Një studim i publikuar ditet e fundit përcaktoi kombet më të gjatë dhe më të shkurtër në botë, ku bie në sy gjatësia mesatare e holandezëve (1,83 metra) dhe shkurtësia mesatare e grave guatemalase (1,49 metra).
Ndërkohë, gratë më të gjata janë letonezet (1,7 metra), një centimetër më të gjata se burrat më të shkurtër, të cilët janë ata të Timorit Lindor, sipas këtij studimi.
Kërkuesit në Imperial College në Londër analizuan të dhënat nga më shumë se 200 vende për të vlerësuar gjatësinë e njerëzve të lindur mes viteve 1896-1996.
Lartësia e njeriut është e ndikuar fuqishem nga të ushqyerit dhe faktorët e mjedisit, edhe pse faktorët gjenetikë mund të luajnë një rol kryesor në disa individë. Fëmijët dhe adoleshentët të cilët janë më të mirë ushqyer dhe jetojnë në mjedise më të mira priren të jenë shtatlartë.
Studimet tregojnë se shëndeti i nënës dhe menyra e saj e të ushqyerit gjatë shtatzënisë mund të luajë një rol të rëndësishëm në shtatlartësinë e fëmijëve te saj.
“Të qenit i gjatë ka lidhje me jetëgjatësinë, arsimimin dhe të ardhurat”, thonë autorët në studimin e tyre. Gjatësia gjithashtu ka pasoja të përjetshme. Disa studime kanë zbuluar se njerëzit shtatlartë priren të jetojnë më gjatë, të marrin një edukim më të mirë dhe të fitojnë më shumë. Por, shtatlartësia mund të rrisë edhe mundesitë e disa rreziqeve shëndetësore, pasi studime te ndryshme e lidhin lartësinë me një rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit ovarian dhe të prostatës.
Me rezultatet e arritura, studjuesit duan të kenë një pamje të shëndetit të çdo kombi gjatë 100 viteve të fundit, ku gjatësia ka lidhje me popullsitë më të shëndetshme.
Rritja më e ndjeshme është parë te gratë koreanojugore dhe burrat iranianë, që janë rritur mesatarisht 20,2 dhe 16,5 centimetra, ndërkohë që ndryshime të vogla janë vënë re në vendet afrikane subsahariane dhe në Azinë e Jugut.