Lëkura, për të qenë e butë dhe e lëmuar, ka nevojë për formula hidratuese dhe mbrojtëse
Si të ndërhyjmë
Për të ndaluar tharjen është i nevojshëm një përdorim i rregullt i një trajtimi për fytyrën dhe trupin që të kenë në bazën e tyre agjentë hidratues dhe ushqyes si vajra vegjetalë, dyllë, kripëra deti, acid ialuronik, ekstrakte kamomili, vitaminë E etj. Produktin mund ta zgjidhni me formula specifike në bazë të zonave të ndryshme të trupit që duhen trajtuar.
Mangësitë e lëkurës
Tharja e lëkurës së fytyrës dhe trupit varet nga faktorë të ndryshëm.
- Predispozita natyrale. Ka lëkura që në mënyrë natyrale janë të varfëra me yndyrë dhe ujë, që së bashku përbëjnë barrierën mbrojtëse të lëkurës.
- Pastrimi. Përdorimi i produkteve me veprim pastrues rrezikon filmin hidrolipidik që e ndihmon lëkurën ta mbajë ujin në brendësinë e saj. Edhe kontakti i gjatë me ujin e ngrohtë kontribuon në ashpërsimin e lëkurës.
- Kushtet e jashtme. Të nxehtët, të ftohtët, ekspozimi në diell dhe në erë, ajri i thatë i lokaleve me ajër të kondicionuar kanë një efekt tharës mbi lëkurën.
- Mungesë përkujdesjeje. Hidratimi është gjesti i parë i bukurisë së lëkurës; pa përdorimin e rregullt të një produkti hidratues, lëkura priret të humbasë përqindjen e saj më të mirë të hidratimit.
Fytyra
Thatësia, më tepër, është e interesuar për ato zona të cilat nuk janë të pasura me gjendra dhjamore si faqet, zona përreth syve dhe buzëve.
- Trajtimi që duhet të zgjidhni: përdorimi i një produkti hidratues zakonisht është i mjaftueshëm për të ruajtur përqindjen e duhur të hidratimit të lëkurës. Nëse lëkura paraqitet e thatë është e nevojshme që të ndërhyni me një trajtim i cili të ketë të kombinuar veprimin hidratues me efektin ushqyes. Zgjidhni një produkt me ngjeshmëri të lehtë që lëkura të mos ju shndrisë nën makijazhin.
- Si ta përdorni: produktin e zgjedhur aplikojeni në mëngjes dhe në mbrëmje në lëkurën e pastër. Mjafton të vendosni një sasi të vogël kremi në ballë, pak te faqet, te hunda dhe në mjekër duke e masazhuar lëkurën lehtë, duke filluar nga qendra e fytyrës e duke u zhvendosur për jashtë.
Këmbët dhe krahët
Janë dy zona të trupit ku prania e gjendrave dhjamore dhe të djersës është e varfër. Këtë gjendje e përkeqëson edhe më tepër fërkimi me rrobat dhe çorapet.
- Trajtimi që duhet të zgjidhni: është me rëndësi që të ketë një përqëndrim të lartë të principeve aktive dhe ushqyese që në të njëjtën kohë të aplikohet dhe të përthithet me lehtësi.
- Si ta përdorni: është mirë që produktin ta përdorni të paktën një herë në ditë, por edhe dy herë nëse lëkura është e ashpër. Çasti ideal është ai pasi të kenë bërë banjë ose dush, kur poret e lëkurës, të hapura nga nxehtësia, janë gati ta përthithin produktin më së miri.
- Aplikimi duhet të shoqërohet me një masazh të shpejtë i cili kryhet me mollëzat e gishtave në drejtim rrethor, duke filluar nga poshtë dhe duke u ngjitur lart. Në përgjithësi, një aplikim është i mjaftueshëm: por nëse lëkura e thith produktin menjëherë, mund të procedoni me një aplikim të dytë.
Duart
Janë të veshura nga një lëkurë e butë e cila, e ekspozuar vazhdimisht ndaj të ftohtët në dimër, diellit në verë dhe në kontakt me ujin dhe produktet e bukurisë, e humbet menjëherë hidratimin duke u skuqur dhe plasaritur.
- Trajtimi që duhet të zgjidhni: ditën përdorni produktet me ngjeshmëri të lehtë si krem xhel dhe produkte të lëngshme. Përthithen shpejt dhe nuk lënë gjurmë. Kremrat e yndyrshëm janë të këshillueshëm për natën, përpara se të shkoni për të fjetur.
- Si ta përdorni: kremi i duarve mund të aplikohet në mëngjes dhe në mbrëmje, madje shumë herë në ditë. Aplikimi duhet të shoqërohet me një masazh me pëllëmbën e njërës dorë në shpinën e dorës tjetër dhe duke vazhduar me fërkime të shpejta për disa sekonda.
Këmbët
Thembrat, kaviljet, pjesët poshtë gishtave shpesh thahen duke u bërë të ashpra dhe duke u plasaritur.
- Trajtimi që duhet të zgjidhni: është ideal kremi i pasur me vajra dhe dyllë vegjetalë, të cilët kanë veti ushqyese dhe zbutëse.
- Si ta përdorni: në fillim bëni një banjë këmbësh me ujë të ngrohtë për të zbutur lëkurën dhe hapur poret. Aplikoni pak produkt në shpinën e këmbës dhe pak te shputa: kremi depërton me anë të disa fërkimeve të lehta me duar: më pas aplikoni një sasi produkti te thembrat dhe masazhojini me lëvizje rrethore derisa thembrat të përthithin produktin. Nëse këmbët janë të plasaritura dhe të ashpra mund të aplikoni një sasi të bollshme kremi përpara se të shkoni në shtrat. Vishni një palë çorape prej pambuku duke e lënë produktin të veprojë gjatë gjithë natës në mënyrë që të zbusë lëkurën.