Roli i muzikës në zhvillimin neurologjik të bebes

Një pyetje që e bëjnë shpesh shtatzënat është se “a bëhet më kreative, më e mençur ose më e zhvilluar bebja nëse dëgjon një lloj të caktuar muzike?”

Akoma nuk është e qartë se a ndikon roli i muzikës në zhvillimin neurologjik të bebes. Në fillim të viteve ’90 hulumtuesi francez Alfred Tomatis insistonte se ekziston “efekti Mozart” që do të thotë se nëse bebja brenda në mitrën e nënës dëgjon muzikë klasike, atëherë përmirësohet zhvillimi i trurit. Disa hulumtues tjerë mendojnë se ky përfundim është i ekzagjeruar dhe se nuk ka fakte se përmes këtyre intervenimeve in-utero, bebja bëhet më e mençur.

Por, a ka dallim nëse një shtatzënë dëgjon Bethoven, Rolling Stones apo dëgjon muzikë tallava?

Mendohet se nuk ka ndikim; një shtatzënë mund të dëgjojë gjithë ditën muzikë tallava dhe kur bebja të rritet mund të bëhet përkundrazi një këngëtar i muzikës klasike.

Sido që të jetë shtatzëna në asnjë mënyrë nuk duhet të vendosë kufjet në barkun e vet për t’ia bërë të mundur bebes të dëgjojë muzikë, sepse në këtë mënyrë çrregullohet ritmi i gjumit i bebes dhe rrezikohet rritja.

Related image

Edhe më herët është menduar (ndonëse nuk ka pasur fakte) se bebet e porsalindura mund të dallojnë zërat në një gjuhë të huaj nga zërat të cilët bebja është mësuar t’i dëgjojë sa ka qenë në mitrën e nënës. Ky përfundim është faktuar me studimin që është publikuar në janar të vitit 2013 në Acta Paediatrica. Sipas autores Christine Moon ky është studimi i parë i cili tregon se fetusi mësohet me disa zëra të gjuhës amtare edhe përpara se të lindë (pra akoma sa është në mitrën e nënës).

Është bërë një studim interesant për të vërtetuar, a ndikon në perceptimin fonetik, nëse bebja dëgjon një gjuhë të caktuar derisa është në mitrën e nënës. Studimi është kryer në Suedi dhe në SHBA. Janë studiuar reagimet e 40 bebeve në Suedi dhe 40 bebeve ne ShBA të cilat kishin lindur mesatarisht 33 orë më parë (pra pak më shumë se një ditë pas lindjes). Këtyre bebeve iu është dhënë një biberon i cili ishte i lidhur me një analizator kompjuterik. Gjatë thithjes bebeve iu janë lëshuar zëra me zanore karakteristike për gjuhën angleze dhe gjuhën suedeze dhe në mënyrë kompjuterike është analizuar se sa shpesh këto bebe e thithin biberonin. Zanore karakteristike për anglishten ishte zanorja “I” kurse për suedishten “Y”.

Rezultati ishte ky: bebet të cilat dëgjonin rrokjet e gjuhës amtare, reagonin ndryshe kur dëgjonin rrokjet e gjuhës joamtare. Kur bebet dëgjonin zanoret e gjuhës joamtare ato thithnin biberonin më shpesh, krahasuar me zanoret e gjuhës amtare të cilat i perceptonin si “të njohura” dhe kjo manifestohej me një qetësi dhe rehati më të theksuar të bebes.

Si përfundim, gjuha të cilën e kanë dëgjuar bebet brenda në mitrën e nënës ndikon në perceptimin e gjuhës së tyre amtare. Autor i këtij hulumtimi është Hugo Lagercrantz, profesor në Institutin Karolinska në Suedi.

femra-moderne.com