Me sandale ose shapka me gisht, kembet jane me te ekspozuara se kurre gjate veres. Në këtë stinë, doni, s’doni, jeni e detyruar të kujdeseni për këmbët tuaja. Si thoni, fillojmë?
Bëni nxehje duke praktikuar pak gjimnastikë te “tabanët”
- Në ato pak centimetra që është këmba juaj përqëndrohen 26 kocka, 33 nyjëzime, 114 ligamente dhe 20 muskuj. Rregulli numër një që ato të jenë në maksimumin e tyre është t’i mbani në formë. Ja gjimnastika e duhur për këmbët.
- Vendosni nga një top tenisi poshtë këmbëve dhe rrotullojeni për 3-4 minuta, duke shtuar presionin. Po të kryhet përditë forcon muskulaturën dhe aktivizon qarkullimin.
- Ose: shtrihuni dhe ngrijini këmbët duke i mbajtur të tendosura dhe paralele. Ngrini menjëherë majën e këmbëve (në formë çekiçi) dhe përsëriteni disa herë. Bëjeni për 5 minuta, një ditë po dhe një ditë jo.
- Tani kaloni te gishtërinjtë. Vendosni në tokë disa objekte të vogla (një laps, një gomë) dhe përpiquni t’i kapni me gishtat e këmbëve. Për çfarë nevojitet? Për t’i mbajtur falangjet elastikë dhe të zhdërvjelltë.
Ecni zbathur në rërë
- Përfitoni nga pushimet në det për të shëtitur zbathur në plazh. Uji duhet të arrijë deri te kaviljet. Stimulon në mënyrë të njëtrajtshme çdo strukturë të këmbës, kështu ligamentet bëhen më elastike, muskujt më të fortë dhe nyjëzimet më të lirshme. Kështu mund të përmirësoni ecjen dhe gjithashtu ekuilibrin.
Nuk është e vërtetë që takat dëmtojnë
- Vazhdojmë me ecjen. Nëna juaj, sa herë që ju sheh me ato takat 12 cm, ju thotë: “I dërrmove këmbët dhe shpinën!”. Më në fund, tani mund t’i thoni që ka të drejtë vetëm pjesërisht. Në fakt, sipas një studimi, nuk janë takat e larta që shkaktojnë artrozën në gju: rreziku i vërtetë vjen nga kilet e tepërta.
- Edhe pse mbajtja përditë e tyre nuk bën mirë. Më mirë mbajini për 3-4 orë maksimumi, përndryshe shkaktojnë dhembje në tendina, përveç disa shqetësimeve në pulpa.
Nëse prekin pikërisht thembrën e Akilit
- Po ecnit dhe ndjetë një dhembje therëse, sikur ju fut një gozhdë në thembër? Ka shumë mundësi që bëhet fjalë për një defekt në thembër që prek të gjitha aktivitetet që i ekspozojnë indet e kësaj zone ndaj mikrotraumave.
- Mundohuni ta bëni këtë ushtrim përditë nga 5 minuta: rrini drejt, këmbën përthyejeni prapa, kapni këmbën dhe shtyjeni sa më shumë të jetë e mundur drejt vitheve.
Më duket se më ka hyrë thoi në mish
- Dreqi e mori! I keni prerë shumë cepat e thonjve (sidomos ato të gishtave të mëdhenj të këmbës) dhe kështu një cep ka filluar të rritet nën lëkurë, direkt në mish. Për të zbutur dhembjen, bëni një banjë këmbësh në ujë të ngrohtë dhe kripë (mjafton një grusht për litër) për një orë. Kur mishi të jetë më i butë, ngrini anësoren e thoit dhe fusni një shkop i cili do ta mbajë të ngritur për 3-4 ditë sa të rritet.
- Farmacisti mund t’ju këshillojë edhe një pomadë me antibiotik. Nëse nuk e bëni dot vetë, shkoni te specialisti dhe ai do t’jua heqë thoin e futur në mish. Pas disa ditësh nuk do të ndieni më asgjë. Por mos vishni këpucë me majë për disa muaj.
- Thoi i gishtit ju ka hyrë në mish? Mesoni se si te veproni duke klikuar ketu.
Po krijohen kallo? Ne fillim zbuti
- Jemi ende në temën e këpucëve me majë. Do të flasim për ato pjesët e forta që formohen në pjesën e jashtme të gishtave të vegjël? Për të zbutur dhembjen, mos i acaroni me gërshërë dhe limë. Filloni t’i zbusni duke i futur këmbët në ujë me kripë. Më pas aplikoni një krem me bazë acid glikolik 10 përqind: do të zhduken në më pak se një javë.
Si t’i drejtoni ato gishtat rebelë
- Shikoni e pikëlluar këmbët e nënës suaj dhe thoni me vete: “Kështu do të më bëhen edhe mua?”. Gishti i brendalakuar, i cili është përgjegjësi, vihet re sidomos te femrat. Shkaku kryesor është mbingarkesa e këmbës, e shkaktuar nga këpucë shumë të larta.
- Edhe pse është e vërtetë që kjo ndodh pas 40 vjetëve është mirë që ta parandaloni. Por si? Duke bërë ushtrime për të mbajtur elasticitetin nyjor të gishtërinjve dhe duke mbajtur këpucë me taban të gjerë.