“Të kam parë vetëm një herë në jetë shpirt i vogël, teksa luaje tek këndi për fëmijë në një lokal pranë Pedonales, në Tiranë. Ti, ishe e gjallë, plotë jetë dhe e pafajshme, ashtu sikurse të gjithë fëmijët aty pranë. Kishe flokë të errët, fytyrë të bardhë dhe mjaft e shkathët.
Për një moment nuk e dija se kush ishin prindërit e tu, më saktësisht nëna jote. Instinkti gjithmonë më çon teksa shoh fëmijë të pashoqëruar, se kush është nëna, gjyshja, babai, kujdestarja që e shoqëron. Për një çast dëgjoj një zë. “Hajde këtu”, kthej kokën dhe shoh se ishte një person publik, të cilën më shumë se sa nga ekrani e kam njohur në ambientet e televizionit ku punonte. Vajza e saj kishte moshën e djalit tim të madh, dhe me ndjeshmërinë e nënës, sytë më vajtën tek personi që e thërriste, ulur, këmbë mbi këmbë, flokë të mbledhura dhe një palë syze të errëta.
Sa mirë, mendova me vete, paska fëmijë të mbarë dhe të dëgjueshme. Kaq mendova t’i kushtoja vëmendje Anjezës, për të cilën me thënë të drejtën nuk do më shkonte kurrë në mend se brenda pak ditëve do e shihja nga këndi i lojërave, prapa hekurave. Ngashërimi që ajo drejtoi drejt togave të zeza, ishte për vajzën e saj 3 vjeç.
Ndaj, si nënë, unë dua ti drejtoj një mesazh të voglës D.
Ti zemër e vogël, ke fatin e keq të mos kesh pranë aromën, ngrohtësinë, dashurinë e një nëne. Sot më shumë se kurrë, ti kërkon që ajo të të ushqejë, të luani, të qeshni, të pushoni në bregdet, pse jo të çmendeni nga lumturia se jeni bashkë dhe të lumtur. Por, shpirt i vogël, kjo nuk do të ndodhë, dhe ti nuk ke asnjë faj. Do të shkosh sërish të luash tek lojërat dhe do të pyesësh se ku është mami, e do të të japin argumente të cilat vetëm do të të bindin, por jo të të thonë të vërtetën.
Jam e bindur se Anjeza e vuan largimin nga vajza e saj, dhe ky është dënimi më i madh shpirtëror që mund ti jepet. Si nënë e dy fëmijëve të mitur, jam e bindur se ndërgjegjia e saj ka filluar të reflektojë për të gjithë mëkatet që ka bërë në këtë muaj të shenjtë Ramazani, si besimtare.
Shpresoj që drejtësia nga ana e saj të vendosë drejt, ashtu sikurse ka bërë gjatë ditës së djeshme. Shpresoj që D. e vogël të gjejë ngrohtësinë e familjarëve të tjerë, derisa nëna e saj të shlyejë pagesën morale dhe financiare kundrejt familjes e cila po vuan pasoja të tmerrshme.