Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel qytetarëve që nëse dyshojnë se kanë disa shenja të fruthit, nëse nuk janë të vaksinuar dhe nëse kanë rënë në kontakt me një person të sëmurë t’i drejtohen mjekut.
Sipas ministrisë, në këto raste ju duhet të bëni vaksinën e fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin.
- Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar.
- Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.
- Virusi i fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar dhe persona të tjerë.
”Gjatë ditëve të fundit ka një fluks të shtuar në konsultoret dhe qendrat tona shëndetësore për vaksinimin e fëmijëve. – tha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. “Një apel për të gjithë prindërit: Ndiqni kalendarin e vaksinimit për fëmijët tuaj. Mbrojtja më e mirë ndaj fruthit dhe sëmundjeve të tjera që sjellin komplikacion është vaksinimi!”, tha Manastirliu.