Ne fillim zbuloni se cfare karakteri keni dhe me pas mesoni se si mund ta permiresoni
Tmerresisht e përpiktë, shumë e ndrojtur, tepër sipërfaqësore, hiperkritike…Një nga këto karakteristika që përmendëm përputhen me karakterin tuaj? Lexoni më poshtë dhe do ta kuptoni. Do të mbeteni e njëjta, por do ta doni veten tuaj më shumë
E mbyllur
Mos kini frikë nga intimiteti
“Kurrë mos i thuaj një mashkulli që e do, se përndryshe ta piu lëngun!”: kjo është këshilla që më ka dhënë gjithmonë ime më. Më ka mbushur mendjen që një femër nuk duhet kurrë të shprehë emocionet e saj. Por nuk më ka paralajmëruar që, nëse dikush më thotë “të dua”, nuk mund të bësh sikur s’ka ndodhur gjë. Nuk më ka thënë që ndonjëherë edhe mund ta lëshosh veten, të shprehësh atë që ndien, pa u ndëshkuar. Kështu largova të vetmin njeri që kam dashur ndonjëherë: u lodh duke patur pranë vetes një vajzë që nuk arrinte të shprehte spontanisht atë që ndiente për të”. Genta, 26 vjeçe
Profili
Genta e ka kuptuar vetë origjinën e problemit të saj: një nënë e mbyllur, e pasigurt në vetvete, e paaftë për të shprehur ndjenjat e saj. Ndoshta edhe ajo është fryt i një familjeje të rreptë, ku shprehjen e dashurisë, zemërimit e të xhelozisë e konsideronin si diçka jo korrekte. Por një karakter kaq i mbyllur nuk shkakton probleme vetëm në dashuri: bllokimi emotiv të bën të kesh frikë nga lidhjet shumë të ngushta edhe midis miqve, madje shkon deri te fëmijët apo prindërit. Një lloj trashëgimie “e keqe”, një ndjenjë që do të trashëgohet nga brezi në brez. Derisa dikush ta këpusë këtë zinxhir.
Këshilla e duhur
Janë prindërit ata që duhet t’u bëjnë të ditur fëmijëve të tyre të kuptojnë që janë të denjë për t’u dashur, dhe kështu mund të shprehin ndjenjat dhe emocionet pa patur frikën se do të zhgënjehen. Meqë fëmijëria nuk mund të “rijetohet”, mënyra më e mirë për të mundur frikën e gjykimit të të tjerëve konsiston në kërkimin e rasteve që të vërtetojnë se sa të denjë jemi për t’u dashur e respektuar. Në dashuri ajo që ka më shumë rëndësi është spontaneiteti.
E ndrojtur
Përfshihu edhe ti në turmë dhe thyej akullin.
“Kur shkoj me pushime, 10 ditët e para i kaloj duke parë të tjerët se si argëtohen. Por, kur dikush më afrohet, menjëherë skuqem dhe mendoj se çfarë gjëje nteresante shikon ai tek unë…” Manjola, 21 vjeçe
Profili
Gjendja e Manjolës duket e ngjashme me atë të Gentës. Por ndrojtja mund të luftohet më me lehtësi sesa paaftësia për të shfaqur ndjenjat. Manjola duhet të kuptojë që me sjelljen e saj humb shumë raste për t’u dëfryer, rritur e njohur njerëz të rinj.
Këshilla e duhur
Duhet të keni kurajon për të guxuar, edhe nëse bëni një figurë të keqe. Në rastin e Manjolës, rasti i pushimeve është i përkryer: duhet të përfshihet në turmë. Ku, në diskotekë?
Mbyllni sytë dhe shkoni në pistë. Në plazh? Afrohuni për të njohur atë grupin e të rinjve. Nëse ia dilni një herë, keni fituar.
E ankthshme
Ata qeshin, unë vuaj dhe qaj
“Për ankthet që kam, fëmijët dhe bashkëshorti im qeshin e bëjnë shaka. As që e kuptojnë që unë vuaj. Unë duhet ta di patjetër se ku janë, çfarë po bëjnë dhe si janë…Eshtë një ferr i vërtetë për mua”. Drita, 41 vjeçe
Profili
Edhe Drita, ashtu si Donika, ka nevojë për siguri dhe do që të ketë gjithçka nën kontroll. Edhe kur i shoqi apo fëmijët vonohen pak nga orari i përditshëm atë e zë ankthi. Ferri i vërtetë është ky në të cilin ajo jeton. Por edhe familja e saj mund të vuajë: me çfarë gjendje shpirtërore fëmijët e saj do të guxojnë të ikin nga shtëpia për të kërkuar rrugën e tyre?
Këshilla e duhur
Bota është e mbushur me pasiguri dhe asnjë nënë mund të ndalojë fëmijët e saj të jetojnë eksperienca të papëlqyeshme. Bëni kështu: fikeni celularin tuaj për një ose dy orë, pastaj gjithë ditën. Kur ta ndizni do të kuptoni që asgjë e rëndë nuk ka ndodhur. Kështu do të fitoni sadopak siguri dhe qetësi në vetvete.
Sipërfaqësore
“Sido që të jetë, do të mendojë dikush tjetër për këtë punë… Unë nuk do ta quaja veten sipërfaqësore, por besimplotë. Kam besim se pas meje do të jetë dikush që do t’i rregullojë katastrofat e mia.
