Kastraveci, ja pse eshte zarzavatja me e mire per stinen e veres

Kastraveci ka shumë pak kalori, pothuajse zero, dhe shumë, shumë ujë. Çfarë doni më shumë dhe një gjë më të mirë për të ngrënë poshtë çadrës? Ideal për të shuar urinë, për t’u rihidratuar dhe pastruar

I pasur me kripëra minerale

Kastraveci përmban më shumë ujë se limonata: 96,5 g ujë në 100 g kastravec. Eshtë i përsosur për të rihidratuar organizmin pas një djersitjeje. Përveçse të furnizon me ujë, ai përmban një sasi të konsiderueshme kaliumi (140 mg për hektogram). Ai ka një shije shumë të mirë edhe kur centrifugohet.

A doni një aperitiv me të vërtetë të veçantë? Provojeni ta përzieni me lëng domateje ose speci, në një përzierje të aromatizuar me xhenxhefil dhe selino.

Mik i lëkurës

Falë vetive të tij hidratuese, zbutëse dhe freskuese, kastraveci luan një rol të rëndësishëm edhe në fushën e kozmetikës. Në shtëpi mund të përdorni si tulin, ashtu edhe lëngun. Aplikojeni në formë komprese në fytyrë dhe trup: lehtësojnë pjesët e skuqura dhe të acaruara nga dielli ose nga era. Për të arritur rezultate të mira, përsëriteni trajtimin 2 herë në ditë (për të paktën 20 minuta). Por, nëse keni mundësi, mbajeni kompresën gjatë gjithë natës.

Shumë pak yndyrna

Vetëm 14 kkal. Kaq të jep një hektogram kastravec. Por jo vetëm që është pak kalorik: ai të ngop dhe ushtron një veprim diuretik dhe pastrues. Për të mos folur për mungesën e yndyrnave: ka vetëm gjysmë gramë për çdo hektogram.

Nëse ju ngec në stomak

Jeni ndër ata që e kanë të vështirë ta tresin kastravecin? Hajeni me gjithë lëkurë: përmban substanca që stimulojnë tretjen (kujdes, zgjidhni kastravecë të freskët me lëkurë të hollë). Për të përmirësuar tretjen, mund ta prisni në rrota të holla, vendosini në një kullojse, lyejini me kripë dhe prisni gjysmë ore. Duke bërë kështu, kastraveci e humbet ujin dhe pasi ta keni shpëlarë dhe tharë, është gati për përdorim.

Zgjidheni mirë

I gjatë, i hollë dhe jeshil i theksuar. Pavarësisht nga varieteti që zgjidhni, është mirë që kastraveci të mos jetë as shumë i madh e as shumë i vogël, me një lëkurë ngjyrë të njëtrajtshme, pa pjesë të zbardhura. Nëse është i qullët do të thotë që tuli është i lëngshëm, s’ka shumë shije dhe, ka shumë mundësi të ketë shumë fara.

Ne kuzhine: Përdoreni kështu

  • Pasi ta keni larë, qërojeni dhe priteni në feta, shtojini te sallatat e përziera (është shumë i mirë me sallatën jeshile, domatet, ullinjtë dhe qepën).
  • Ose grijeni dhe hidhjani kosit, me hurdha dhe kopër: është një antipastë e freskët dhe e shijshme.
  • Por kastraveci gjithashtu shkon shumë edhe me salmonin e tymosur.

femra-moderne.com