Manuali i thjeshte per te njohur me mire meshkujt

Manuali i thjeshte per te njohur me mire meshkujt

Të gjitha kemi takuar meshkuj me qëllime pak a shumë të sinqerta: i njohim me lehtësi. Por princërit e gënjeshtërt janë më të rrezikshëm. Pse? Sepse janë të sjellshëm, të sinqertë dhe tërheqës. Asnjë tabelë “Ruani distancën e sigurisë” nuk duket rreth e rrotull tyre. Pavarësisht nga të gjitha cilësitë e tyre, ata mund të paraqiten “helmues”, nëse i marrim për të vërtetë. Mësoni se si t’i demaskoni. Dhe, meqë asnjë rast nuk është i dëshpëruar, mësoni të merrni më të mirat e këtyre princërve të këqinj, që s’janë djem keqbërës dhe që mund të paraqiten të këndshëm nëse i përdorni me mend. Burimi: Cosmopolitan

I shpejtuari

  • Kush është? Ai kërkon gjithçka menjëherë. I paduruar për nga natyra, atij i pëlqen t’i kapërcejë etapat e jetës dashurore, që i konsideron si të kota dhe që i përkasin një loje që s’ka dëshirë ta luajë.
  • Çfarë ju josh te ai? Dëshira e tij për të përjetuar gjëra të forta dhe shkrirëse. Refuzimi i rregullave të paravendosura. Mënyra me të cilën ai ju ofron përkujdesje, që nuk i prisnit pas shumë muajsh së bashku.
  • Çfarë bën? Ju jep çelësat e shtëpisë së tij që në takimin e dytë, ju prezanton me prindërit brenda një jave, ju çon për udhëtim në fund të botës, për të festuar muajin e parë së bashku.
  • Çfarë thotë: “Të dua” te puthja e dytë, “Do të dëshiroje të martoheshe në kishë apo në bashki?” në darkën e parë dyshe. “Sa fëmijë mendon të kesh?” mëngjesin e dytë së bashku.
  • Kujdes, rrezik! Ai është kaq shtypës, saqë kapërcen etapa thelbësore dhe djeg lidhjen. Rreziku është se ai ju lëshon kaq shpejt, saqë ju ka deklaruar dashurinë e tij tre ditë pasi ju ka kërkuar që të martoheni.
  • Sinjalet e alarmit. Ai ka gjithmonë sjellje dhe dëshira të parakohshme. Nëse shumë gjëra të rëndësishme vijnë si tepër shpejt, mos u besoni.
  • Në çfarë ta ricikloni. Në një trainer profesionist. Ai është një i përshpejtuar, i dhënë pas arritjeve të shkëlqyera. Do t’ju bëjë “ushtrime kraharori” dhe skadenca që do t’ju forcojnë.

I dashuri “gati për t’u martuar”

  • Kush është? Ai mendon se ka ardhur mosha kur një mashkull duhet të martohet dhe të formojë familje. Është vënë në kërkim të femrës së jetës së tij, paksa sepse ka kaluar një jetë me qejfe, paksa sepse ka dëshirë të ketë fëmijë, më shumë për t’i bërë qejfin mamasë.
  • Çfarë ju josh tek ai. Dëshira e tij për një histori të qëndrueshme, serioze, që zgjat në kohë… Së fundi, mashkulli që nuk ia mbath me të dëgjuar për shtatzëninë.
  • Çfarë bën. Gjithçka, që lidhja të funksionojë. Lule, deklarata, shëtitje, nuk neglizhon asnjë mjet. Ai priste gruan e jetës së tij, ju qëlloni në vendin e duhur në momentin e duhur, për atë dashuria është mbi të gjitha çështje kohëmatjeje. Ai e ka përzemër këtë lidhje, tek e cila beson, për të arritur qëllimin e tij (të bëhet një bashkëshort i mirë, një baba shembull) sa më mirë.
  • Çfarë thotë. “Eshtë koha që të stabilizohem”, “Beqaria nuk është më për mua”, “Shpresoj të jem një baba i mirë”, “Mamaja ime do të ishte shumë e lumtur nëse do të martohesha me një vajzë kaq të bukur sa ti”.
  • Kujdes, rrezik. Nuk jeni ju ajo që keni zgjuar dëshirën e tij për stabilizim dashuror, janë rrethanat. Ai dëshiron të martohet në mënyrë absolute, jo absolutisht me ju… Në mënyrë të pashmangshme, ju shkoni drejt një përplasjeje ditën që ai do të kuptojë se nuk është mjaft i dashuruar ose që nuk ishte ndoshta gati, në fund të fundit.
  • Sinjalet e alarmit. Ai thotë rrallë “Dua” dhe më tepër “Duhet”. I përjeton gjërat nga jashtë dhe shpesh ka një pamje të përhumbur.
  • Në çfarë ta ricikloni? Në një shok “hamall”. Ai është gati të bëjë gjithçka që të vërtetojë se është shoku ideal dhe kjo është mirë për ju, sepse keni një mobilje për ta ngjitur deri në katin e trembëdhjetë.

