Dr. Lira Gjika: Në ngjarjen me Anjezen, të humbur ishin vetëm fëmijët

Psikologia dhe pediatria Lira Gjika flet per ngjarjen e rende qe ndodhi para pak ditesh. “Në këtë ngjarje ngjethëse, të humbur ishin vetëm fëmijët, i pari djali që provoi dhunën, i dyti, fëmija që nëna iu kthye në kuçedër dhe ai që nuk ka nënë tjetër dhe të tretët, fëmijët e kopështit të cilët përjetuan skenën që të rriturit e ngritën me “inteligjencë të madhe”, por pa përfillur fëmijët.”

Dr. Lira Gjika
Dr. Lira Gjika

Një baba i pushtuar nga inati, harron frikën që provon e përjeton fëmija i tij, kur i vërsulet pronare Anjeza. Fëmija i përdorur si ai peshku i vogël karrem për të kapur peshkun e madh, rri i vetëm dhe dridhet. Të gjithë që e panë videon u rrënqethën nga duart e fëmijës që dridheshin, por babi nuk kishte kohë sepse ishte triumfues mbi kuçedrën. Babi harroi që me kuçedrën nuk u përball ai, por u përball i biri i tij 3 vjeçar, ndërsa ai rrinte në shtëpi dhe priste “haberin”.

r fat të keq edhe nëna e fëmijës, që si Ajkuna e legjendës e cila thau bjeshkën nga dhimbja dhe mallkimi, por nuk e shpëtoi djalin e saj, ndenji pasive. Një baba që nuk di ta zgjidhë problemin vetë, por ngre kurth duke futur të birin brënda dhe një nënë që nuk di të mbrojë fëmijën e saj dhe duke plotësuar kuadrin, me Anjezën, një e rritur që nuk mund të dojë fëmijët, përfshirë dhe fëmijën e vet.

Siç thotë populli ai që do fëmijën e vet do dhe fëmijën e tjetrit, dhe ai që nuk do fëmijën e tjetrit, nuk mund të dojë as fëmijën e tij. Në këtë ngjarje ngjethëse, të humbur ishin vetëm fëmijët, i pari djali që provoi dhunën, i dyti, fëmija që nëna iu kthye në kuçedër dhe ai që nuk ka nënë tjetër dhe të tretët, fëmijët e kopështit të cilët përjetuan skenën që të rriturit e ngritën me “inteligjencë të madhe”, por pa përfillur fëmijët.

Ajo që të tmerron në këtë histori, është shfrimi kolektiv dhe harresa kolektive e përgjegjësisë dhe e analizës së asaj që ndodhi. Të gjithë flasin në emër të fëmijëve, por asnjërit nuk i shkon në mend, për fëmijët që përjetuan zhvillimin e ngjarjes. Asnjë prind që kishte fëmijën në atë grup, nuk u ngrit të thoshte një fjalë apo të kërkonte llogari, si u lejua një gjë e tillë kur fëmija i tij ishte aty. Në këtë ngjarje është shkelur gjithçka, ligj dhe çdo e drejtë e fëmijëve.

Prandaj të rritur! Ju që shfryni nëpër fb, jo se nuk keni të drejtë, por nuk është më e mira gjë për tu bërë. Kjo është një gjëndje alarmante dhe koha nuk duhet harxhuar me shfrime, por duke u përpjekur të kuptojmë ce çfare duhet të bëjmë dhe si ta zgjidhim këtë problem që po na gryen. Lira Gjika.

femra-moderne.com