Dashuria eshte fat. Ndonjëherë të gjesh njeriun e jetës tënde të duket më e vështirë se të fitosh një lotari. Por nuk është çështje fati, as bashkimi yjesh. Dhe në fund të fundit as çështje aplikimi. Sepse në këtë fushë qëllimet e mira nuk mjaftojnë. Pra, nëse doni të takoni një njeri të veçantë duhet të jeni gati “brenda”. Po ju, a jeni? Zbulojeni me frazat-treguese
“Vajza, sonte do dalim të gjuajmë!”
- Nuk jeni gati
Fqinja juaj ju fton për darkë? Përpara se ta pyesni se çfarë do që ju t’i çoni, ju i thoni: “Kush do të jetë?”. Në këtë mënyrë i lini të kuptojë se nëse nuk ka ndonjë që mund t’ju interesojë, më mirë rrini në shtëpi dhe shikoni televizor. Sepse për një gjë jeni e bindur: për të gjetur njeriun e ëndrrave është e rëndësishme të shkosh në vendet e duhura dhe t’i mbash sytë hapur. Por sjellja prej “gjahu” nuk është gjithmonë ajo e duhura. Një vajzë që bie në sy se po gjuan mund të shkaktojë te djemtë një sjellje mosbesimi, që i shtyn të ngrenë mburojat. Për të bërë takime të mira është e rëndësishme të jesh, të dukesh, e gatshme për të hyrë në komunikim me të tjerët. Pa qëllime të tjera.
“Kuptova se për çfarë kisha nevojë”
- Jeni gati
“E kisha verifikuar disa herë: Lidhja “klasike” ma merr frymën”, tregon Megi, 26 vjeçe. “Por nuk ia pranoja vetes, që të mos ndihesha ndryshe nga vajzat e tjera. Morali: historitë e mia mbaronin sapo sensi i mbytjes e tejkalonte nivelin e ruajtjes. Derisa u binda që duhet të merrja në konsideratë kërkesën time për pavarësi. Të rrish çift do të thotë të heqësh dorë nga një fetë lirie, por madhësinë e fetës mund ta vendosim ne. Kështu, kur fillova të dilja me Andin, i thashë që nuk doja të hiqja dorë nga fundjavat me shoqet dhe që s’doja të flija në shtëpinë e tij përnatë. Mbeti i shtangur, por kuptoi. Dhe deri tani sensi i klaustrofobisë nuk është ndjerë ende”. A e kuptuat edhe ju si Megi që për të gjetur shpirtin binjak rregulli numër një është të kesh idetë e qarta mbi atë që kërkon? Nuk do të thotë që për të gjetur njeriun e duhur duhet të sillesh vërdallë nëpër qytet me identikitin e tij në dorë!
Dashuria ka shume ane te bukura dhe një nga gjërat më të bukura të dashurisë është pikërisht e panjohura, zbulimi shkallë shkallë i personit tjetër. Kështu lista e karakteristikave në këtë rast nuk funksionon. Por është e rëndësishme që të dini të paktën se cilat janë nevojat tuaja më të thella, ato të cilat nuk jeni e gatshme të negocioni. Për t’i njohur duhet të jeni gati ta pranoni veten ashtu siç jeni, pa e gjykuar atë. Nëse, për shembull, keni ëndërruar gjithmonë një burrë të pasur, dhe jeni e bindur që vetëm një kështu mund t’ju bëjë të lumtur, mos t’ju vijë turp ta pranoni. Dhe mos e gënjeni veten duke thënë “Menaxher ose i papunë, për mua s’ka asnjë problem”: rrezikoni të viheni në situata që mund t’ju bëjnë vetëm të vuani.
“Dua një pasion drithërues”
- Nuk jeni gati
Edhe nën atë pamjen prej një vajze të shkujdesur të Mijëvjeçarit të Tretë, vazhdoni të ushqeni sindromën e Princit të Kaltër. Në fund të fundit, shpresoni që pasioni t’ju kapë befasisht, dhe t’ju garantojë lumturinë e përjetshme. Endrra e dashurisë është e rëndësishme, sepse është ajo që na shtyn drejt tjetrit. Prandaj është normale që, kur filloni të frekuentoni një burrë, t’ju duket i veçantë, unik. Por nëse historia bëhet serioze, duhet të përgatiteni të pranoni edhe aspektet e tij që janë më pak “tërheqëse”, duke e parë marrëdhënien si një udhëtim, që duhet marrë me kuriozitet dhe habi. Të vetëdijshëm për faktin që një ditë nuk është e njëjtë me tjetrën. Në fillim, zemra rreh fort dhe ndjehen fluturat në bark, më pas këto u lënë vend emocioneve të tjera. Ndoshta më pak turbulluese. Disa herë jo ekzaltuese, por kështu funksionon. Nëse mendoni që gjithçka do të shkojë vaj si herën e parë që e keni parë në sy, do të përballeni me një ndjesi të fortë zhgënjimi. Nëse filloni të ndjeni mllef për mangësitë e tij, situata bëhet e vështirë për t’u drejtuar. Sidomos, rrezikoni të ëndërroni… për pjesën tjetër të jetës suaj!
