Arkeologë polakë dhe shqiptarë zbulojnë qytetin e panjohur 2000 vjeçar

Ndonjëherë, gurët janë më shumë se sa thjesht copëza të shkërmoqura toke. Ndonjëherë ata japin detaje mbi të kaluarën apo të ardhmen e planetit tonë.

”Arkeologët e antikitetit të Qendrës së Kërkimit për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, zbuluan se gurët në Shkodër ishin rrënojat e qytetit 2 000-vjeçar të Basanias”, shkruan Christina Ayele Djossa në blogun “Atlas Obscura” që i dedikohet zbulimeve nëpër botë.

Në atë kohë, Bassania ishte një fortesë ushtarake dhe ekonomike, pjesë e mbretërisë së Ilirisë, që ka ekzistuar nga viti 400 deri në 100 para Krishtit.

Qyteti antik ka në përbërje shumë banesa dhe fortesa, një prej të cilave arkeologët arritën të zbulojnë.

Ajo që ata gjetën ishin gurë antikë të një fotese të ruajtur nga kulla të mëdha dhe mure prej guri dhe dyer të gjera afërsisht tre metra. Këto ndërtesa mbrojtëse, sipas profesorit Piotr Dyczek të Universitetit të Varshavës, i përkasin arkitekturës helenistike.

Ekipi konfirmoi epokën e rënojave duke analizuar monedhat e gjetura aty rrotull dhe fragmente të enëve të qeramikës, që i përkasin epokës së mbretërisë Ilire.

Por, nga gurët dolën më shumë informacione në lidhje me qytetin. Muret e gjera prej guri rrethojnë një zonë prej 200 000 metrash katrorë, që do të thotë se Basania ishte tre herë më e gjerë se Shkodra antike, që ishte 70 000 metra katrorë.

Por, ky qytet dhe mbretëria Ilire, u pushtuan nga romakët në fillim të shekullit të parë. Kjo është edhe arsyeja përse arkeologëve iu desh kaq shumë për të gjetur Basanian.

“Arsyeja mund të jetë se qyteti pushoi së ekzistuari për një kohë aq të gjatë sa që emri i tij u harrua”, shkruan Dyczek.

“Arkeologët polakë dhe shqiptarë spekuluan gjithashtu se edhe infrastruktura gjeologjike e vendndodhjes ka lidhje me këtë harresë. Rrënojat janë gjetur në një kodër, që nga banorët e zonës quhet buzët e nepërkës, në fshatin Bushat, pak kilometra larg Shkodrës”, thotë Dyczek.

Pas shumë vitesh erozion, gurët e mbetur dukeshin si pjesë e gurëve që përbëjnë kodrën. Kështu për një kalimtar, mund të dukej si një grumbull me gurë, jo një strukturë e përbërë nga njerëzit.

Tani që qyteti i zbuluar është i dukshëm, do të jetë e mundur që këto rrënojat të vizitohen. / ATA

femra-moderne.com