Çajrat bimorë me fuqitë më të mëdha shëndetësore.

 

Ka shumë arsye përse ne e shijojmë shumë një filxhan çaji: mund të na pëlqejë aroma, ngrohtësia që përçon në ditët e ftohta të dimrit, ose mund ta gjejmë shumë qetësuese pirjen e çajit përpara një oxhaku. Por çaji nuk ka vetëm efekte çlodhëse, ai i bën shumë mirë shëndetit.

  • Çaji përmban antioksidues. Ashtu sikurse ne lyejmë hekurat me substanca të caktuara për t’i mbrojtur nga ndryshku edhe antioksiduesit shërbejnë për të mbrojtur trupin nga kthetrat e plakjes dhe nga efektet e ndotjes.
  • Çaji përmban më pak kafeinë sesa kafeja. Kafeja zakonisht ka dy deri në tri herë më shumë kafeinë sesa çaji. Një filxhan kafeje përmban zakonisht rreth 135 miligramë kafeinë, ndërsa çaji përmban rreth 30 deri në 40 miligramë për çdo filxhan. Nëse pirja e kafesë ju shkakton ankth, pagjumësi apo dhembje koke, atëherë filloni të pini çaj.
  • Çaji mund ta ulë rrezikun e atakut të zemrës dhe vdekjes së qelizave të trurit. Mpiksja e gjakut e formuar nga kolesteroli dhe trombocitetet e gjakut shkakton ndalimin e zemrës dhe shkatërrimin e qelizave të trurit. Duke pirë çaj ju i mbani arteriet tuaja të qeta dhe të pabllokuara. Një studim 6-vjeçar në Norvegji ka zbuluar se personat që pinë 2-3 filxhan çaj në ditë, kanë 70 për qind më pak rrezik të pësojnë një atak zemre, krahasuar me ata që nuk pinë çaj.
  • Çaji mbron kockat. Nuk është vetëm qumështi ai që ndihmon në formimin e kockave të forta. Një studim që ka krahasuar personat që pinë dhe ata që nuk pinë çaj, ka zbuluar se personat që kanë pirë çaj për 10 vjet ose më shumë, kanë kocka më të forta, pavarësisht moshës, peshës, ushtrimeve fizike apo edhe pirjes së duhanit.
  • Çaji të jep një buzëqeshje të ëmbël. Të pish çaj të bën mirë edhe për dhëmbët. Është sheqeri që ne i shtojmë, ai që mund të prishë efektin e çajit si zbardhues dhëmbësh. Provoni të pini çaj pa sheqer dhe do të shihni se është po aq i dobishëm sa larja e dhëmbëve.
  • Çaji rrit imunitetin. Duke pirë çaj ju rrisni imunitetin e trupit tuaj ndaj infeksioneve të shumta. Kur 21 vullnetarë pinë secili nga pesë filxhan kafeje dhe çaji, studiuesit arritën në përfundimin se personat që kishin pirë çaj, kishin një sistem imunitar më të fortë.
  • Çaji ju mbron kundër kancerit. Antioksidantët që përmban çaji luftojnë kancerin. Janë plot tetë studime që e mbështesin teorinë se, çaji është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen nga pasojat negative të sëmundjeve të shumta. Ndaj bëni mira ta fusni çajin në listën e pijeve tuaja të përditshme.
  • Çaji ju mban të hidratuar. Pijet që përmbajnë kafeinë, duke përfshirë edhe çajin, janë konsideruar si pije që nuk janë të nevojshme për rritjen e sasisë së lëngjeve që na duhen normalisht. Kjo, sepse kafeina është një pije diuretike ose thënë ndryshe që na shton nevojën për të urinuar. Megjithatë studimet e fundit kanë zbuluar se kafeina nuk përbën problem dhe se pijet që e përmbajnë atë ndihmojnë për sasinë e lëngjeve që duhet të marrim. Kafeina bëhet problem vetëm nëse pini njëkohësisht pesë ose gjashtë filxhanë pijesh që e përmbajnë atë.
  • Çaji është pa kalori. Çaji nuk përmban asnjë kalori po të mos i hidhni sheqer apo qumësht. Të përdorësh qoftë edhe 250 kalori më pak në ditë ndihmon në humbjen e gjysmë kilogrami në javë. Nëse po kërkoni për një pije që nuk ka në brendësi kalori, çaji është i duhuri.
  • Çaji rrit metabolizmin tuaj

Shumë njerëz ankohen se kanë një metabolizëm të dobët dhe se nuk humbin dot peshë. Çaji jeshil ka treguar se rrit metabolizmin dhe se ju mund të digjni 70-80 kalori duke pirë pesë filxhanë në ditë. Duke e llogaritur për një vit mund të humbni rreth 3.6 kg vetëm duke pirë çaj jeshil.

