Shuhet Francesk Radi!

Ai nuk do të interpretojë dot më muzikë me tingut e embël të kitares, por këngët dhe muzika që prodhoi do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë.

Françesk Radi ndërroi jetë pasditen e 3 prillit në repartin e reanimacionit në QSUT, ku edhe qëndronte i shtruar prej disa ditësh për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. 

Artisti pësoi një hemorragji cerebrale, që pësoi në agimin e datës 27 mars. Këngëtari i njohur e humbi betejën me sëmundjen, e cila i mori atij jetën në moshën 67-vjeçare.

Françesk Radi ka marrë pjesë në disa festivale të muzikës së lehtë shqiptare. Këngët e para të realizuara prej tij janë në vitet ’70, “Adresa” dhe “Biçikleta”. Ishin pikërisht këto dy këngë me të cilat u prezantua suksesshëm me publikun.

Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90 duke sjellë disa krijime, si në 1996 “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, etj.

Françesk Radi kreu Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve në Tiranë. Ka punuar gjatë në estradë si kitarist dhe kantautor. Francesk Radi ishte bashkëshorti i gazetares së njohur të Televizionit Shqiptar Tefta Radi. Për lidhjen e tyre, bashkëjetesën disadekadashe, dy femijët, Francesk dhe Tefta Radi kanë rrëfyer në shumë intervista të dhëna për mediat.

Publiku shqiptar humbi këngëtarin që edhe në sistemin e shkuar, mundi të përcjellë për të, kryevepra të muzikës botërore, veçanërisht ato të muzikes italiane, ku muzika e të madhit Adriano Çelentano do të kishte ndikim të rëndësishëm për Françesk Radin, në karrierën e tij si artist.

https://youtu.be/2nGS4V0a67Q

femra-moderne.com