Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, në 7 gusht do të shkojë në Kosovë, ku dy ditë më pas do të mbajë koncert bamirësie në Parkun e Gërmisë në komunën e Prishtinës.
Babai i Dua Lipa, Dukagjin Lipa, njëheresh edhe drejtor Ekzekutiv i Republika Communications, bëri të ditura edhe detajet e koncertit të Duas. “Kam kënaqësi të veçantë për anoncimin e parë të koncertit të Duas që po bëhet në vendlindjen time në Prishtinë, ku edhe ajo e ndien vetën shumë prishtinase, prandaj edhe organizimi i koncertit duam të jetë sa më i mirë. Ky koncert është koncert i bamirësisë, pasi kërkesa e Duas ka qenë që të gjitha të ardhurat materiale, si prej shitjes së biletave, sponsorëve, e donatorëve të ndryshëm do të shkojnë në fondacionin e bamirësisë, fondacion i regjistruar nën patronazhin e Duas që quhet SannyHill Fondunation”, tha Lipa.
Dua Lipa ka lindur në Londër në vitin 1995. Familja e saj emigroi në Angli në fillim të viteve ’90, për shkak të dhunës dhe represionit që pushtoi vendin e tyre. Kur ishte 11 vjeç, Dua transferohet në Prishtinë, deri në moshën 15-vjeçare, kur vendos të rikthehet në Londër për të ndjekur pasionin e saj për muzikën. Frymëzimi më i madh i këngëtares së re ishte babai i saj, Dukagjini, i njohur në Kosovë me bandën e tij të muzikës rock, ODA.
Rrjeti mediatik i famshëm e me influencë në publik BBC, e ka vendosur këngëtaren e re në listën e atyre artistëve që i quan, “Sound of 2016″. Zëri me ngjyrë të errët, i ngjashëm me legjendat e muzikës soul dhe jazz, i ka dhuruar adoleshentes me pamjen engjëllore, atributet e një ylli të vërtetë që pritet të shkëlqejë në botën muzikore.