Dieta SIRT duket të ketë qenë fjala më e kërkuar në internet dhe kryefjala e revistave online, pas publikimit të lajmit të Adele pak ditë më parë. Rrëfimi i artistes 31-vjeçare sesi humbi 22 kilogramë vetëm duke ndjekur një regjim strikt ushqimor, ishte drita në fund të tunelit, që shumë vajza kërkojnë. Adele, pohoi se e urrente të ushtrohej në palestër dhe vetëm falë mbajtjes së dietës SIRT, arriti të humbiste kilogramët e tepërt.
Këtu keni gjithçka që duhet të dini në lidhje me dietën Sirtfood, nga shkenca që qëndron pas saj deri tek ushqimet që duhet të hani.
SIRT FOOD janë disa ushqime që janë të pasura me sirtuinë, një lloj proteine që mbron qelizat e trupit tonë nga degradimi ose plakja. Këto ushqime luftojnë inflamacionin, përshpejtojnë metabolizmin dhe djegien e yndyrnave.
Vera e kuqe dhe çokollata e zezë (mbi 70% kakao) njihen si ushqimet më të mira të kësaj diete sepse kanë përqëndrimin më të lartë të këtyre proteinave.
Megjithatë në regjimin tuaj duhet të përfshini agrumet, molla, majdanozi, kaperi, boronica, çaj jeshil, soja, luleshtrydhet, shafrani i Indisë, vaj ulliri, qepë të kuqe, dhe lakra kale.
Si funksionon dieta SIRT
Sipas nutricionistëve ju duhet të kufizoni konsumin e kalorive. Javën e parë duhet të merrni vetëm 1000 kalori, (nga pirja e tre gotave lëng, receten e gjeni në fund të artikullit) dhe vetëm një vakt të pasur me proteina.
Javën pasuese ju konsumoni 1500 kalori në ditë dhe konsumoni dy vakte të pasura me ushqime si dhe dy gota lëng me jeshillëqe. Por në planin afatgjatë , dieta SIRT nuk është një regjim i shëndetshëm që duhet ndjekur pasi është shumë kufizues. POR sipas nutricionistëve është pikënisja e një stili më të shëndetshëm të të ushqyerit.
RECETA E SMOOTHIET TË GJELBËR
- 75 gr lakër kale
- 30 gr rukola
- 5 g majdanoz
- 150 gr selino
- Gjysmë molle jeshile
- Lëngun e gjysmë limoni
- gjysmë luge çaji çaj matcha.
I përzieni të gjitha në blender dhe e konsumoni lëngun e freskët.
Burimi: Living