Mesila Doda: Për Donikën, Vjosën, Mozën, Artën, Almën etj….

Nga Mesila Doda

Për Donikën, Vjosën, Mozën, Artën, Almën etj….

Pa dyshim ka një prani tjetër të gruas në politikë përgjatë kësaj dekade. Nëse disa vite më parë ishte domethënës protagonizmi femëror shpeshherë i pranuar edhe si mbështetje e dorzim pa kushte ndaj dëshirave të liderit partiak, tash ka një qasje të re, rebele, koshiente, e mbushur me dinjitet dhe pa kompromise, anipse e paguajnë me poshtërim, refuzim, dhunë verbale dhe nganjëherë edhe me atë fizike siç ishte rasti i Donikës.

Gratë shqiptare janë rritur në politikë. Janë rritur dhe guxojnë të refuzojnë e të shkojnë në limite kundërshtie, duke vënë në rradhë të parë pasojat sociale të veprimeve të liderve jo thjesht karrierën e tyre e cila qysh në fillim të JO-së së parë dihet se do kalojë një det me tallaze. Në fillimvitet 90’ pamë një sërë rebelimesh burrërore të politikanëve, të drejta por edhe parimore shpeshherë, edhe në kufijtë e guximit…por burrat rebelë u plakën (të tjerë edhe s’u plakën dot),e bashkë më moshën e vitet erdhi dhe konformizmi i duhur për tu rikthyer në shtëpinë nga ku ishin larguar, apo për të heshtur e për ti mbyllur një sy liderit në largim apo atij në mbretërim.

Sot është koha e grave që thërrasin, që tregojnë fajin e nuk heshtin më para poshtërsisë e hiles së rradhës të Sulltanit të partisë. Por nga vjen gjithë ky guxim e kjo qasje rebele femërore? Në opinionin tim kjo vjen së pari, sepse gratë janë të ndërgjegjshme që burrat nuk po drejtojnë thjesht keq, po drejtojnë në mënyrë katastrofike vendin, qofshin në pushtet apo në opozitë…dhe kjo do jetë një pasojë që do trashëgohet me brezni në këtë vend. Gratë më shumë se kushdo, kuptojnë që në këtë botë vijmë që të vëmë një tullë e ta bëjmë më të mire, ndaj kuptimin fundor të jetës nuk ja shesin dot e as ja bëjnë dhuratë kryetarit të partisë. Kjo botë duhet të bëhet më e mire!!! Ky vend duhet të bëhet më i mire për të jetuar, e më i drejtë dhe kjo nuk realizohet dot nëse lirinë tonë, shpirtin, dinjitetin, mënçurinë, dëshirën e mirë e vullnetin e vëmë nën këmbët e liderit të partisë.

Të dashura mike, shoqe, gra, që më frymëzoni me betëjën tuaj. Për sa kohë do jeni vetëm, për sa kohë do jemi vetëm, do jemi thjesht një kundërshtar i dobët e i bezdisshëm për Sulltanët e politikës. I vetmi hap për tu jetuar është ai që betejën e Mozës, Artës, Donikës, Vjosës, Majlindës, Almës e të tjerave ta jetojmë si betejën tonë, si fyerjen tonë, si sfidën e të gjithave ne.

Frikacak kryeministri shqiptar që guxon ti thotë mbyll gojën Mimoza Hafizit, edhe më zi ai i Kosovës që guxon të urdhërojë falangat të tërheqin zvarrë Donikën. Kjo është edhe beteja Jonë. Mesila

femra-moderne.com