Përhapja e menjëhershme e virusit të gripit në popullatë ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të mbyllë çerdhet, kopshtet dhe shkollat në datat 4, 5, 6 dhe 7 janar, me qëllim frenimin e tendencës rritëse të numrit të njerëzve që po preken nga virusi.
Vendi ynë është përfshirë nga epidemia a gripit tanimë, pasi në një javë rezultojnë mbi 15 mijë të prekur që janë regjistruar. Numri mund të jetë edhe më i madh, pasi shumë qytetarë nuk paraqiten për të kërkuar ndihmën e mjekut. “Përhapja ishte e menjëhershme. Ka filluar që në dhjetor dhe është përhapur me shpejtësi. Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje muskujsh, këputje…”, thotë shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.
Virusi AH3N2 nuk është më agresiv nga virusi AH1N1 që qarkulloi në vendin tonë. Virusi ka prekur çdo moshë, por format më të rënda i kalojnë fëmijët e vegjël, të cilët kanë tejmbushur shërbimin e urgjencës në pediatri. Por, specialistët i kerkojnë të bëjnë kujdes të moshuarve dhe atyre që kanë sëmundje.
“Të gjithë personat që kanë sëmundje pulmonare apo probleme kardiake duhet të vaksionohen. Vaksina shpërndahet falas në qendrat shëndetësore”, shpjegon Bino. Sipas zonjës Bino, vaksina mund të bëhet në çdo kohë dhe mbron popullatën nga format e rënda të gripit, pasi edhe pse ende nuk ka asnjë rast humbje jete të konfirmuar në rrugë laboratorike deri më tani, gripi mund të shkaktojë edhe vdekje.
Nga ana tjetër, Insitutiti i Shëndetit Publik bën thirrje për të shmangur ambientet e mbyllura dhe kujdes të veçantë ndaj higjienës, si mos hedhja e facoletave vend e pavend apo larja e herëpashershme e duarve. Burimi: TCH