Bizë-Martaneshi, një zonë turistike pranë Tiranës që duhet eksploruar
Biza është ndër zonat natyrore më të reja të shpallura në mbrojtje nga qeveria shqiptare në vitin 2007.
Kjo zonë kufizohet ngushtë me Parkun Kombëtar të Dajtit dhe Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës, që ndodhen më në veriperëndim, duke qenë vazhdim natyror i njëri-tjetrit.
Peisazhi i mbrojtur i malit me gropa, Bizë-Martanesh, ka sipërfaqe të gjerë ku përfshihen rreth 183 km2 pyje, ripyllëzime, pyje të rrallë ose tokë me bimësi pyjore dhe pemëtore, kullota, livadhe me bimësi kullotore.
Veç të tjerash, kjo zonë së fundmi është kthyer edhe në një atraksion për vizitorët dhe turistët e shumtë që pëlqejnë shëtitjet në natyrë në periudhën e verës dhe ecjen në borë në periudhën dimërore.
Kjo zonë është e pasur dhe me monumente të natyrës dhe të kulturës.
Mundësia për të vizituar këtë zonë është e mundshme nëpërmjet rrugëve automobilistike që e lidhin me Tiranën duke zbritur nga Qafa e Murrizës, Guri i Bardhë dhe Kroi i Ftohtë.
Ndërsa për këmbësorët kalohet nga Qafa e Drerit, livadhet e Kolgrekut, vijon drejt qafës së Prevallit, tek Ujëvara e Zallit të Vardarit, fushat e Palemit, Rrahi i Hasramës, Maja e Sadokut, shpati i Skorës, ndjek Rrugën e Rinisë, deri tek Guri i Muzhaqit.
Kjo zonë ka shumë shtigje e gryka interesante që emërtohen sipas ngjarjeve dhe bëmave.
Agjenci të ndryshme turistike organizojnë guida të shumta në këto anë për bukuritë natyrore, historinë, kulturën e zonës si dhe ushqimin karakteristik te krahinës.
Zona e Bizës ka një terren tepër të thyer dhe në dimër zotërohet nga reshjet e borës. Kjo e bën tepër të veçantë dhe tërheqëse për periudhën dimërore, ndërsa në stinën e verës kthehet në një mrekulli natyrore për gjelbërimin e saj të veçantë si dhe për monumentet e natyrës.
Një ndër objektet e vizitueshme në këtë zonë është dhe Shpella e Valit, (Monument Natyre).
Ndodhet në afërsi të fshatit Val, rreth 1000 m mbi nivelin e detit. Përbën një shpellë karstike.
Është e gjatë 250 metra, e gjerë deri në 35 m dhe e lartë 25 m. Hyrja e shpellës ndodhet në rrëzën e shpatit dhe në të humbet përroi i Bizës. Ujërat ndjekin drejtimin lindor dhe dalin në formën e burimit në luginën e lumit të Matit.
Shpella ka vlera shkencore, ekologjike dhe kulturore të karakterit vendor.
Për ta vizituar atë duhet ndjekur rruga automobilistike Tiranë – Dajt – Mali me Gropa – Bizë – Val, ku të jepet mundësia që të shikosh edhe monumentin tjetër të natyrës, peizazhin karstik të Malit me Gropa dhe një natyrë të gjelbëruar.