Dashnori serial

  • Kush është? Është një koleksionist. Ai e di përmendsh të gjithë numrin e princit të kaltër: normal, ka patur rastin të stërvitet. Nuk është i keq, vetëm nuk lidhet asnjëherë, ai kërkon vazhdimisht atë që do të dijë ta ruajë, ta bëjë të dridhet.
  • Çfarë ju josh tek ai. Ai thotë fjalën e duhur në momentin e duhur, ka të njëjtat shije dhe mospëlqime si ju. Di të bëhet i disponueshëm.
  • Çfarë bën. Sillet si zotëri i vërtetë. Me përkujdesje, i ëmbël dhe i kujdesshëm, rrallë keni parë djalë kaq të hijshëm. Ai do t’ju japë përshtypjen se ju jeni më e mira, më e bukura, ajo me të cilën ai më së fundi do të mund të jetojë një histori të gjatë dashurie.
  • Çfarë thotë. “Me ty, gjithçka është ndryshe”, “Ti je sublime”, “Ky fustan duket kaq joshës i veshur nga ty…” Shkurt, ai shpalos të gjithë regjistrin romantik dhe elektrizues.
  • Kujdes, rrezik. Kur ju të ndodheni nën hirin e tij, ai rrezikon të fillojë sërish aventurat, sepse, më së fundi, ju jeni bërë si gjithë të tjerat. Ai kërkon perlën e rrallë, por do të bënte mirë të gjente një psikolog të mirë, për të rregulluar kompleksin e tij të Edipit (asnjë femër nuk është më e mirë se mamaja).
  • Sinjalet e alarmit. Ai filtron apelimet e tij dhe përgjigjet shumë rrallë. Ai tregon se është i përndjekur nga ish-et e tij. Ai thotë “Kemi gjithë jetën përpara nesh”, ndërkohë që nuk di se çfarë t’ju përgjigjet kur e pyesni se çfarë dëshiron të bëjë në mbrëmje.
  • Në çfarë ta ricikloni? Në një shok mbrëmjeje të ngjitur. Gjithmonë gati për të dalë, ai ju shërben për shoqërues, pastaj ju lë të qetë me princin tuaj të ri, sepse ai riniset për gjueti.

Mashkulli “gati i lirë”

  • Kush është? Jo një mashkull haptas i martuar dhe baba familjeje që tradhton në mënyrë të paturpshme gruan, aspak: por dikush që nuk është krejtësisht i lirë në kokë apo në jetën e tij. Gjatë ndarjes, divorcit, në mes të zisë së një lidhjeje, edhe pse nuk është njëqind për qind i gatshëm, ai dëshiron t’ju bëjë një vend.
  • Çfarë ju josh tek ai. Gjysmë-liria e tij, ta kapim sa më shpejt këtë mashkull sa është akoma nën lidhje, para se të kthehet në rrugën e vështirë të beqarëve.
  • Çfarë bën. Përpiqet të pjekë mishin dhe të mos djegë hellin. Ai nuk e di shumë mirë se ku është, ai ka dëshirë ta ketë këtë lidhje me ju, por nuk i ka vënë akoma kryq krejtësisht asaj nga e cila po del. Ndonjëherë i gatshëm, shpesh, ai ju shpëton nga duart. Ai do të bëjë gjithçka për t’ju bindur se lidhja juaj do të shkojë më mirë më tutje, saqë ju do të keni shumë dëshirë ta besoni.
  • Çfarë thotë. “Me gruan time, nuk shkon më”, “Do ta lë gruan nesër”, “Ti do të dish të më bësh që ta harroj”, “Ta marrim shtruar”, “Nuk ndjehem krejtësisht gati”.
  • Kujdes, rrezik. Do të gjeni të gjitha justifikimet e botës për të justikuar mungesat dhe fëlliqësitë e tij. Ai ka rrezik të përfitojë dhe situata midis jush të përjetësohet, përderisa ai është i rehatshëm për ju. Më mirë është që ai të rregullojë problemet e tij dhe pastaj të vijë t’ju takojë.
  • Sinjalet e alarmit. Ai ka një aleancë, refuzon ta prishë. Nuk është asnjëherë i lirë në mbrëmje. Jep vetëm numrin e celularit, nuk qëndron për të fjetur.
  • Në çfarë ta ricikloni? Në asgje. Ai është gjithmonë i gatshëm për t’ju shërbyer, keni kuptuar që një histori e vërtetë nuk ishte e mundshme, nuk përputheni, kështu që vetëm argëtoheni.

