Me ardhjen e pranverës, temperaturat ngrihen, dita zgjat më shumë dhe energjia… bie në mënyrë marramendëse.
Kjo stinë e bukur shumë njerëzve u shkakton lodhje dhe një gjendje depresioni. Ka edhe nga ata që ankohen nga dhembje koke të vazhdueshme, fryrje barku, pagjumësi, humor të luhatshëm. Në përgjithësi nuk është asgjë serioze, por janë vetëm disa shqetësime të përkohshme.
9 shenjat e lodhjes pranverore
Për të kuptuar nëse vuani nga lodhja pranverore, mjafton të shikoni këto shenja:
- Fytyra është më e lodhur se zakonisht dhe shpesh rreth syve shfaqen rrathë ose borsa;
- Kur shkoni për të fjetur, megjithëse jeni të lodhur, nuk flini;
- Në mëngjes mezi zgjoheni dhe jeni të dembelosur për të kryer aktivitetet e ditës;
- Në mëngjes keni ndjesinë sikur nuk jeni çlodhur aspak ose sikur nuk keni fjetur mjaftueshëm, megjithëse jeni shtrirë shumë herët;
- Keni vështirësi në përqëndrim dhe gjatë ditës jeni si të hutuar dhe përtacë;
- Nuk mbani mend gjëra të vogla për shkak të disa humbjeve të kujtesës;
- Nuk e keni mendjen në punë;
- Nuk keni aspak dëshirë të praktikoni aktivitetin tuaj fizik të përditshëm;
- Dëshira seksuale është në rënie.
Keshilla per t’u ndjere me mire
Për t’u mësuar me orën zyrtare
Disa njerëz kanë vështirësi të kalojnë nga ora diellore në atë zyrtare, që zakonisht hyn në fuqi javën e fundit të muajit mars. Ndonjëherë nuk është e mjaftueshme të lëvizësh akrepat e orës, por i duhet dhënë kohë organizmit të përshtatet me orarin e ri për t’u zgjuar, për të fjetur dhe për të ngrënë. Shenjat e këtij sinkronizimi të munguar me orën janë:
- vështirësia për t’u ngritur nga shtrati,
- ndjesia e lodhjes që zgjat gjatë gjithë ditës,
- përgjumësia, meqë tani duhet të zgjohemi një orë më parë në krahasim me muajt e dimrit,
- dhembja e kokës,
- ulja e përqëndrimit.
Për të përshpejtuar procesin e përshtatjes, kini parasysh të flini një orë më parë se zakonisht dhe të riprogramoni oraret e vakteve (vlen më shumë për njerëzit që janë të ankthshëm dhe që vuajnë me depresion, qoftë edhe të një faze fillestare).