Koha dhe peripecitë që kalova derisa pranova që tani jam edhe nënë!

Koha dhe peripecitë që kalova derisa pranova që tani jam edhe nënë! Burimi: Pernenat

Kur je shtatëzanë mendon se mund të hash gjithçka sepse të lejohet, sepse ajo peshë që je duke marrë deri tani i përket vetëm shtatëzanisë dhe se me lindjen e bebit gjithçka do të kthehet si më parë, me lindjen e bebit do të dalin edhe ato kilet e tepërta të cilat tani ndoshta të duken si diçka që nuk të përkasin.

Por në të vërtetë nuk ndodh kështu, dhe çdo grua duhet të jetë e ndërgjegjshme.

Pas shtatëzanisë jeni bërë nënë, nuk jeni më një vajzë dhe trupi juaj ka ndryshuar në mënyrë të tillë që t’i përshtatet më së miri zhvillimit të asaj krijese të mrekullueshme që është rritur brenda jush. Sigurisht që zhgënjimi është i madh duke qënë se pas lindjes fillojnë të vihen re edhe më shumë ato ndryshime të mëdha që kanë lënë shenja.

Lëkura mund të ketë strija, barku është i madh dhe i varur, lëkura jo më e freskët si më parë e kështu me rradhë! Mendoni se këto janë një realitet “ i hidhur”? Sigurisht që janë, por nuk duhet të harrojmë se janë një realitet dhe ju duhet të mësoheni të jetoni me të!

Nuk mund ta harroj asnjëherë nxitimin që pata gjatë lindjes së fëmijës së dytë për të vendosur korsenë edhe pse kisha vetëm dy ditë që kisha kryer një lindje me operacion çezarian. Mendoja se duhet të duroja gjithçka vetëm që ai bark të “zhdukej” nga trupi im, kisha nevojë që ai të mos ishte më aq i madh sa herën e kaluar. Mendoja se nuk duhej kurrësesi të bëja atë gabim që bëra pas lindjes së parë, mendoja se fryrja do të zhdukej si me magji! Por nuk ndodhi kështu!

Nuk ndodhi sepse gjithçka kërkon kohën e vet për t’u rikthyer në gjendjen normale, dhe nëse barkut tim i ishin dashur nëntë muaj për të marrë atë përmasë gjigande, si mund të kthehej në formë të sheshtë sa hap e mbyll sytë? Sepse kështu doja unë? Sepse doja që ai fustani i drejtë dhe i ngushtë duhej patjetër të më rrinte në trup si 4 vjet më parë? Po kur unë 4 vjet më parë isha ndryshe, isha thjesht një vajzë dhe jo një nënë si mund të pretendoja që trupi im brenda atij fustani të dukej i njejti?

Shpesh zgjohemi natën, kujdesemi ditën, jetojmë jetën tonë si nëna duke harruar se të qënit nënë përkon me të sjellurin në jetë të një fëmije, dhe duke qënë kështu kemi krijuar një jetë, kemi rrezikuar jetën tonë gjatë lindjes, (ç’rëndësi ka nëse ka qënë një lindje natyrale apo operacion) për të dhuruar një frymë të re, dhe për këtë duhet të respektohemi!

Të gjithë duhet të dinë të flasin për këtë dhe jo për trupin tonë! Ata të gjithë e duan fëmijën tënd apo jo? Po ti? Po unë? Edhe unë jam nëna e atyre fëmijëve që të gjithë i duan, e megjithatë nuk i kursejnë komentet e tipit “të duket keq barku nga kjo bluzë e ngushtë”! E di që më duket keq sepse edhe unë kam të zhvilluar shqisën e të parit, por nuk dua të ndihem më keq sepse e kam veshur, sepse dua ta vesh! Dua ta vesh sepse më shkon shumë me ato atletet që i kam blerë posaçërisht për të, para se të ngelesha shtatëzanë!

E ku ta dija unë se pas shtatëzanisë ajo do të theksonte “të metat” e barkut tim? Po tani si t’ja bëj? Të fshihem gjithmonë pas një korseje që të merr frymën? Të vesh gjithmonë veshje të gjera të cilat i vesha mjaftueshëm për komoditet për 9-të muaj me rradhë? Të ndodhë diçka e tillë ndërsa pres që me pak fat të më zhduket barku, dhe nëse nuk ndodh kështu të jetoj gjithë jetën time si e dënuar? Të shikoj shtatëzaninë si një periudhë makthi që do të më bëjë edhe më të “shëmtuar” herën tjetër?

Jo, jo kështu nuk shkon! Nuk shkon fare madje! Nuk duhet të kem nevojë të ndihem e bukur, pa strija dhe lëkurë të rrudhur! Vera po afron dhe duhet të marr guximin të blej një palë rroba banje, bikini pa e menduar dy herë si do të dukem! Nëse nuk e bëj tani do të ndihem gjithonë keq me veten time, dhe ndoshta do t’i “imponoj” edhe të tjerët të mendojnë më tepër mendimet e tyre negative rreth pamjes time të jashtme.

E dini çfarë?

Kam nevojë të jetoj. Kam nevojë të më dëgjosh kur flas dhe të më vlerësosh në çdo aspekt si grua, pastaj si perëndeshë e bukurisë! Çdo grua ka nevojë të ndihet e bukur edhe pa truk, edhe me shenja në lëkurë dhe ca kile tepër! Dhe këtë duhet ta bëj duke filluar të mendoj ndryshe për veten time! Sepse unë ngelem po e njëjta grua që kam qënë më parë, e tani me një karakteristikë madhështore! Tani jam edhe nënë!

femra-moderne.com