Vajza që aktualisht është 21 vjeçe, ishte denoncuar si e humbur nga familjarët e saj në maj të vitit 2010.
Që prej vitit 2010 kohe, as familja dhe as forcat e policisë nuk kishin arritur të binin në gjurmët e saj deri dy ditë më parë, raporton “Panorama”. Ajo është Fationa K., ishte vetëm 15 vjeçe kur u largua nga shtëpia dhe askush nuk mundi të lidhej me të, apo të mësonte diçka rreth fatit të saj.
Prindërit e saj patën dyshime se vajza edhe mund të ishte trafikuar për qëllime prostitucioni dhe madje për këtë arsye bëri denoncim në komisariatin nr.4 rreth 6 vite më parë. E megjithatë, askush nuk mundi të zbulonte se në çfarë rrethanash u largua dhe ku ka qëndruar gjatë gjithë këtyre viteve. Derisa mbrëmjen e së mërkurës, pas një informacioni të siguruar nga oficerët e komisariatit nr.4, u arrit të gjendet vajza e dyshuar, edhe pse karakteristikat fizike kishin ndryshuar shumë në krahasim me gjashtë vite më parë, kur u denoncua.
Ajo u konstatua duke pirë kafe në një lokal në afërsi të Rrugës së Dibrës. U shoqërua për t’u marrë në pyetje në komisariat, ku shpjegoi arsyet e largimit nga shtëpia. Vajza tha se kishte ikur me dëshirë e nuk donte që të kthehej më. Policia lajmëroi edhe familjarët për gjetjen e saj, të cilët menjëherë u paraqitën në rajon.
Dëshmia
Vajza 21-vjeçare është marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga oficerët e policisë rreth arsyeve të largimit të saj nga banesa dhe nëse është shfrytëzuar për prostitucion gjatë kësaj kohe, ashtu sikurse pretendonin familjarët e saj.
Mësohet se Fationa K., ka mohuar pretendimet e familjes, madje i ka fajësuar ata për vendimin që ajo mori gjashtë vjet më parë, kur ishte adoleshente. Vajza ka pretenduar se prindërit e pengonin që ajo të dilte dhe të jetonte njësoj si shoqet e saj, madje herë pas here ushtronin edhe dhunë psikologjike ndaj saj. Për këtë arsye ajo thotë se ishte larguar me dëshirë dhe kishte vendosur që të mos fliste më me familjarët e saj. Ajo ka treguar se fillimisht ka qëndruar te një shoqe, më pas ka filluar punë dhe ka jetuar vetëm në një shtëpi me qira. Ndërsa së fundmi tregon se ka krijuar një lidhje me një djalë dhe bashkëjeton me të. Ndërsa këmbëngul që nuk do të kthehet më te familjarët e saj, me të cilët nuk ka pranuar as të ballafaqohet në komisariat.