 

Si të përgatisni çajra për të kuruar sëmundjet

Si të përgatisni çajrat me fruta për të kuruar sëmundjet e zemrës, tensionit, diabetin, kanceret, sëmundjet e trurit e shumë të tjera. Pjesët e bimës që duhet zier dhe sasia që duhet përdorur.    Ja disa lloje çajrash të ndryshme që duhet të konsumoni dhe që i gjeni lehtësisht në vendn tonë:

1. Çaji jeshil

Ul tensionin e larte të gjakut. Pirja e çajit jeshil shtyp ose ndrydh angiotenzin II, e cila ngre tensionin e larte të gjakut. Ul sheqerin në gjak. Polifenolet dhe karbohidratet e çajit jeshil janë efektive në uljen e sheqernave në gjak. Lufton kancerin. Ka shumë studime që tregojnë që katekina e çajit jeshil është efektive në parandalimin e kancerit. Çaji jeshil ngre sistemin e imunitetitpër arsye të përqendrimit të lartë të polifenoleve dhe flavenoideve. Antioksiduesit e çajit jeshil ulin kolesterinën. Çaji jeshil i gradës së lartë përmban më shumë polifenole se çaji i zakonshëm. Ai është gjithashtu i shijshëm. Gjethet e pa fermentuara të çajit jeshil janë forma e procesit më të mirë të çajit. Pirja e çajit jeshil nga gjethet 100 për qind është rruga më e mirë natyrale për të dhënë të mira më të shumta në shëndet.

2. Çaj kamomil

Zakonisht përdoren lulet e thara të kamomilit, që pasi ziejnë në ujë të ngrohtë, konsumohen në formën e çajit. Kamomili ka veti qetësuese. Ja përse këshillohet të pihet para se të flenë nga të gjithë ata që vuajnë nga pagjumësia ose nuk bëjnë gjumë të qetë. Ai ndihmon në tretjen dhe problemet me zorrët, qetëson dhembjet e barkut, është anti-inflamator, lehtëson dhembjet menstruale dhe problemet me dhembjet e kokës. Një tjetër funksion ka të bëjë me eliminim e gazrave të tepërta nga zorrët dhe shpesh u shtohet shampove dhe balsameve për shkak të vetive ushqyese te flokët. Por efektet pozitive janë ndier edhe te spazmat muskulore dhe problemet reumatizmale. Stabilizon zorrët në rast diarreje dhe përdoret në rast të irritimeve apo infeksioneve në rrugët urinare, për të mos folur për qetësimin e sistemit nervor. Për përdorim të jashtëm ai rekomandohet kundër problemeve me lëkurën, sidomos ekzemat dhe largimin e skuqjes së syve. Me sa kemi parë dhe dëgjuar, është një bimë që me vetitë e saj vetëm na shëron.

 

3. Çaj ulliri

Jo më kot, ulliri është cilësuar si një ndër bimët mrekulluese. Gjethet e ullirit dhe lëvoret e degëve përmbajnë taninë dhe kanë shije të hidhur. Ato kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike. Përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut dhe në rastet e sëmundjeve me temperaturë. Ato kanë veti direkte dhe pakësojnë sasinë e sheqerit në gjak.

Kuron:

1-Arteriosklerozën

2-Tensionin e lartë

3-Ul temperaturën e lartë

4-Pakëson sasinë e sheqerit në gjak

5-Rregullon metabolizmin

6-Rekomandohet për ekzemat në lëkurë

7-Kuron stomakun

Si përgatitet çaji:

Merren 40-50 copë gjethe dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë së ujit. Nga çaji i përgatitur pihen 1-2 filxhanë çaji në ditë, pasi filtrohet dhe i shtohet sheqer. Kokrrat e ullirit bëjnë mirë kur i konsumojnë ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit. Është e këshillueshme që diabetikët të hanë sidomos kokrra jeshile, të cilat shuajnë etjen që shkakton diabeti. Çaji për tensionin fillimisht përgatitet me 20 gjethe ulliri në një litër ujë. Pastaj shtohen nga 5 gjethe çdo ditë, derisa të arrihen në 120 gjethe. Në të gjitha rastet çaji zihet derisa të mbeten ¾ e ujit. Prej tij pihen dy gota: Një në mëngjes para buke dhe një në darkë para gjumit. Për stomakun merren 100 gjethe ulliri dhe zihen në një litër ujë derisa të përgjysmohet sasia e ujit. Pasi kullohet, pihet nga një filxhan esëll në mëngjes.