Mashkulli i plagosur

  • Kush është? Ai është keqtrajtuar nga një femër. Ashpërsisht i flakur, teksa e sheh veten të braktisur në mënyrë skandaloze, ai ndjehet si një tapet këmbësh. Ai është i plagosur dhe ka frikë të rifillojë të njëjtat gabime.
  • Çfarë ju josh tek ai. Shikimi i tij i trishtë, pamja e tij e padëmshme, nevoja e tij për një shpatull mirëkuptuese dhe të dashur.
  • Çfarë bën. Qan në krahët tuaj. Ju tregon historinë e tij, ju beson dyshimet e tij, ankthet. Do t’jua lërë me kënaqësi rolin e drejtimit të çiftit.
  • Çfarë thotë. “Kërkoj një vajzë të sinqertë”, “Ti je kaq e sjellshme”, “Premtomë që nuk do të më bësh keq”, “S’i duroj më dot vajzat e ndërlikuara”.
  • Kujdes, rrezik. Ai do të marrë nga energjia juaj deri ditën kur do të ndjehet më mirë. Në atë moment ai do të dëshirojë të harrojë se është sjellë si leckë, do t’ju hedhë, në rastin më të mirë, si një kujtim të hidhur, ose në rastin më të keq, si një rrobë të vjetër.
  • Sinjalet e alarmit. Ai ka “nevojë” për ju. Ai hidhet nga e kaluara tek e ardhmja, pa kaluar te e tashmja: “Kam gabuar, gjithçka do të shkojë më mirë kur ta kem kuptuar”. Nuk ju përfshin gjithmonë në dëshirat e tij dhe asnjëherë në projektet e tij.
  • Në çfarë ta ricikloni? Në një mik të mirë të vjetër. Ju gjithashtu keni nevojë për një shpatull ku të qani, për dikë të cilit t’i tregoni zhgënjimet dhe shpresat tuaja.

I dashuruari i përjetshëm

  • Kush është? I dashuruari pas dashurisë, ai është i dhënë pas ndjenjave si të njerëzit pas nikotinës. Dashuria, motivi, i mundëson të ndjehet gjallë. Kështu që ai dashurohet me lehtësi, por kujdes, mëkëmbet gati po aq shpejt.
  • Çfarë ju josh tek ai. Deklaratat e tij të çmendura të pafund, aftësia e tij për t’ju dashuruar plot pasion, romantiçizmi si në kohët e vjetra.
  • Çfarë bën. Ju miklon, ju habit, ju mbulon me lule dhe poema, ju telefonon më shumë se njëzet herë në ditë.
  • Çfarë thotë. “S’jam asgjë pa ty”, “Ti je dielli i jetës sime”, “Jam i marrosur pas teje”, “Nuk kam dashuruar ndonjëherë kaq shumë”.
  • Kujdes, rrezik. Pa qenë krejtësisht i vetëdijshëm, fjalimi i tij nuk ju adresohet juve, fytyrës tuaj të vogël e të hijshme, por dashurisë në përgjithësi. Është dashuria ajo pa të cilën s’është asgjë… pa ju, ai thjesht do të ishte i dashuruar pas dikujt tjetër. Megjithatë, me t’u dobësuar flakët e pasionit dashuror, ai niset për të kërkuar “drogën” diku tjetër. Në fund të fundit, ai dashuron vetëm vetveten.
  • Sinjalet e alarmit. Është një nga më të vështirët për t’u kuptuar, sepse për momentin është krejtësisht i sinqertë. Një tregues mjaft flagrant është se deklaratat e tij janë shumë pavetore dhe mund t’i përshtaten kujtdo tjetër, madje edhe një lope. Nëse jeni tepër e kujdesshme, mund të vini re se ai dëgjon më shpesh vetveten dhe nuk ju kushton me të vërtetë vëmendje.
  • Në çfarë ta ricikloni? Në mik ndërlidhës, d.m.th. në mik që ju prezanton miqtë e tij beqarë. Ai ka rënë në dashuri, kjo nuk mund të konkretizohet, ai parapëlqen më shumë t’ju shohë të rregulluar me ndonjë nga miqtë e tij, më shumë se t’ju lërë krejtësisht.

