Një tragjedi e heshtur po zhvillohet tani në shtëpitë tona dhe ka të bëjë me xhevarirët tanë më të çmuar – fëmijët tanë, thote Victoria Prooday, terapiste, autore e këtij shkrimi.
“Nëpërmjet punës sime me qindra fëmijë dhe familje si terapiste profesioniste, kam dëshmuar këtë tragjedi që po ndodh para syve të mi. Fëmijët tanë janë në një gjendje emocionale shkatërruese! Bisedoni me mësuesit dhe profesionistët, të cilët kanë punuar në këtë fushë për 15 vitet e fundit. Ju do të dëgjoni shqetësime të ngjashme. Për më tepër, gjatë 15 viteve të fundit, studiuesit kanë nxjerrë statistika alarmante për një rritje të mprehtë dhe të qëndrueshme të sëmundjes mendore të fëmijëve, e cila tani po arrin përmasa epidemike:
- 1 në 5 fëmijë ka probleme të shëndetit mendor
- Rritja prej 43% në ADHD (crregullim i vemendjes)
- Rritja prej 37% e depresionit tek adoleshentët
- Rritje prej 200% e vetëvrasjeve tek fëmijët e moshës 10-14 vjeç
Është vërtetuar shkencërisht se truri ka aftësinë për të riorganizuar veten përmes mjedisit. Për fat të keq, me mjedisin dhe stilet e prindërimit që u ofrojmë fëmijëve tanë, ne po e orientojmë trurin e tyre në një drejtim të gabuar.
Po, ka dhe do ketë gjithmonë fëmijë që lindin me aftësi të kufizuara, por nuk janë fëmijët për të cilët po flas këtu.
Ku po gabojmë?
Fëmijët e sotëm po privohen nga bazat e një fëmijërie të shëndetshme, siç janë:
• Prindër të pranishëm emocionalisht
• Kufizime dhe udhëzime të qarta e të mirëcaktuara
• Përgjegjësi
• Ushqyerje e ekuilibruar dhe gjumë i mirë
• Lëvizje fizike dhe dalje në natyrë
• Lojë krijuese, ndërveprim social, kohë boshe dhe momente mërzie
Në vend të këtyre, fëmijët po marrin:
• Prindër të shpërqëndruar nga pajisjet dixhitale
• Prindër tolerantë që e lejojnë fëmijën “të drejtojë botën”
• Ndjesi pushteti më shumë sesa përgjegjësie
• Gjumë të pamjaftueshëm dhe ushqyerje të pashëndetshme
• Stil jete pasiv
• Stimulim pa fund, përdorim të pajisjeve teknologjike, plotësim të kënaqësisë në moment dhe mungese të momenteve boshe dhe të mërzitshme
E si mund te mendoni se është e mundur të rritet një brez i shëndetshëm në një mjedis kaq të pashëndetshëm?
Nuk ka rrugë të shkurtër për prindërimin dhe nuk mund ta mashtrojmë natyrën njerëzore. Siç e shohim, rezultatet janë shkatërruese. Fëmijët tanë paguajnë për humbjen e fëmijërisë së balancuar me mirëqenien e tyre emocionale.
Si ta rregullojme situaten?
Nëse doni që fëmijët të rriten mirë dhe të shëndetshëm, duhet të hapim sytë dhe të kthehemi në bazë. Është ende e mundur! E di këtë sepse qindra klientë të mi shohin ndryshime pozitive në gjendjen emocionale të fëmijëve të tyre brenda disa javësh (dhe në disa raste edhe ditë) për zbatimin e këtyre rekomandimeve:
Vendosni kufij dhe kini parasysh se jeni PRINDI, jo shoku i fëmijës suaj.
Ofrojini fëmijës suaj një jetë të ekuilibruar mirë duke i dhënë çfarë ka nevojë, jo thjesht çfarë dëshiron. Mos kini frikë të thoni “Jo” në rastet kur kërkojnë diçka që nuk e kanë të nevojshme.
- Jepuni ushqim të shëndetshëm dhe limitoni snack-et
- Kaloni një orë në ditë në natyrë: duke ecur, duke bërë xhiro me biçikletë, duke vzhguar zogjtë/insektet
- Hani një vakt familjar pa shqetësimin e teknologjisë
- Luani një lojë të gjithë sëbashku (ku nuk përfshihen pajisjet teknologjike). Psh, domino për fëmijë, puzzle, Mos u Nxeh, etj.
- Angazhojeni fëmijën tuaj me një punë çdo ditë (palosje rrobash, rregullim të lodrave, varja e rrobave në dollap, shtrim tavoline etj.)
- Vendosni një rutinë të rregullt gjumi, duke u siguruar që fëmijët tuaj të flenë mjaftueshëm në një dhomë pa pajisje teknologjike
Mësojuni përgjegjësinë dhe pavarësinë. Mos i tej-mbroni nga dështimet e vogla. Këto i mësojnë atyre aftësitë e nevojshme për të kapërcyer sfida më të mëdha që do të kenë në jetë:
- Mos ia bëni ju gati çantën, mos ia mbani çantën, mos ia çoni në shkollë ushqimin apo librin që ka harruar, dhe mos ia qëroni bananen nëse është mbi 5 vjeç. Mësojani këto aftësi në vend që t’i bëni ju për to.
Mësojini të presin për kënaqësitë dhe lerini të mërziten nga koha boshe, pasi kështu zgjohet kreativiteti:
- Mos u ndjeni përgjegjës për të argëtuar gjithë kohën fëmijën tuaj.
- Mos e përdorni teknologjinë si kurë për t’i larguar mërzitjen
- Mos e përdorni teknologjinë në restorante, makinë, vakte, qendra tregtare. Përdorini këto momente për t’i stërvitur trurin që të funksionojë në momente “mërzie”.
- Ndihmojini fëmijët të krijojnë një “kuti të ndihmës së shpejtë” për rastet e mërzisë, me ide aktivitetesh per momentet kur ndihen të mërzitur.
Jini të pranishëm emocionalisht për tu lidhur me fëmijën tuaj dhe mësojini vetëmenaxhim dhe aftësi sociale
- Fikni telefonat tuaj derisa ata të shkojnë në shtrat, për të evituar shpërqëndrimet
- Bëhuni trajneri emocional i fëmijëve tuaj. Mësojini ata të njohin dhe të merren me zhgënjimin dhe zemërimin.
- Mësojuni përshëndetjet, mbajtjen e radhës, ndarjen me të tjerët, mirësjelljen në tavolinë, ndjeshmërinë , aftësitë bashkëbiseduese
- Krijoni lidhje emocionalisht: buzëqeshni, përqafoni, puthni, gudulisni, lexoni, vallëzoni, kërceni, zvarrituni me fëmijën tuaj.
Ne duhet të bëjmë ndryshime në jetën e fëmijëve tanë përpara se ky brez i tërë i fëmijëve të bëhet për t’u mjekuar! Nuk është ende vonë, por së shpejti do të jetë…