Stephen Hawking, astrofizikani i njohur britanik, ka alarmuar se njerëzimi do të zhduket brenda një mijë viteve në qoftë se nuk gjendet ndonjë planet tjetër për të jetuar. Në konferencën e mbajtur në Oxford Union në lidhje me universin dhe origjinën e njeriut, ai tha se njerëzimin e pret e një e ardhme e errët.
Në 50 vitet e fundit janë rritur në mënyrë drastike njohuritë e njeriut mbi universin
“Jam i lumtur nëse kam dhënë sado pak kontribut. Eksperimentet që vazhdojne me entuziasëm dhe pasion të madh nga shkencëtarët, do të mundësojnë që universin ta kuptojmë më mirë. Po ashtu, me ndihmën e superkompjuterit siç është Cosmos, do të mund ta hartojmë hartën e miliarda galaksive në univers. Në këtë mënyrë po ashtu do ta kuptojmë më mirë vendin tonë në univers”, tha ai.
Më tej, Stephen Hawking, i cili ia ka kushtuar jetën zgjidhjes së misterit të universit, shtoi: “Mbase një ditë mund t’i përdorim valët e gravitetit për të shikuar në thelbin e Big Bangut. Megjithatë, në të njëjtën kohë jemi të detyruar të kërkojmë vend në ndonjë planet tjetër për të ardhmen e njerëzimit. Ndryshimet klimatike dalëngadalë do ta sjellin fundin e jetës në Tokë. Nëse nuk gjendet ndonjë planet tjetër për të jetuar, nuk mendoj se njerëzimi do të mbijetojë në planetin tonë delikat.”
Duke u rekomanduar të rinjve në audiencë të punojnë në zgjidhjen e mistereve të universit, Hawking përfundoi:
“Mbajini sytë jo në tokë, por në qiell, në yje. Përpiquni ta kuptoni dhe ta shpjegoni atë që e shihni. Jini kureshtar. Mund të keni sukses sado që e vështirë të jetë. Ajo që është më me rëndësi është të mos dorëzoheni.”
Hawking, i cili nuk mund të lëvizë për shkak të Sklerozës Amiotrofike Laterale (ALS) me të cilën u diagnostifikua gjatë kohës sa ishte student në Universitetin e Kembrixhit, përdor teknologjitë kompjuterike për të komunikuar. ALS dëmton qelizat nervore të cilat gjenden në tru dhe palcën kurrizore, të cilat kontrollojnë muskujt.
Libri “Historiku i Kohës” nga Hawking ka arritur më shumë se dhjetë milionë shitje në tërë botën.