4. Çaj mani i zi

Manat përmbajnë rreth 9% sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj. Në ditët e ngrohta të verës ato përdoren për të shuar etjen. Pekmezi (shurupi i manave) përdoret në stomatitet dhe faringitet. Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes. Pekmezi përdoret gjithashtu në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë. Manat e papjekura përdoren për luftimin e krimbave parazitarë të aparatit tretës.

Kuron:

1-Tensionin

2-Mëlçinë

3-Sëmundjet e flokëve

4-Pagjumësinë

Si përgatitet çaji:

Gjethet e manit përdoren për uljen e tensionit të lartë të gjakut. Çaji përgatitet si vijon: merren 5-6 gjethe të pastra dhe zihen në 150 ml. ujë derisa të mbetet një e treta e ujit. Kullohet dhe pihet njëherësh. Mjekimi vazhdon për 5-6 ditë. Për sëmundjen e mëlçisë veprohet në këtë mënyrë: Merren dy grushte filiza të rinj manash, nga ata që nuk kanë filluar të prodhojnë fruta dhe copëtohen. Vihen të zihen në një litër ujë për një orë. Nga lëngu i fituar merret nga një lugë gjelle 3-4 herë në ditë. Kundër sëmundjeve të mëlçisë përdoren edhe gjethet e manit, duke i përgatitur si më lart. Ndërsa për ngjyrosjen e flokëve këshillohet përdorimi si vijon: Merren gjethe të manit të zi dhe zihen me ujë shiu, së bashku me gjethe hardhie dhe gjethe fiku të zi. Me lëngun e fituar bëhet korja e kokës. Edhe mani i bardhë ka pothuajse të njëjtat veti që ka mani i zi.

5. Çaj mandarine

Frutat e mandarinës janë tretëse, freskuese dhe lëngu i tyre është i pranueshëm edhe nga stomaku i fëmijëve. Në sajë të përmbajtjes së vitaminave, si dhe të një sasie të konsiderueshme hekuri, mandarinat përbëjnë një ushqim shumë të përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe për luftimin e anemisë.

KURON:

1-Aneminë

2-Pastrojnë Gjakun

3-Stabilizojnë metabolizmin

4-Rregullojnë tensionin e lartë

Si përgatitet çaji:

Zakonisht mjekësia popullore e ka përdorur këtë lloj fryti në formën e vet origjinale. Për këtë arsye kryesisht për ata që kanë probleme me aneminë ose sëmundjet e tjera të gjakut, këshillohet që mjekimi me mandarina duhet të vazhdojë 20-25 ditë, duke konsumuar çdo ditë nga 10-15 kokrra ose edhe më shumë. Lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet kanë po ato përdorime si te portokalli. Filizat e reja dhe të frutit të mandarinës të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulçerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.

 

6. Çaj thane

Kokrrat e thanës përmbajnë rreth 9% sheqer, acide organike, vitaminë C etj. Thanat jo vetëm që hahen të freskëta, por ato bëhen komposto, prevede, marmelatë. Gjethet dhe lëvorja e thanës përmbajnë rreth 10-15% taninë. Iu këshillohet kryesisht personave që kanë probleme me diarrenë.

Kuron:

1-Diarrenë

2-Ekzemën

3-Normalizon qarkullimin e gjakut

4-Rregullon metabolizmin

Si përgatitet çaji:

A)Merren 1 kg. thana të pjekura dhe zihen me sheqer. Nga reçeli i përgatitur u jepen fëmijëve dy lugë kafeje në ditë. Për të shuar etjen te të sëmurët me asht (që kanë mbledhur ujë në bark), këshillohet të merren një grusht thana gjysmë të pjekura ose të thata dhe vihen të zihen në një litër ujë për një orë dhe pastaj kullohen. Ky lëng përzihet me lëngun e përfituar nga shtrydhja e shegëve të egra. Nga kjo përzierje lëngjesh të tharta, merret nga një lugë gjelle sa herë që i sëmuri ka etje për ujë.

