Interviste / Tefta Radi: Kam humbur kuptimin e jetës…

Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj Françesk Radit, Tefta Radi në një intervistë për “Dita” ka treguar jetën e saj tashmë të zhvendosur në Australi dhe pengun që i ka mbetur Frankos.

“Me humbjen e Frankos kam humbur edhe kuptimin e jetës”, – shprehet Tefta Radi. Edhe pse nuk kanë kaluar shumë kohë që nga vdekja e këngëtarit të madh, vetëm 3 muaj, Tefta tregon se nuk ka një ditë të vetme që nuk e mendon njeriun me të cilin kishte thurur shumë plane.

Zonja Tefta, jeni larguar…?

Ndodhem në Melburn të Australisë, Entela. Kam dhimbjen e madhe me vete. Frankon e kam lënë aty. Jam ende shumë e rënduar shpirtërisht dhe e kam të pamundur të flas gjatë. Çdo sekondë jetoj me Frankon. Ndoshta nuk duhet të duheshim aq shumë sa diçka na ndau në mënyrë të rrufeshme pas një fundjave vërtet të bukur.

Por di që jeni duke përgatitur një dokumentar për bashkëshortin tuaj, jetën e tij, na trego diçka më tepër?

Po, është e vërtet, do të jetë një dokumentar mbi jetën dhe krijimtarinë e tij artistike. Akuzat për shfaqje të huaja në kompozim, e interpretim me dëshmi e fakte autentike. Do të flitet për festivalin e 11, largimi nga Tirana pas këtij festivali edhe pse ishte punonjës i bendit të Gasper Çurçisë me kitarë, që në moshën 16 vjeçare.

Pjesë e dokumentarit është jeta dhe aktiviteti krijues në Pukë, angazhimi dhe njohja e instrumenteve të ndryshme popullore të veriut që u bënë lajtmotiv në krijimtarinë e tij artistike etj. Intervistuesit, personalitete të artist të muzikës sjellin figurën e Frankos jo vetëm si i pari kantautor, i talentuar krejt i veçantë në krijimtarinë e tij, por mbi të gjitha si njeri me dinjitet të spikatur që nuk ia dha kënaqësinë asnjë force politike për t’u përdorur prej tyre.S’u bë urë e askujt, nuk u ankua kurrë për të shkuarën e tij, ndaj nuk u shpërblye me tituj as kur të gjithë menduam se kishte mbërritur demokracia, së cilës, falë bashkëpunimit me Agim Doçin, Alqi Boshnjakun, i këndoi me ironi e fabula problemeve sociale të kohës. Ashtu sikurse dhe finesa në këngët për dashurinë e diferenconin atë nga shumë krijues të tjerë, ashtu si dhe timbri i veçantë i zërit të tij.

Dashuria që s’u shua e s’u venit kurrë, familja, shoqëria, humori i tij i hollë, i lindur, trashëgimi në të dy krahët e prindërve. Pjesë e familjeve të tyre ishin burgosur e internuar deri në vitet ’90 nga regjimi diktatorial. Nga nëna Monsinjor Vinçenc Prennushi, nga i ati Lazër Radi. Të gjitha këto vijnë përmes intervistave me personalitete të ndryshme. Miq e të afërm të tij.

Kur do të përfundojë?

Materialet e xhiruara i kam përfunduar me operatorin Bujar Kore. Më mbetet vetëm montazhi. Do të shfaqet në 1-vjetorin e largimit të tij nga jeta. Do të ketë shumë objektivitet, larg fjalëve të mëdha. Do të sjellë për publikun ashtu siç ai është njohur, Franko njeri dinjitoz dhe artist. I mirë me shumë sqimë dhe krejt i veçantë në paraqitjen e tij skenike, veshjen etj.

Do të jetë një udhëtim nga rinia deri në daljet e fundit në skenë 2-3 javë para largimit nga jeta, të cilën ai e donte shumë. Me Frankon kam jetuar të lumtur çdo sekondë, unë, fëmijët, mbesa e nipi. Buzëqeshja e tij, shpirti i madh është e stampuar në çdo foto. Montazhi do të realizohet nga Donika Gjebrea, formulimi muzikor nga Kozeta Rafti.

Zonja Tefta, ke reflektuar këto ditë për jetën dhe a ke një mesazh për njerëzit?

Nuk ka dhimbje më të madhe për një jetë të ngritur mbi dashurinë e vërtetë dhe sakrificat. Dashuria ime me Frankon ishte tejet e veçantë, ashtu si dhe vetë jeta e tij, e thjeshtë e larg zhurmave për të dalë mbi të tjerët. Larg interesave meskine e përfitimeve materiale. Ndoshta dhe një trysni e ushtruar ndër vite ndaj intelektualëve të vërtetë.

Hemoragjia cerebrale po i merr jetën shumë personave… keni një mesazh për njerëzit?

Tashmë kam filluar të besoj tek fati. Gjithkush ka fatin e tij. Nuk kam mesazhe. Vdekja është e hidhur dhe e rëndë për të gjithë pavarësisht formës se si vjen. Ne do të niseshim për në Australi. Kishim prerë biletat dhe krejt papritur çdo gjë u shkatërrua… Franko ishte vital, më trup atleti, u ndodh para tragjedisë së madhe, humbjes së parakohshme. Ndërkohë jeta për mua humb kuptimin e saj.

Tani jetoni me djalin aty?

Po dhe me nënën. Për të plotësuar edhe një dëshirë të madhe të Frankos për të jetuar në një oaz të gjelbër, larg intrigave dhe dallavereve pa fund si dje dhe sot, larg uriahipëve.

Ka qenë problematike Shqipëria në këtë drejtim? Besoj këtu keni edhe shumë miq…

Historikisht, ndaj dhe çalon historia e kombit tonë. Kurrë s’i shohim dot ngjarjet bardh e zi. Natyrisht kam shumë miq më të cilët komunikoj çdo ditë. Kaluam jetën aty, bëmë për atë vend gjithçka kishim e dinim të bënin. Vlerësimet i kemi marrë nga njerëzit e thjeshtë. Kjo u pa edhe në lamtumirën e Frankos.

Zonja Tefta, ju jeni larguar përfundimisht nga Shqipëria?

Jam rezidente e përhershme në Australi. Natyrisht edhe do të vij. Shqipëria është zemra jonë.

Burimi: Gazeta Dita / Intervista nga Entela Resuli

femra-moderne.com