“Në fund të fundit jam mirë edhe vetëm”
- Jeni gati
Fjalët bajate mbi vetminë nuk ju prekin, sepse një mbrëmje e qetë e kaluar në shtëpi, duke parë në dvd 4 bukuroshët e filmit “Ocean’s Eleven”, nuk ju bën që t’ju kapin krizat e braktisjes. Mashkulli i përkryer është fshehur? Shoqja e zemrës s’është bërë e gjallë sepse është në fazën e rënies në dashuri? Ju përfitoni për të pushuar pak. Sa më shumë ndiheni mirë me veten aq më të mëdha janë mundësitë për të takuar njeriun e duhur. Duket si pa kuptim por s’është kështu. Nëse për ju një mashkull përfaqëson një jelek shpëtimi në detin e ftohtë të vetmisë, do të projektoni mbi të të gjitha nevojat tuaja. Do t’ju duket sikur nuk do të mundeni të jetoni më vetëm, gjë që nuk është e shëndetshme: pasi një marrëdhënie e ekuilibruar bazohet në dëshirë dhe jo në nevojë. Por ka edhe më tepër. Nëse jeni e aftë për të pranuar vetminë, do të thotë që keni një individualitet tuajin dhe nuk duhet të kapeni pas dikujt tjetër për të ditur se kush jeni.
“Dashuria, e vetmja do të më bëjë me të vërtetë të lumtur”
- Nuk jeni gati
Prindërit vazhdojnë t’ju bërtasin kur ktheheni vonë në shtëpi. Puna ju fut të dridhurat. Beli juaj ka filluar të zgjerohet, për shkak të çokollatave që i keni si ngushëllueset tuaja. Dhe ju, në vend që të kërkoni një dhomë me qera, të ndërroni punën dhe të regjistroheni në palestër, çfarë bëni? Pëshpërisni dhe mendoni se se gjithçka do të jetë ndryshe ditën që më në fund “ai” do të hyjë në jetën tuaj. Mos nuk është e vërtetë që kur bie në dashuri adrenalina funksionon për mrekulli, humori është në pikun e tij dhe hallet nuk ekzistojnë më? Në njëfarë kuptimi po. Por është si të pish një ilaç antidepresiv: kuron simptomën, por nuk e zgjidh problemin me rrënjë. Për 2-3 muajt e parë, domethënë sa zgjat faza e rënies në dashuri, duket sikur bota është një vend fantastik. Më pas, kur ai nuk ju duket më si Brad Pitt dhe arrin koha për të konsoliduar marrëdhënien tuaj, dalin në sipërfaqe çështjet e lëna pezull. Sapo kuptoni që princi juaj i kaltër nuk jua zgjidh jetën, përkundrazi jua komplikon, zemëroheni menjëherë me të. Dhe lidhja është në krizë. Prandaj përpiquni t’i zgjidhni vetë këto pakënaqësi të vogla dhe keqkuptime që janë të pranishme në jetën tuaj. Edhe sepse asnjë mashkull, as edhe një kandidat për çmimin Nobel për Paqen, mund të normalizojë konfliktet që keni me veten dhe me gjithë të tjerët.
“Nuk dal nëse nuk ndihem e përkryer”
- Nuk jeni gati
Nuk hiqni dorë nga një orë step edhe sikur temperatura juaj të jetë 39 gradë celcius. Investoni 1/3 e rrogës suaj në krempudra, parfume, buzëkuqe. Dhe nëse çanta nuk shkon me shallin, nuk shkoni as në dyqanin që keni poshtë shtëpisë suaj. Për ju të jesh gjithmonë hiper e përkujdesur është një strategji që herët a vonë do të japë rezultatet e saj. Në të vërtetë, nuk është e thënë që kush kujdeset më tepër për veten të ketë më shumë mundësi për të gjetur dashurinë. Përkundrazi, ndonjëherë është e kundërta. Kujdesi i tepruar përkundrejt pamjes dhe formës fizike mund të fshehë dëshirën për t’u treguar të tjerëve diçka tuajën. Ndoshta keni ndonjë çështje të lënë pezull: i dashuri ju ka lënë, puna nuk ju pëlqen. Puna qëndron se, nëse investoni energjitë tuaja në përpjekjen për t’u pëlqyer të gjithëve, është e vështirë që të arrini ta shikoni veten me qetësi për të kuptuar çfarë pëlqejnë njerëzit nga ju. Rrezikoni të pranoni vardisjet e të gjithëve që ju bëjnë të ndiheni e rëndësishme, duke bërë ndoshta gabime në të vlerësuar. Jo vetëm kaq. Me ecjen tuaj si nëpër pasarela, u transmetoni të tjerëve një imazh të ftohtë, të largët. Ju bën të dukeni si një “e paarritshme”, që përdor shumë pamjen e jashtme si një maskë pas së cilës fshihet gjithçka ose asgjë. Pastaj ka edhe nga ata meshkuj që nuk u bën përshtypje pamja e jashtme. Por nuk janë gjithmonë shumica…
Po ai si është?
Ja 4 shenja të pagabueshme “rezistence” mashkullore…
- Mbron intimitetin e tij. Në zyrë nuk i thotë askujt që është i lidhur me ju. Nuk ju kap dorën në publik dhe nuk ju merr me dëshirë kur del me miqtë. Në mënyrë që të mos japë shpjegime mbi ju.
- Eshtë një hiperkritik. Ka patur shumë gra: por askush nuk bënte për të. Mund të fshehë një pakënaqësi të thellë, që e bën të kërkojë (dhe të gjejë) gjithmonë qimen në vezë.
- Dërdëllit për ish të dashurën e tij. Nuk ka rëndësi nëse për mirë apo për keq: në bisedat e tij ajo është gjithmonë. Ndoshta nuk e ka kaluar ende zinë e asaj ndarjeje, që vazhdon ta bëjë të vuajë.
- Nuk i lë detyrimet e tij. Si çdo beqar, ka shumë hobi. Nuk heq dorë asnjëherë? E ka pak të vështirë të çlirohet nga “statusi” i vjetër.