Ndezës

  • Kush është? Ai do që ta dashurojnë. Ajo që e intereson është të ndezë pasion te të gjitha femrat. Për të realizuar këtë, ai nuk heziton të nxjerrë artilerinë e rëndë: shikim që vret, gjuan gjithmonë i pari, buzëqeshje që shfaros, ai ka armë efikase.
  • Çfarë ju josh tek ai. Hijeshia e tij universale, mënyra e tij për t’u dukur njëkohësisht i lehtë dhe i paafrueshëm.
  • Çfarë bën. Ju josh deri në atë pikë sa t’ju bëjë një dele budallaqe. Dhe ju jep të gjitha elementet për t’ju bërë që të besoni se ai është burri i jetës suaj dhe që digjet nga pasioni për ju.
  • Çfarë thotë. Mendjehollë, ai aludon gjithmonë dhe lë gjithmonë sa shumë interpretime të mundshme. Shprehja e tij “Mirëdita, bukuroshja ime!” është gjë miqësore? Apo një kompliment i vërtetë?
  • Kujdes, rrezik. Asnjëherë nuk konkretizohet gjë. I zjarrtë pastaj i akullt, ju nuk dini si të silleni me të. Mjafton që ju të dëshironi t’i çoni më tutje gjërat dhe ai ia mbath me vrap. Thellë, ai nuk dëshiron me të vërtetë një lidhje, ai kërkon mbi të gjitha të verifikojë fuqinë e tij joshëse. Do të vijë një ditë që një vajzë do t’ia mbledhë… por nëse dëshironi me të vërtetë ta besoni, mund të mbeteni për një kohë të gjatë në pritje.
  • Sinjalet e alarmit. Ajo që thotë nuk është kurrë e qartë. I shmang kontaktet e drejtpërdrejta, kokë më kokë. Ai bën sikur nuk i kupton aluzionet për një lidhje të mundshme.
  • Në çfarë ta ricikloni. Në rritës-vlerash. Ai ka gjithmonë komplimentin e duhur për t’ju ofruar, mund të përfitoni gjithashtu për të bërë xhelozë pretendentët seriozë.

I sjellshmi paksa i butë

  • Kush është? Më e pakta që mund të themi është se është e lehtë për të jetuar me të. Është gjithmonë dakort. Ajo që kërkon në një lidhje është para së gjithash harmonia dhe një synim i mirë.
  • Çfarë ju josh tek ai. Diplomacia, qetësia, kthjelltësia, mënyra e tij për të qenë pandryshueshmërisht në të njëjtin mendim me ju.
  • Çfarë bën. Asgjë. Ju lë ju të drejtoni. Ai e adhuron ndjenjën tuaj të organizimit. Ju beson plotësisht. Dëshiron t’ju ndjekë, me kusht që ju të merreni me gjithçka. Ai do të jetë hija e dorës suaj, hija e qenit tuaj.
  • Çfarë thotë. “Dakort”, “Kjo më pëlqen”, “Nëse ti e dëshiron”, “Si të duash ti”, “Po të ndjek”.
    Kujdes, rrezik. Duke u përshtatur me ju, mund të përfundojë të mendojë si ju, të jetojë, të flasë si ju. Një dublues, a ju intereson kjo gjë me të vërtetë?
  • Sinjalet e alarmit. Ai s’ka dëshirë për gjë, as për ju. Flet pak, s’ka kurrë asnjë nismë, ai s’shqetësohet aspak për të ardhmen, as edhe për atë më të afërt (si për shembull, çfarë do të shikojmë në kinema sonte?).
  • Në çfarë ta ricikloni. Në “kujdestar shtëpie”. Shtëpiak i përsosur, ai do t’jua ruajë më së mirë macen ose bimët, gjatë pushimeve tuaja me një princ të vërtetë kësaj here.

femra-moderne.com