Organizimi i vakteve të ushqimeve që fëmija duhet të konsumojë duhet të jetë prioritet i prindërve.
Kujdesi për ushqimin e fëmijës fillon që me vaktin e mëngjesit. Studimet, gjithnjë e më shumë tregojnë se fëmijët që nuk konsumojnë vaktin e mëngjesit kanë rendiment të ulët në shkollë dhe mungesë të theksuar përqëndrimi. Lexoni ketu se cili eshte mengjesi ideal per femijet qe shkojne ne shkolle.
Ushqimi me vete
Pas mëngjesit, ushqimi që fëmija do të konsumojë në shkollë është i një rëndësie të vecantë, thote dietologia e njohur Blerina Bombaj. Parimi bazë është që të jeni në dijeni të ushqimit që ai konsumon dhe mundësisht të jetë i përgatitur nga ju.
Në varësi të orëve që do të kalojë në shkollë, duhet të jetë dhe ushqimi i marrë me vete. Për fëmijë që kthehen në shtëpi brënda 4 orëve është mëse i mjaftueshëm 1 frut si molla, banania dhe dardha. Për më shumë se 5 orë është mirë të merret me vete një sanduic me bukë të zeze të cilin mund ta kombinoni ne menyra te ndryshme.
Sanduic me bukë të zeze dhe…
- Ton, sallatë jeshile, domate, gjizë
- Veze, djathë të bardhë, domate
- Gjoks pule, sallatë jeshile, kastravec, salcë kosi
- Gjize, ullinj te bërë krem, speca të pjekur
- Ton, fasule të bëra në formë pureje, speca te kuq
- Ose biskota me tershere, fruta te thata dhe fara te ndryshme
Nëse fëmija juaj ushqehet me ushqim të ofruar nga shkolla, verifikoni:
- Përmbajtjen në fruta, zarzavate
- Llojin e mishit (p.sh. ushqime të përpunuara si salcice, sallamëra etj, në më të shumtën e rasteve përmbajnë konservues tepër toksik për fëmijët)
- Vajin e gatimit, cilësia e të cilit mund ta kthejë një vakt nga të ushqyeshëm në coroditës për metabolizmin e tij.
- Pijet që ofrohen të cilat nuk duhet të përmbajnë sheqer.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme është paisja e fëmijës me ujë me vete. Hidratimi i mjaftueshëm është shumë i rëndësishëm për funksionin e trurit dhe performancën mendore në përgjithësi.
Mos harroni, modeli jeni ju, në fund të fundit, cfarëdo që të themi, fëmijët do të ndjekin zakonet tuaja, në më të shumtën e rasteve. Jepni shëmbullin e mire.
Burimi: blerinadiet.al