Kur ishte gjallë, Nënë Tereza cilësohej si “një shenjtore e gjallë”, pas 19 vjetësh nga vdekja e saj merr zyrtarisht këtë titull gjatë ceremonisë në sheshin San Pietro në Vatikan me 4 shtator 2016.
Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim rrace, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.
Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.
Jeta e Nënë Terezës
Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u bë më njeriu më popullor në botë për shkak të manifestimit të ndjenjës së humanizmit. Ajo kaloi 45-vjet në shërbim të plotë të varfërve, të të sëmurëve, jetimëve duke ofruar dhe kërkuar ndihma për ta në mbarë botën.
Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18 vjeçare, e nxitur nga dëshira për t’u bërë misionare, Gonxhja u largua nga shtëpia atërore për të hyrë në Institutin e Motrave të Loretos. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë.
Më 10 shtator 1946, gjatë shtegtimit me tren nga Kalkuta, në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, motër Tereza, profesoreshë gjeografie në shkollën e mesme të vajzave, ndjen thirrjen në thirrje. Del nga mjediset e qeta të Institutit drejt e në rrugë të madhe, ku e thërret zëri i Krishtit. Bëhet e varfër, në mes të varfërve, si Zoti, të cilit ia kushtoi gjithë jetën.
Më 17 gusht 1948 vesh për herë të parë sarin e bardhë me vija blu të grave të varfëra indiane. E veshur me këtë rrobe të përvuajtur, me këmbët mbathur me sandalet, më pas simbol i shtegtimeve të saj në lagjet më të varfra të mbarë botës, ajo nisi t’i kërkonte të varfërit më të varfër nëpër të gjitha skutat e Planetit.
Nënë Tereza u vendos në Kalkuta, ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.
Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve ’90.
Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë
Në 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tirane. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën.
Shtëpia e parë e Misionarë të Bamirësisë në Shtetet e Bashkuara ishte themeluar në Bronksin e Jugut, Nju Jork; deri më 1984 asambleja punonte në 19 institucione gjatë gjithë vendit. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë: Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindishte.
Shqiptarja trupvogël ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë.
Titujt
Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes.