Sot më 7 mars 2019 mbushen 132 vite nga krijimi i Mësonjëtores së parë Shqipe në qytetin e Korçës, një qytet me tradita patriotike dhe mësimdashëse në juglindje të Shqipërisë.
Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman. Ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije.
Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit. Në këtë shkollë jepeshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë.
Drejtuesit e parë të shkollës
Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës.
Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.
Jetëgjatësia e mësonjëtores se parë
Mësonjëtorja e parë shqipe pati një jetë 15-vjeçare, ku përballoi pengesat dhe vështirësitë e nxjerra nga pushtuesit otomanë dhe sidomos kleri, që kërkonte ndalimin e përhapjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron në faktin se ajo institucionalizoi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe krijoi një plejadë njerëzish, të cilët u bënë më vonë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar dhe shoqëror të vendit.
Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë Shqiptare në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.