Janë jo të paktë në numër ata të cilët janë të prekur nga sëmundja e diabetit, por nuk e dinë dhe për pasojë nuk marrin as mjekim. Nisur nga ky fakt, mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji i cilëson të dhënat aktuale për numrin e të prekurve veçse maja e ajsbergut. Ndaj, edhe për të kuptuar situatën reale, njëkohësisht dëmin që mund t’i shkaktojmë vetes nuk trajtohemi në kohë, është me rëndësi që të shikohet përtej asaj që dihet.
Nga statistikat e fundit, përllogaritet që në botë të jenë mbi 500 milionë njerëz me diabet, pa llogaritur këtu rastet me paradiabet apo rastet e padiagnostikuara. Ndërkohë, në vendin tonë, shton doktori, mendohet të jenë rreth 200 mijë pacientë që vuajnë nga kjo sëmundje. “Nga viti 1980 kemi 2,5 herë më tepër raste të prekura nga kjo sëmundje, ku ritmin më të lartë të rritjes e kanë vendet e varfra apo ato në zhvillim. Ky numër kaq i madh jo vetëm në vendin tonë, por ngado, vjen nga shumë shkaqe, ku më kryesoret janë: Mosvajtja për kontrolle periodike mjekësore, orientimi joracional drejt grupeve të riskut si edhe sensibilizim jo optimal dhe mosreagim të popullatës ndaj këtyre informacioneve”.
PARANDALIMI
“Me gjithë luftën shumëplanëshe kundër kësaj sëmundjeje në aspektin e formimit të trupës mjekësore, zbulimit të barnave të reja, infrastrukturës diagnostikuese dhe trajtuese, alokimit të fondeve të ndryshme, rezultatet mbeten akoma të pakënaqshme në frenimin e pasojave të këtij orteku social”, shprehet mjeku endokrinolog. Zakonet tona të përditshme, stili ynë i jetesës, janë aspekte të rëndësishme kur bëhet fjalë për diabetin. Ndaj, edhe çdo nismë për ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje duhet ta ketë zanafillën pikërisht këtu, duke i bërë qytetarët të kuptojnë rolin që luan regjimi ynë ushqimor dhe aktiviteti fizik.
Të parandalosh diabetin, do të thotë ta njohësh atë.
KOMPLIKACIONET
Edhe në rastin e diabetit, kërcënimi më i madh mbetet prekja dhe dëmtimi i organeve të tjera. Përveçse kosto shëndetësore, diabeti ka edhe kosto sociale dhe ekonomike.
Mosdiagnostikimi në kohë i diabetit sjell komplikacione të shumta, si në aspektin e rëndimit të menjëhershëm të kësaj sëmundjeje, po ashtu edhe në aspektin e dëmtimeve kronike në organizëm me kalimin e kohës. Dëmtimet e zemrës dhe të enëve të gjakut janë ato që ndodhin më shpesh te rastet e padiagnostikuara, por nuk mungojnë edhe dëmtimet e pamjes, të veshkave dhe të nervave. Rezultatet në frenimin e komplikacioneve do të ishin shumë më pozitive nëse sëmundja diagnostikohet në kohë dhe madje vitet e para të mjekimit janë gur themeli në menaxhimin afatgjatë të kësaj sëmundjeje, bën me dije doktori.
PARADIABETIKËT
Në kategorinë e personave që janë me diabet, por nuk e dinë, ka edhe nga ata, te të cilët sëmundja mund të konsiderohet “embrionale”. Paradiabeti është një gjendje e karakterizuar nga vlera të larta të sheqerit në gjak, pra, më të larta se norma, por jo aq sa për të diagnostikuar një gjendje diabeti efektiv.