B)Edhe bërthamat e frutave të thanës kanë veti të mira rrudhëse dhe ndalojnë të hequrit e barkut: merren 300 gramë bërthama të thanës dhe piqen si kafeja, derisa të marrin ngjyrë të zezë, bluhen në mullirin e kafesë. Mielli i përfituar përzihet me 1 kg sheqer. Fëmijëve u jepet tri herë në ditë 1/3 e lugës së kafesë, në formë pluhuri ose e tretur në ujë. Të rriturit marrin nga një lugë gjelle tri herë në ditë.

C)Edhe kërpudha e thanës (eshka) jep rezultate të mira kundër ekzemës së lëkurës: merren 30 gramë eshkë thane dhe zihen në 200 ml. ujë. Lëngu i fituar pihet me nga një filxhan kafeje në mëngjes esëll.

7. Çaj vishnje

Frutat e vishnjës janë të shijshme, përdoren për të kuruar mëlçinë, pastrojnë gjakun dhe luftojnë aneminë. Veç të tjerash konsumimi i tyre rekomandohet për të gjithë ata që kanë probleme me tretjen. Ky lloj fruti përmban acide organike me shumicë, vitamina A, C, P, PP, B1, B2 etj. Me bishtat e frutave mjekët popullorë kanë luftuar me sukses gurët dhe rërën e veshkave.

KURON:

1. Mëlçinë

2. Pastrojnë gjakun

3. Luftojnë aneminë

4. Tretet shpejt nga stomaku

Si përgatitet çaji:

Mjekësia popullore e përdor frutën e vishnjës për kurimin e sëmundjeve, vetëm në formën e një çaji. Për këtë duhet të merren 1-15 gramë bishta vishnje dhe zihen në 200 ml ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë fillestare të ujit. Çaji pihet i ngrohtë, para buke, duke e përsëritur 2-3 herë gjatë ditës, për 10-15 ditë radhazi. Frutat e vishnjës janë freskuese, shuajnë etjen, pranohen mirë nga stomaku, ndihmojnë tretjen, dhe kur përdoren në mënyrë sistematike, ndikojnë në shërimin e sëmundjeve të mëlçisë, pastrojnë gjakun duke e pasuruar atë me elemente të reja dhe luftojnë aneminë. Në këto raste këshillohet të konsumohen deri në gjysmë kilogramë vishnjë të freskëta në ditë, duke vazhduar mjekimin për 15-20 ditë. Frutat e vishnjës kanë veti direkte, ato këshillohen t’i konsumojnë ata që vuajnë nga veshkat. Vishnja ka të gjitha vlerat ushqimore e dietike dhe vetitë farmaceutike që ka qershia, por ajo i ka më të theksuara vetitë rrudhëse e freskuese.

8. Çaj shege

Lëngu i shegës përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon toksinat (helmet) e organizmit. Ai (lëngu i portokallit) i jep freski mendimit të njeriut. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara (shpëlarje të gojës) kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.

KURON:

1-Sëmundjet e stomakut

2-Sëmundjet e zorrëve

3-Dhimbjet e barkut

4-Hemorroidet

5-Ënjtjen e bajameve

6-Acarimin e mishrave të dhëmbëve

Si përgatitet çaji:

Merren 20-30 gramë lule shege në një litër ujë dhe vihen të zihen për gjysmë ore. Nga ky çaj merren 2-3 gota çaji në ditë. Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti regjëse. Lëvozhga e thatë, para se të përdoret, duhet të vihet në ujë për disa orë që të zbutet. Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diarreve, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve. Lëvozhga e frutave të shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e një kokrre shege, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy gota likeri në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë. Pa përdorur tjetër ilaç, organizmi do të çlirohet nga amebat.

9. Çaj portokalli

Portokallet janë një ushqim i pasur me vitamina, me veti freskuese dhe treten lehtë në stomak. Lëngu i portokallit ka veti diuretike (Diuretik: Mjet që shkakton urinim të shpeshtë dhe ndihmon veprimtarinë e veshkave dhe të rrugëve urinare) dhe antiseptike (Antiseptik: Që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), e përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave edhe në rastet kur janë formuar gurë në to.

