Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho ka fituar çmimin e publikun në International Opera Award.
Ky çmim për sopranon shqiptare është dhënë në ndarjen e çmimeve në Teatrin Savoy në Londër. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter “The Opera Awards.
“Çmimi i Publikut në Opera Awards 2016 është, e mrekullueshmja Ermonela Jaho”, shkruan The Opera Awards.
And the #OperaAwards2016 Readers' Award winner is … the fabulous @ErmonelaJaho.
— The Opera Awards (@TheOperaAwards) May 15, 2016
Ajo u nominua në Reader`s Award, në fillim të muajit mars. Fituesi u përcaktua nga mbledhja e votave nga mbarë bota. Nga rezultati, shqiptarja ka mbledhur numrin më të madh të votave edhe pse ishte konkurrente përballë figurave të shquara të artit rus dhe latin. Ajo mposhti konkurrencën e forte të yjeve si: Danielle De Niese, Joyce Di Donato, Michael Fabiano, Gerald Finley, Juan Diego Flórez, Dmitri Hvorostovsky dhe Eva-Maria Westbroek.
Ky çmim i cili iu dha Ermonela Jahos, në fushën e operas, rëndit sopranen si shqiptarja e parë që fiton Oscar për këtë kategori. Me rastin e ndarjes së çmimeve Ermonela Jaho interpretoi “Un Bel Di” nga Madama Butterfly.
Pas marrjes së çmimit ndërkombëtar, Ermonela Jaho tha: “Jam shumë e emocionuar në këto momente. Falenderoj gjithë shqiptarët që votuan për mua dhe publikun që më ndjek në çdo anë të botës. Kushdo që përkushton gjithë jetën drejt pasionit të tij, është gjithmonë fitues”.
Ky çmim për yllin shqiptar të muzikës operistike është i pari që një artist shqiptar merr në nivele të tilla kaq të larta, vlerësohet si çmim “Oscar” i muzikës operistike në botë.