Si mundet një krem “të frenojë” veprimin e diellit? Në dy mënyra: nëpërmjet filtrave kimikë dhe me ekranet fizike. Të parët janë substanca kimike dhe pengojnë veprimin e rrezeve UVA dhe UVB. Ndërsa ekranet janë mikrogrimca minerale që rikthejnë, pikërisht si me pasqyrë, dritën ultravjollcë. Ideale është të zgjidhni një produkt që i përfshin të dyja. Me një këshillë të vetme: në lëkurat e ndjeshme, filtrat kimikë mund të shkaktojnë reaksione alergjike. Nëse zgjidhet një krem (ose vaj) që përmban vetëm ekrane fizike, duhet ta teproni me sasinë e aplikuar. Në fakt, grimcat minerale, në formën e pluhurit të krem, shpërndahen në mënyrë johomogjene. Dhe kur aplikohet produkti, mund të ndodhë që disa zona të trupit të mbeten më pak të mbrojtura se të tjerat.
Të gjithë numrat e rrezeve UVB
- Dihet që një krem diellor me mbrojtje 50 është për lëkurat më delikate. Por çfarë tregon ky faktor? Si ta zgjedhim?
- Numri i stampuar në konfeksion, ndjekur nga sigla spf, tregon nivelin e mbrojtjes nga rrezet UVB, ato më të fuqishmet. Ekzistojnë tre mënyra për ta përcaktuar, por ndryshimet nuk janë substanciale dhe, edhe duke blerë një krem nga ana tjetër e botës, mbrojtja e treguar në konfeksion është pak a shumë e njëjta.
- Për të përcaktuar spf-në, një nga mënyrat e aplikuara nga shoqëritë kozmetike është ekspozimi i një pjese të vogël lëkure, nga vullnetarët, ndaj një drite të ngjashme me atë të diellit. Pastaj pritet që kjo zonë të skuqet dhe, menjëherë, përsëritet eksperimenti në një tjetër zonë, por që kësaj here është e mbrojtur me krem diellor. Raporti midis këtyre dy rezultateve jep raportin e mbrojtjes, që na tregon se sa kohë mund të qëndrojmë në diell pa u djegur.
- Praktikisht, nëse ju duhen 20 minuta në diell për t’u skuqur, me një krem me spf 4 duhet ta shumëzoni këtë kohë me 4: mund të qëndroni shtrirë deri në 80 minuta. Por duhet patur parasysh djersa, të larët në det dhe fërkimi me shezlongun ose peshqirin. Prandaj këshillohet të zgjidhni një produkt me faktor më të lartë nga sa mendohet se është i përshtatshëm për lëkurën tuaj. Dhe ta përsëritni aplikimin çdo dy orë.
- Për të gjetur kremin e përshtatshëm për ju, duhet të dini se cilit fototip i përket lëkura juaj, d.m.th si reagon ajo në diell. Fototipi varet nga karakteristikat gjenetike personale. Për ta llogaritur bazohesh te ngjyra e syve, flokëve dhe e lëkurës. Dermatologët kanë gjetur gjashtë fototipe.
Nje krem super
Edhe pse pjesa më e madhe e kremrave të diellit mbron edhe nga efektet e rrezeve UVA, në këto produkte nuk tregohet asnjëherë treguesi i mbrojtjes kundër këtyre rrezeve. Kjo ndodh, sepse, duke qenë se nuk shkaktojnë dëme të dukshme dhe të menjëherëshme, si rrezet UVB që shkaktojne djegie, efektet e rrezeve UVA janë më të ndërlikuara për t’u testuar. Megjithatë, japonezët ia kanë dalë mbanë. Në të gjithë kremrat diellorë të Shiseido-s, për shembull, ka kode që tregojnë efikasitetin e mbrojtjes nga rrezet UVA. Ekziston sigla PA, ndjekur nga + (mbrojtje minimale), ++ (mesatare) ose +++ (maksimale).