Edmond Tupja i shkruan leter djalit te tij autik

“Kur dhimbja premton dashuri” eshte nje nga librat e shkruar nga Edmond Tupja, ku flet per jeten e Gesit, djalit të tij, i cili vuan nga autizmi. 

“Ges, ti i ke dhënë një kuptim të ri jetës sime, unë mësova prej teje të kuptoj Tjetrin, të mposht vetveten, egon time, sa herë që kjo është e domosdoshme; mesova të heq dorë nga shumë gjëra në emër të dashurisë që ushqej për ty, të të dua edhe kur ti me godet, edhe kur ti më gërvisht, pra, edhe kur më dënon e ndëshkon me dhunë; mësova të luftoj ndryshe, edhe kur e di që nuk do të fitoj, mësova ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën me syrin, veshin, hundën e dorën tënde dhe kështu, ta kuptoj duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjes se tjetrit, aq më tepër kur tjetri je Ti!

Sigurisht, Ges, unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të t’i plotësoj të gjitha, që nuk po të shkëpus dot nga autizmi, të kërkoj të falur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde, të kërkoj te falur që nuk jam i pavdekshem, por i përkohshëm ashtu si edhe nëna jote, sepse brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme, ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t’u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri. E di, ti nuk ke as motër e as vëlla, ke vetëm një gjysmë vëlla nga ana ime, por që jeton prej vitesh në Kanada dhe që atje e ka ndërtuar jetën e vet; sot kanë ardhur kohë të tilla që njerëzit vdesin të vetmuar, madje edhe prindër që kanë lindur, rritur e nxjerrë në jetë dy, tre, katër a më shumë fëmijë, sepse, siç thuhet, secili ka fatin e vet.

Po ty, po sivellezerit e simotrat e tua me autizëm, çfarë fati ju pret? Sikur të paktën të kishte institucione për të vetmuarit si ti, si të tjerët që të ngjajnë, në mënyrën që ne, prindërit e tu, prindërit e tyre t`i mbyllnim sytë të qetë deri diku duke menduar se ti, djali ynë, se femijët e tyre me autizëm, nuk do të ndiheni të braktisur, edhe më të vetmuar sesa jeni sot që ne jemi ende gjallë.

Ges, unë nuk jam besimtar, megjithatë, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë, pasi ti më kishe dendur me grushta e flakur përtokë si një thes me kashtë të kalbur, rashë në gjunjë dhe i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit, Rastësisë, Natyrës apo Zotit, pak rëndesi ka: “ O Ti, i Mistershmi, i Gjithpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më dëgjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L, si shumica e fëmijëve të kësaj bote, të kësaj jete! Bëje normal që ai të jetë të paktën i zoti i vetes, të arrije të mbijetoje edhe kur të gjendet përfundimisht vetëm pas vdekjes së prindërve te tij. Plotësoma këtë dëshirë dhe jam gati të ta fal jetën time!

Të ta fal jetën time? Kjo do të ishte fare e thjeshtë për mua, madje do te ishte diçka parajsore, sepse TI e di, për mua përtejvdekja, pra, pavdekësia, është zinxhiri i trashëgimtarëve: Gesi njeri normal, i biri ose e bija e Gesit, nipat e mbresat e Gesit e keshtu, nga hallka në hallkë, deri sa të ketë jetë mbi rruzullin tonë tokësor. Atëherë, bëmë që të vuaj tmerrësisht, që të gjitha sëmundjet më të llahtarshme të botës të bien mbi mua- sidë, lebër, Alzheimer, kancer, skizofreni, delirium tremens etj., etj. – njëra me e mynxyrshme se tjetra, dhe unë të jetoj duke vuajtur, duke lënguar, duke u përpëlitur njëkohësisht si në nëntë rrathët e Ferrit te Dantes dhe duke kaluar nga njëra torturë në tjetrën, vetëm e vetëm që Gesi të bëhet normal, a më dëgjon, NORMAL!”

 

Ti je lënda ime e lënduar

Brenda shpirtit të shpërbërë,

Brenda zemrës së zemëruar,

Brenda ëndrrës plot me rërë.

Ti je kënga grykë prerë,

Shija ime e shituar,

Mjalti im i pandërprerë

Akullnajë e përvëluar.

Ti je kryqi im i ndritur,

Bukuria e burgosur,

Mrekullia e paarritur

Ankthi im i përsosur

*Living

Edmond Tupja është përkthyes dhe shkrimtar, autor tekstesh universitare, vëllimesh me poezi e prozë në shqip dhe frëngjisht, leksikograf, publicist e kritik përkthimesh, laureat çmimesh kombëtare e ndërkombëtare, ka shqipëruar vepra të shkrimtarëve francezë dhe ka përkthyer në frëngjisht autorë shqiptarë si I. Kadare etj.