Statistikat e ISHS tregojne se prinderit nuk po zgjedhin emra shqiptare per femijet e tyre…
Prej disa kohësh është kthyer në trend e në modë që fëmijët që sapo vijnë në jetë, të marrin emra të cilët nuk kanë origjinë shqiptare. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e fundit nga Instituti Shqiptar i Statistikave, prej së cilit del se asnjë nga 20 emrat më të përdorur për fëmijët e sapolindur nuk ka rrënjë shqiptare.
Nga 35,760 fëmijët e lindur në Shqipëri në vitin 2014, statistikat tregojnë se emri “Amelia” për vajza ishte më i përhapuri, pasi u zgjodh 363 herë, ndërsa një version i ngjashëm me të, “Amelja”, u zgjodh 166 herë. Emra e tjerë të huaj për vajza në listën e vitit 2014 janë Ajla, Melisa, Klea, Sara, Kejsi, Noemi, Alesia dhe Leandra.
Kur vjen puna te emrat më të përdorur për meshkuj, Noel ishte në krye, i zgjedhur 490 herë në vitin 2014, ndërsa Joel renditet i dyti, i zgjedhur 483 herë, ndërsa derivati i tij Xhoel ishte përdorur 116 herë. Emra të tjerë të përhapur për djem shqiptarë atë viti ishin: Mateo, Ergi, Luis, Aron, Samuel, Roan dhe Roel.
Trendi për të përdorur emra të huaj pritet të vazhdojë ndërsa emrat shqiptarë për të sapolindurit bëhen gjithnjë e më pak të dëshiruar, raporton Birn. Kështu intelektualët janë të shqetësuar. Edmond Dragoti, profesor sociologjie në Universitetin e Tiranës, tha për BIRN se trendi ndaj emrave të huaj nisi dekada më parë në Shqipëri dhe tani është në kulmin e tij.
Dragoti e konsideron fenomenin një trashëgimi të keqe të të kaluarës komuniste në Shqipëri, kur emrat e huaj për të sapolindurit ishin të ndaluar dhe t’i vije fëmijës tënd emrin e një ylli të famshëm kinematografie apo autori nënkuptonte telashe të mëdha politike për familjen. Agron Tufa, një shkrimtar dhe profesor letërsie në Universitetin Tiranës thotë se vendosja e emrave të huaj është një goditje për identitetin kombëtar.
Po ju, jeni me shume per emra shqiptare apo te huaj?