Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë përgatitur udhëzuesin me këshillat që duhet të ndjekin veçanërisht kategoritë më të rrezikuara për të shmangur ndërlikimet e rënda në shëndet.
Moti i nxehtë që ka mbërthyer vendin prej javësh ka shtuar fluksin e pacientëve që u janë drejtuar urgjencave spitalore me komplikacione. Të sëmurët kronikë, moshat e treta si dhe fëmijët e vegjël janë ndër grupet që kanë pasur më shumë nevojë për ndihmën e bluzave të bardha për shkak të ndërlikimeve të shkaktuara nga vapa në shëndetin e tyre.
Specialistët e ISHP-së rekomandojnë:
- Konsumoni sa më shumë ujë,
- shmangni konsumimin e alkoolit dhe pijeve me kafeinë,
- vishuni lehtë dhe në përshtatje me motin,
- rralloni lëvizjet,
- mbani freskët shtëpinë tuaj,
- shmangni qëndrimin në hapësirat e mbyllura
Sipas specialistëve, efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt. Këto efekte do të varen nga koha e ekspozimit ndaj diellit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit. Gjithashtu, këto efekte do të varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore.