetuar një fëmijëri shumë të lumtur, e rritur plot dashuri e përkujdesje, në mes të librave, në studion e tim eti, ku mernin jetë personazhet dhe heronjtë e romaneve  në vite, ku dëgjohej si simfoni në mesnatë, rreshqitja e stilografit në  dorëshkrime,tik taku i orës  në mur dhe trokitjet në tastet e  makinës së shkrimit.

5 vite më parë  kam perjetuar me shumë dhimbje ndarjen nga jeta  të babait tim të shtrenjtë duke u zhytur në një hidhërim të thellë bashkë me familjen time.

Ekspozitat  sot  dihet që kanë një kosto financiare, kush ju ka ndihmuar në këtë drejtim?

Mendoj  që artistët, më saktë piktorët kanë nevojë për mbështetje financiare pasi është shumë e veshtirë të mbijetosh sot vetëm me pikturë. Shumë piktorë të njohur janë të detyruar të shesin punët e tyre të vecanta per të mbajtur familjen dhe kjo është e dhimbshme. Mendoj që në Shqipëri akoma nuk është kulturë blerja e nje pikture reale. Tregu eshte i mbushur me printime te ardhura nga Europa. Në rastin tim kam patur fatin që cdo gjë është përballuar nga familja, bashkeshorti dhe femijët e mi, që për mua janë mbështetja ime më e madhe, kam marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta si “Ngjyrat e familjes sime’’, ‘’Ikonografia Moderne” si dhe pjesmarrëse dhe fituese e shumë konkurseve online  ne botë.

Cilat janë synimet tuaja në të ardhmen?

Vazhdoj të punoj  shumë pasi  në vjeshtë  duhet të jem gati për celjen e ekspozitës sime të tretë në Tetovë, Maqedoni. Do ketë surpriza të reja, për këtë ju premtoj. Dua që me pikturën time të bashkoj  Shqiperinë –Kosovën dhe Maqedoninë, aty ku jetojnë shqiptarët, duke realizuar kështu ëndrrën time të madhe.

femra-moderne.com