Në moshën e ndryshimeve të mëdha, është normale që adoleshentët të dyshojnë edhe për veten e tyre.
Ajo largohet nga orët e fiskulturës, sepse ndjehet e ngathët. Ai nuk pranon të bëjë banjë dhe të shkojë te berberi… Adoleshentët që nuk kanë besim te vetvetja, janë tepër kritikë ndaj trupit të tyre. Transformimet fizike, normale për moshën e tyre, nuk u përshtaten, i fshehin nën rroba të gjera dhe nuk guxojnë të dalin me rroba banje në palzh apo pishinë, ose të përdorin pantallona të shkurtra gjatë orëve të fiskulturës.
Përtej komplekseve fizike
Mungesa e besimit në vetvete mund ta pengojë adoleshentin të krijojë lidhje me të tjerë të moshës së tij. Kjo mungesë mund të jetë edhe shkaku i pasivitetit të tij në klasë, i mosdisiplinimit ose agresivitetit, etj.
Falë dashurisë dhe vëmendjes së prindërve, vetevlerësimi ndërtohet normalisht gjatë fëmijërisë së hershme. Por mund të ndryshojë në kohë, në funksion të etapave që kapërcehen, si kalimi në adoleshencë, hyrja në gjimnaz. Adoleshenti kalon në një botë të re; notat kanë më shumë rëndësi, i duhet të përballet me shikimet e më të mëdhenjve, etj. Dy apo tre rezultate të këqija dhe besimi në vetvete fillon të fusë ujë!
Kujdes me ngacmimet
Në këtë moshë u ngelet shumë shpejt hatri! Prandaj, është mirë që të mendoheni dy herë para se t’i ngacmoni për karakterin ose sjelljen e tyre! Mund të bëni shaka në mënyrë të sjellshme përsa i përket prerjes së flokëve ose veshjes. Por as edhe një fjalë përsa i përket kileve të tepërta ose madhësisë së hundës!
Ja këshillat për t’u përmirësuar humorin
Mos ngurroni t’i përgëzoni. Në përgjithësi, ekziston prirja për të vënë në dukje ato gjëra që s’shkojnë, sesa të kundërtën, ndërkohë që komplimentet bëjnë shumë mirë për moralin. Dhe, një avantazh i mirë ky, duke nënvizuar shpesh cilësitë e një fëmije, duke i sinjalizuar atë që do t’i duhet t’i përmirësojë, e ndihmojmë atë ta njohë më mirë veten
Ruani dialogimin. Interesohuni për shijet dhe aktivitetet e tij, me të vërtetë dhe pa e nënvlerësuar. Nuk ju pëlqen muzika tekno? Thoni që nuk ju pëlqen dhe jo “Nuk vlen!”
Bëni dallimin e fëmijës nga nxënësi. Adoleshenti po kalon një periudhë të keqe në gjimnaz? Mos harroni gjithashtu arritjet e shkëlqyera sportive dhe karakterin e tij të gëzueshëm! Shkolla nuk duhet të jetë në të gjitha diskutimet që bëhen në shtëpi.
Bëjeni të përgjegjshëm. Jepini mundësinë që të veprojë vetë, duke e lënë të udhëtojë vetëm me tren, duke i dhënë ide që të kalojë pushime më të pavarura, etj.
Mos i ngjisni etiketime. Nëse është dembel, mos ia thoni. Kjo nuk do ta ndihmojë aspak të shkundet. Do të arrijë aty sa të bindet për këtë dhe të formëzohet në këtë imazh.
Ndihmojeni të pajtohet me trupin e tij. Nëse adoleshenti/ja e ndjen veten shumë të shëndoshë, propozojini të këshillohet me një mjek, që të bjerë në peshë. Ndihmojeni, pa përdorur autoritet të tepërt, të zgjedhë veshjet e tij/saj.
Mos lejoni që t’ju vërë këmbët mbi kokë! Edhe pse ka dalë moda që prindërve t’u flitet si shokëve, mos i lejoni aspak devijimet e gjuhës. Nëse prindërit kërkojnë respekt, i riu adoleshent do të ketë një imazh më të mirë të vetvetes.