KURON:

1-Gurët në veshka

2-Aneminë

3-Laringun

(kur iu ikën zëri)

4-Nervozizmin

Si përgatitet çaji:

Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të rinj. Portokalli ka përmbajtje të lartë të vitaminës C. Në 100 ml. lëng portokalli përmbahen 56 mg. vitaminë C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive. Lëngu i fituar nga zierja e lëvozhgave përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve. Ndërkohë që për sëmundjet e laringut mjekësia popullore këshillon që të merren 10-15 gramë lëvozhga frutash të vihen të zihen për 15-20 minuta në 250 ml. ujë. Nga lëngu i përfituar pihen 1-2 gota në ditë. Kur ky lëng pihet i ngrohtë, bën mirë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kur ka acarime në grykë apo zënie zëri.

10. Çaj manaferre

Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës.

Kuron

1-Ul temperaturën

2-Ataket kardiake

3-Diabetin

4-Astmën

5-Tretjen e ushqimeve

Si përgatitet çaji:

Merren 6-10 gramë gjethe dhe zhyten në një gotë me ujë të valuar, duke i lënë aty për 10 minuta. Gjatë ditës pihen 1-2 gota të tilla, në gjendje të vakët. Ky infuz (ose i përgatitur në formë çaji) rekomandohet të pihet në rastet kur personi ndien djegie në stomak e në zorrë, në raste thartirash, diarresh, si dhe në formë gargarash (shpëlarje e gojës dhe e grykës), kur ka djegie në gojë, në fyt, në mishrat e dhëmbëve. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.

11. Çaj pjeshke

Ky lloj fryti rekomandohet të përdoret kryesisht i freskët ose lëng frutash. Ato kanë vlera të larta ushqyese e kuruese; përmbajnë rreth 10% sheqerna, acide organike, pektinë, vitaminë C dhe R me shumicë, sasi të pakta provitaminë A, vitaminë B1, B2, PP, kripëra minerale, lëndë aromatike etj. Lulet e pjeshkës kanë veti tonike dhe rrudhëse dhe përdoren në formë çaji. Lulet e thara e të kthyera në formë pluhuri, rekomandohen kundër kolitit, dhimbjeve të barkut, rrjedhjes së të bardhave, kundër hemorragjive dhe hemorroideve.

KURON:

1-Kolitin

2-Dhimbjet e barkut

3-Hemorragjitë

4-Hemorroidet

Si përgatitet çaji:

Çaji përgatitet duke marrë 50-70 gramë lëvore degësh, të cilat zihen në 200 ml. ujë, gjersa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Lëngu i frutave dhe vetë frutat e pjeshkës kanë veti të mira tonike, janë freskuese, shuajnë etjen dhe hapin oreksin. Ato bëjnë mirë në mëlçi dhe ndihmojnë në forcimin e elementeve të reja të gjakut. Gjethet e pjeshkës përdoren në ndalimin e rrjedhjes së gjakut nga plagët. Në këtë rast këshillohet të merren një sasi gjethe pjeshke dhe pasi pastrohen, shtypen bashkë me kripë dhe vendosen mbi plagë.

12. Çaj luleshtrydhje

Luleshtrydhja përmban glikozidet e hidhura, insulinën, taninet, vitaminën B, C dhe provitaminën A, shumë minerale, ka përqindje të lartë të kripërave të kaliumit, sidomos në gjethe, karotenoide, proteinë, pektinën, hulinën, etj. Në rast se konsumatorët e kanë të vështirë në periudha të caktuara që të gjejnë luleshtrydhe në treg, atyre u këshillohet edhe përdorimi i lëngjeve të frutave me luleshtrydhe, por që nuk përmbajnë gaz.

KURON:

1-Pastron gjakun

2-U rekomandohet anemikëve

3-Stabilizon nivelin e kolesterolit në gjak

4-Rekomandohet edhe si lëng frutash i shtrydhur

Si përgatitet çaji:

Në gjysmë litri ujë hidhen 100 ml. uthull. Në përzierjen uthull-ujë zihen për gjysmë ore 50-60 gramë rrënjë luleshtrydhe. Me lëngun e fituar bëhen shpëlarje të gojës 2-3 herë në ditë. Filizat e reja dhe majat e luleshtrydhes të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulcerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.