Deri tani më ka shkuar shumë mirë; jeta është një lojë, mjafton të kesh fat…” Nida, 18 vjeçe
Profili
Ndoshta edhe për shkak të moshës së saj të re, Nida është e frymëzuar nga një vizion “çudibërës” i jetës. Ndoshta ajo ka një familje që e ka mbrojtur gjithmonë. Duke u larguar nga “kujdestarët” e saj, po kupton që jo të gjithë janë të gatshëm të falin karakterin e sipërfaqshëm të saj. Nëse në gjimnaz mund t’ia keni dalë mbanë me pak zgjuarsi dhe dinakëri, në jetë provimet janë më të vështira dhe kërkojnë më shumë angazhim. Por në vetën e parë.
Këshilla e duhur
Nida duhet të sforcohet të “shikojë” përtej së ardhmes së menjëhershme, në një perspektivë më të gjerë. Bën pjesë në procesin që na bën të kalojmë nga shpërkujdesja e fëmijërisë në moshën madhore. Duhet të kuptojë që veprimet e sotme mund të ballafaqohen me ato që do të ndodhin nesër: për shembull, nëse në gjimnaz ka mësuar me hope, në universitet do të detyrohet të punojë më tepër.
Pedante
Ah, sikur të tjerët të ishin si unë!
“Nuk e kam fare problem ta pranoj: jam shumë e ngjitur. Më pëlqejnë që gjërat të bëhen mirë, me korrektësi. E kam vdekje kur puna zvarritet. Kam besim vetëm te gjërat që bëj vetë: e di që po i thashë dikujt të bëj një punë, më pas do të më duhet ta kontrolloj se si është bërë dhe ndoshta ta bëj nga fillimi. Kjo gjë po fillon të më shqetësojë. Një ditë, kur po shkoja drejt makinerisë së kafesë, dëgjova një kolegen time që po u thoshte shoqeve të tjera: “Lëvizni, se përndryshe do të na thotë të lajmë edhe gotat e plastikës!”. Donika, 34 vjeçe
Profili
E besueshme, e përpiktë, ideale si punonjëse dhe bashkëpunëtore, por, siç e pranon edhe vetë Donika…rrodhe! Nevoja për të patur të gjithë dhe gjithçka nën kontroll, ju bën të jetoni keq, në një gjendje tensioni të përhershme. Jo vetëm kaq, kush rri pranë një gruaje si Donika ndihet gjithmonë i gjykuar dhe i “dënuar” për gabimin më të vogël. Kjo lloj sjelljeje është shkaktare e dy problemeve: i pari u përket marrëdhënieve me të tjerët, që mund të çojnë deri në prishjen e atyre marrëdhënieve. Ndërsa problemi i dytë i përket sferës personale: duke mos qenë asnjëherë e kënaqur nga rezultatet, do të mbeteni gjithmonë e zhgënjyer. Punët sa vinë e shtohen dhe asgjë nuk është “e përkryer” ashtu siç do të dëshironim.
Këshilla e duhur
Vlerësoni mundin e të tjerëve: kjo është detyra e Donikës. Të hiqni dorë nga siguritë tuaja mund t’i hapë rrugën një paniku të vërtetë. Nëse problemi arrin në këto nivele, keni nevojë për një psikolog. Por nëse ndiheni thjesht në siklet përballë “papërsosmërisë” së të tjerëve, duhet të ushtroni te vetja njëfarë “dhune”. Për shembull, detyrojeni veten të mbyllni gojën dhe të mos flisni kur diçka nuk shkon sipas planeve tuaja: kështu do të kuptoni që nuk ka për të ndodhur ndonjë katastrofë e madhe. Dhe më pas duhet të përpiqeni që ato detyra që ju i quani delikate, t’ua besoni të tjerëve. Duhet të keni besim tek të tjerët: dhe të tjerët do të bëjnë të pamundurën për të mos ju zhgënjyer.
Shume kritikuese
Nuk është faji im që jam e sinqertë
“S’kanë pse të zemërohen: kur nuk më pëlqen një gjë, nuk më pëlqen, s’kam ç’t’i bëj. Janë të tjerët që duhet të kontrollojnë ndërgjegjen e tyre. Dhe nëse nuk janë dakort, më keq për ata. Unë nuk hesht”. Silva, 28 vjeçe
Profili
Silva kështu rrezikon të mbetet e vetme. Madje, edhe miqtë më të ngushtë, herët a vonë, mund të lodhen me këtë sjellje të saj! Sinqeriteti është një virtyt i mrekullueshëm, por nuk është më kur kthehet në mungesë edukate. Ndonjëherë njëfarë falsiteti parapëlqehet më tepër. Dhe të lejon të jetosh më mirë.
Këshilla e duhur
Cila është karakteristika më tërheqëse e qenies njerëzore? Aftësia për të gabuar. Sikur Silva të sforcohej të mos dilte aq shpejt në përfundime, mund të kuptonte që një gabim zbulon brishtësinë e atij që e bën, por nxjerr në dritë edhe aspekte të pamenduara. Sigurisht që, nëse diçka nuk ju pëlqen, keni shumë të drejtë të shprehni mendimin tuaj. Por me tolerancë e respekt.