Adoleshenca eshte periudha e kryengrites: kjo sepse kemi te bejme me nje femije qe po rritet.
Agresiv dhe ndonjëherë i dhunshëm, para së gjithash adoleshenti është një qenie në zhvillim. Sipas psikologëve, edukimi mund t’i ndryshojë. Lexoni se cfare mendojne psikologet per disa nga problemet me te shpeshta qe kane prinderit me femijet e tyre adoleshente.
Pse fëmijët shpesh bëhen agresivë gjatë adoleshencës?
Në mënyrë që të gjejnë vendin e tyre, adoleshentët e ndjejnë të nevojshme të vënë ligjet e këtij vendi. Duan të dinë pse u detyrojnë gjëra? Më të urtët kënaqen vetëm duke pyetur. Të tjerët janë të paaftë ta bëjnë këtë dhe shkarravisin muret, trazojnë më të vegjlit gjatë pushimit… Prandaj është e nevojshme t’u përsëriten rregullat, ndjenja e të ndaluarës.
Adoleshentët nuk janë gjithmonë të gatshëm për të dëgjuar!
Nuk dëgjon, por kupton ama. Gjithashtu, prindërit duhet të vazhdojnë t’u transmetojnë vlerat e tyre edukuese dhe t’u shpjegojnë gjërat e ndaluara.
E megjithatë kjo nuk i pengon ata të bëjnë prapësira. Duhet të përdorim dënime?
Po, por me kusht që në fillim të tregohet çmimi që duhet paguar: “Nëse ti veprion kështu, kjo do të kushtojë shtrenjtë”. Dënimet tregojnë se ekzistojnë kufij, që disa sjellje nuk pranohen. Por në vend që adoleshenti të poshtërohet para shokëve, është më mirë t’i thoni: “Ke qenë tepër i prapë, tani më trego se mund të bësh edhe diçka të mirë.” Le ta zgjedhë ai vetë: të ndihmojë të atin për të lyer banjën, të kujdeset për gjyshen… Ky sistem riparimi është shumë më efiksas se ndëshkimi.
Ndonjëherë, kemi përshtypjen se adoleshentët janë agresivë, sepse ndjehen të sulmuar!
Po, adoleshentët ndjehen të sulmuar nga puberteti, që mbjell tek ata rrëmujën. Nga shkolla gjithashtu, që privilegjon shkencat ekzakte (mendimin abstrakt) dhe u kërkon të rrinë urtë gjatë orëve të mësimit. Por ka aq shumë “rrëmujë” në kokën e tyre, saqë është e vështirë që ajo të jetë siç do shkolla. Prandaj, është e dobishme që të ndihmohen që të shprehin talentet e tyre në mjedisin e jashtëm, duke u marrë me sport, duke kërcyer…
Si duhet të reagojmë kur fëmija jonë fyen një mësues?
As duke qarë mbi të dhe as duke i bërë moral: është shumë i stresuar për të kuptuar. Nga ana tjetër, pavarësisht nga pamja e tij prej shefi, ai ka frikë të përballet me mësuesin dhe ka nevojë për mbështetjen tuaj. Thuajini që nuk e miratoni sjelljen e tij, por nuk do ta lini të rrëzohet. Pastaj, shkoni takoni mësuesin dhe kërkojini falje. Pa përmendur dënimin. Në fund të fundit, fëmija juaj e dinte ç’rrezikonte.
Është e vështirë që një adoleshent të të bindet, kur jeton vetëm me të ëmën.
Atëherë është mirë që të afroheni me familjen tuaj, me miqtë… Që adoleshenti mos mendojë se është i vetmi në mendjen e së ëmës. Përndryshe, do të dojë të bëjë ligjin. Gjithashtu, duhet të pranoni edhe konfliktet, mos lëshoni pe për çdo gjë dhe as mos vraponi në krahët e tij edhe pas grindjes më të vogël. Së fundi, duhet të përfshini edhe të atin. Një adoleshent ka gjithmonë nevojë për të atin.
Po sikur, pavarësisht nga të gjitha këto, ai të vazhdojë të jetë i dhunshëm?
Kërkojini ndihmë shoqatave të prindërve ose një psikologu. S’ka pse t’ju vijë turp pse keni hasur vështirësi. Është e lodhshme të edukoni një adoleshent!