13. Çaj molle

Molla si fryt ka veti freskuese, qetësuese dhe zbutëse. Frutat përmbajnë rreth 15% sheqerna, acide organike e sidomos acid malik, janë të pasura në karotinë (provitaminë A), me vitamina B1, C, E, P, B2, PP, të cilat ndodhen nën lëkurë. Farat e mollës përmbajnë albumina dhe yndyrë.

KURON:

1-Hemorroidet

2-Reumatizmin

3-Kollën

4-Sëmundjet e syve

5-Dhimbjet e veshit

6-Kundër helmimeve

Si përgatitet çaji:

Merren 1-22 kokrra mollë, priten në 2-3 copë secila dhe zihen për 30-40 minuta në 200 ml. ujë. Çaji i mollës ndihmon gjithashtu edhe për funksionimin e mirë të veshkave dhe të fshikëzës urinare; ai përdoret kundër infeksioneve të këtyre organeve. (Ky çaj për kollën dhe reumatizmin). Kurse për hemorroidet vlen këshilla: Merren 1-2 kokrra mollë dhe me anën e rendes kthehen në pure. Pureja e përgatitur, pasi zihet për gjysmë ore, përzihet me 20-30 gramë gjalpë dhe hahet njëherësh, duke qenë esëll. Mjekimi mund të vazhdojnë 20-25 ditë me një ndërprerje prej 2-3 ditësh. Kundër helmimeve merren 20 copë gjethe molle, thërrmohen dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë. Lëngu i fituar pihet në formë çaji. Çaji i përgatitur me mollë të ziera pakëson etjen, zbut acarimin e laringut. Ky çaj përdoret për të zbutur e për të pakësuar të kollurit, kundër zënies së zërit, lehtëson dhimbjet e grykës dhe acarimet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të vetë mushkërive.

14. Çaj limoni

Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë efekt shërues më të theksuar. Ato përdoren kundër sëmundjeve që shoqërohen me ethe, janë freskuese dhe ulin temperaturën. Efekt të dukshëm japin në hipo dhe avitaminozat. Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues i këndshëm dhe nxit oreksin që mund të jetë prerë nga sëmundje të ndryshme. Në këto raste përdoret lëngu i limonit në trajtë limonade ose i shtuar në çaj a në gjellë.

KURON:

1-Mëlçinë

2-Reumatizmin

3-Gurët në veshka

4-Gripin

Si përgatitet çaji:

Merret një kokërr limoni me madhësi mesatare, pritet në mes në drejtim të gjerësisë dhe të dy gjysmat vendosen në një pjatë mbi zjarr derisa të ngrohet lëngu që përmbajnë. Pastaj, nga pjesa e prerë, të dy gjysmat, të ngrohta, vihen në të dy anët e qafës, në vendet mbi bajamet, lidhen me garzë dhe lihen aty derisa të ftohen. Ky veprim përsëritet për 2-3 ditë, në darkë para gjumit. Limoni përdoret edhe për shërimin e sëmundjeve të mëlçisë. Më tepër rezultat ka dhënë kombinimi që vijon: Për 20-30 ditë rresht, çdo ditë në mëngjes, një orë para buke, pihet lëngu i një kokrre limoni së bashku me një lugë gjelle vaj ulliri dhe një lugë gjelle mjaltë. Kjo këshillë përdoret edhe nga organizmat e dobësuar, ata që kanë kaluar ndonjë sëmundje, për rivendosjen e oreksit dhe të shëndetit të tyre. Kundër reumatizmit merren 1-2 kokrra limon dhe pasi lahen mirë, pa hequr lëvozhgën, grihen në rende. Brumi i fituar, pasi i shtohen 1-2 lugë kafeje sheqer, hahet esëll në mëngjes ose në orët e pasdites. Ky veprim përsëritet çdo ditë për 20-30 ditë.

15. Çaj Qitro

Është një frutë me origjinë greke, në pamje të parë ngjan me portokallin, por ka një shije më të athët se agrumi tjetër i ngjashëm. Mjekësia popullore tregon se kjo lloj frute, e cila e ka kohën e vet në vjeshtë, ndihmon veçanërisht në tretjen e ushqimit. Gjithashtu pakëson rrjedhjen e gjakut nga mishi i dhëmbëve, si dhe shëron ftohjen dhe bën të mundur stabilizimin e kolesterolit.

KURON:

1-Ndihmon në tretjen e ushqimit

2-Pakëson rrjedhjen e gjakut nga mishrat e dhëmbëve

3-Stabilizon kolesterolin

4-U rekomandohet personave që kanë mangësi me sheqerin

Si përgatitet çaji:

Për të gjithë ata persona të cilët kanë vështirësi në tretjen e ushqimit, rekomandohet të përdoret këshilla që vijon:

100 gramë rrënjë qitro zihen në 500 ml ujë derisa të avullohet gjysma e tij. Lëngu i përfituar, pasi filtrohet, përzihet me një sasi të barabartë vere të kuqe të vjetër. Merren 1-2 gota në ditë. Edhe pse në shije jo fort e ëmbël, qitro iu rekomandohet edhe personave që e kanë nivelin e sheqerit të ulët. Pasi në përbërjen e tij, fruta ka shumë glukozë.

16. Çaj kajsie

Frutat e kajsisë janë të shijshme, automatike dhe pëlqehen nga të gjithë. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e gjakut. Përdoren me efekt edhe në rastet e zënies së zërit. Kajsitë janë ushqim i çmueshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë.

Bërthamat e kajsisë përdoren kundër dhimbjes së kokës. Për këtë qëllim ato piqen dhe hahen me mjaltë për t’u tretur më lehtë.

KURON:

1-Sëmundjet e mëlçisë

2-Dhimbjet e kokës

3-Pastrojnë gjakun

4-Laringun

Si përgatitet çaji:

Merren 1 kilogramë kajsi dhe zihen përreth 2 orë e gjysmë, më pas ato lihen të kullohen dhe futen në një shishe ose enë qelqi, në mënyrë që çaji të qëndrojë sa më i freskët. Ai duhet pirë dy herë në ditë në mëngjes dhe në darkë, dhe këshillohet kryesisht për të gjithë ata që kanë probleme me mëlçinë dhe sëmundjet e gjakut. Madje për këto dy lloj kategorish, rekomandohet që çaji i kajsisë të përdoret çdo ditë, pasi përveç vlerave ushqyese që ka, rregullon edhe funksionimin e metabolizmit në organizëm. Përveç sëmundjeve të lartpërmendura, çaji i kajsisë kuron edhe dhimbet e kokës, madje mjekësia popullore rekomandon që ky frut në përdoret edhe në gjendjen e vet natyrale në raste të dhimbjeve të kokës apo të laringut.

 

17. Çaji mali

Një gotë çaj mali, gjalpë dhe limon! Cili shqiptar nuk e ka provuar sikur një herë te vetme, këtë trinom popullor të shërimit te gripit apo te ftohurës?! Kultura e çajit, te cilën Azia dhe vendet evropiane e kane lëvruar nder shekuj dukej krejtësisht e panjohur për ne, njerëzit që çajin e konsumojmë vetëm kur sëmuremi. Sideritis, i njohur ndryshe me emrin ccaji i malit, është një barishte e mirënjohur për vetitë mjekësore. Ajo rritet në lindje të Mesdheut, veçanërisht Ballkan, pra dhe në Shqipëri. Sideritis është bima i njohur si çaj mali. Këto bimë janë të egra, që janë përshtatur për të mbijetuar me pak ujë dhe pak tokë. Çaji i malit rritet në shpatet shkëmbore dhe kullotat në lartësinë mbi 1.000 metra.

Përdorimi

Shumë popullore në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Bullgari dhe Republikën e Maqedonisë kjo bimë është përdorur si një barishte ose për përgatitjen e çajit ose për vetitë e saj aromatike në kuzhinat lokale. Përgatitja e çajit bëhet në këtë mënyrë: Pasi pastrohet, hidhet në ujë të valuar. Mbulohet me kapak dhe si të marrë valë hiqet duke e lënë të mbuluar me kapak, që të mos i dalë aroma deri në momentin e servirjes. Kur serviret mund ti hidhet mjaltë dhe limon. Çaji i malit ndihmon procesin e tretjes. forcimin e sistemit imunitar dhe trajton të ftohtin e zakonshëm, gripin dhe viruset e tjera, alergjitë dhe astmën, kongjestionet e sinozitit, madje edhe dhimbjet dhe ankthet e lehta. Shoqërohet me biskota të llojeve të ndryshme, me kek, torta etj.

 

femra-moderne.com